Mbledhja e Senatit të UP-së, 20.11.2025, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Katër aplikime për avancim të stafit të Fakultetit të Mjekësisë kërkohet të rishqyrtohen
Senati i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e mbajtur më 20.11.2025 i ktheu për rishqyrtim në Këshill të Fakultetit të Mjekësisë katër aplikime që vijnë nga profesorë asistentë të Fakultetit për avancim në profesor të asociuar.
Aplikimi i parë është nga Valon Krasniqi, për të cilin prorektori Avni Hajdari tregoi se një punim shkencor i Krasniqit është publikuar në një revistë, e cila më 27.10.2025 është larguar nga platforma e Ëeb of Science.
Sipas Rregullores së UP-së për emërim, avancim të personelit akademik e datës 03.06.2025, komponent vendimtar për vlerësimin e emërimit, avancimit të personel akademik në UP janë publikimet e kandidatit në platformat Ëeb of Science dhe Scopus.
Aplikimi i Vlora Ademi-Ibishit është i dyti që u votua të kthehet në rishqyrtim. Prorektori Adem Beha tha se në këtë rast kanë të bëjnë me një problem teknik.
Kurse prorektori Avni Hajdari e ka shpjeguar se në këtë rast punimi i Ademi-Ibishit është case report (raport rasti) dhe punimi numër katër i saj në raportin e komisionit recensues është me pagesë që aplikohet për publikim të punimit, si dhe nuk ka impakt faktor që nuk pranohet.
“Gjatë analizimit të punimeve në databazën Scopus, e kemi vërejtur se profesoresha e ka një punim tjetër, i cili nuk është në raport të komisionit, e t’i plotësohet.” – tha Hajdari.
Sefedin Muçaj, dekan në Fakultetin e Mjekësisë ka reaguar pas shpjegimit të Hajdarit, duke thënë se “e ka dërguar ajo”.
Aplikimi i tretë është nga Brikenë Dacaj Elshani për avancim në profesore e asociuar. Sipas prorektorit Hajdari, punimi i dytë i saj është raport rasti që llogaritet gjysmë punimi, sipas Rregullores së re për emërim, avancim të personelit akademik të datës 03.06.2025.
Sipas kësaj Rregulloreje, dy raporte rasti llogariten një punim origjinal shkencor dhe kjo shfrytëzohet vetëm për njërin punim që e kërkon pozita sipas Statutit të UP-së.
Dekani Muçaj tha se “Rregullorja paraprake thotë – një punim, një case report, një punim, pa limit.” Këtij deklarimi të dekanit, i reagoi prorektori Beha duke i thënë “Nuk e thotë Rregullorja paraprake, ka qenë e heshtur sa i përket case reports, nuk ka përmend asnjë case report.”
“Rregullorja e vjetër e thotë – një case report, një punim, janë avancuar njerëzit me to, pa limit. Meqenëse ka hi Rregullorja e re, e nuk vlen Rregullorja e vjetër, por në Rregulloren e re nuk e specifikon që punimet e publikuara prej, para datës kur kjo Rregullore më 03.06.2025, deri para 03.06.2025, nëse punimet e publikuara case reports në këtë rast duhet të pranohen 1, 1, pa limit se nuk është e specifikuar. Derisa s’është e specifikuar dhe Trupa Këshill-dhënëse e Rektorit është thënë që të gjitha këto d.m.th janë pa limit, 1, 1 para Rregullores së re, ndërsa Rregullorja e re thotë 2+1.” – tha Muçaj.
Sipas Muçajt, është shkelje ligjore nëse merret raporti i rastit i Brikenë Dacaj Elshani si gjysmë punimi dhe kërkoi një interpretim ligjor se si duhet të menaxhohet kjo çështje.
Atij i është kundërpërgjigjur rektori Arben Hajrullahu duke i thënë se kandidatja ose ai mund të ankohen, nëse besojnë se i është bërë ndokujt e padrejtë.
Dhe aplikimi i katërt që kthehet për rishqyrtim te Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë është i Merita Qorollit, pasi Beha tha se titulli i punimit të saj të tretë në aplikim shkruan case report, ndonëse nga revista është i kategorizuar artikull shkencor.
Profesorët asistentë të Fakultetit të Mjekësisë që Senati i UP-së i votoi të avancohen në profesorë të asociuar janë: Jeton Shatri, Kreshnike Dedushi Hoti dhe Sanije Hoxha Gashi.
Prej tyre, Dedushi Hoti është edhe senatore, por ka munguar në mbledhjen e Senatit më 20.11.2025.
Kurse, kandidatët që Senati i UP-së i votoi të ri-zgjedhen asistentë janë: Adelina Aliu, Adelina Ismaili-Murati, Arbër Kutllovci, Arbnore Ibrahimaj Gashi, Ardiana Dragobuzhda, Besim Morina, Blerta Dollaku Shkreta, Blerta Kryeziu, Driton Vela, Edon Behluli, Esat Belaj, Fisnik Jashari, Gazmend Maliqaj, Ilir Miftari, Lavdie Leci Morina, Leonora Hajrizaj Sejdiu, Miranda Selmonaj Rama, Naim Morina, Naser Lahu, Nderim Salihaj, Lindita Maxhuni Thaçi, Arta Zeka, Drilon Zekaj, Pranvera Harshova Hoxhaj, Qëndresa Beqiraj Zeqiraj, Rina Prokshi, Rrahman Ferizi, Samir Bytyqi, Saranda Disha Ibrahimi, Shkëlzen Reçica, Shkurta Rrecaj Malaj, Shpëtim Salihu, Sidita Vitoja Sopjani, Sylejman Miftari, Valmira Maxhuni Bajgora, Valë Hysenaj, Vlora Kurti, Xhevdet Krasniqi dhe Zgjim Limani.
Në këtë mbledhje, u votua hapja e konkurseve për shpalljen e pozitave të reja për personel akademik në 10 njësitë akademike të UP-së: Fakulteti i Arkitekturës, Fakulteti i Edukatës Fizike dhe të Sportit, Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore, Fakulteti Juridik, Fakulteti i Edukimit, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike Kompjuterike, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Fakulteti Filologjik dhe Fakulteti i Arteve.
Por, nuk do të hapen konkurse për pozita të reja në katër njësitë akademike: Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore dhe Fakultetin Filozofik, pasi janë duke u analizuar nga Rektorati se cilat pozita janë të nevojshme të hapen.
Në nenin 154 të Statutit të UP-së flitet për kushtet që kandidati duhet t’i plotësojë për asistent të universitetit, disa prej të cilave janë: të ketë të përfunduara me sukses studimet master në drejtimin përkatës; të jetë jo më i vjetër se 35 vjet kur emërohet për herë të parë; të jetë i regjistruar në studimet e doktoratës me rastin e rizgjedhjes asistent; të ketë notën mesatare në studimet bachelor dhe master jo më pak se 8.
Sipas nenit 155 të Statutit, për titullin profesor asistent kandidati duhet t’i plotësojë këto kushte: të ketë gradën e doktorit të shkencës; të ketë së paku dy publikime në revista ndërkombëtare shkencore si autor i parë ose korrespondent, por së paku në njërin punim duhet të jetë autor i parë.
Kurse, ri-zgjedhja në këtë titull mund të bëhet vetëm nëse kandidati ka së paku një punim shtesë si autor i parë ose korrespondent të publikuar pas emërimit në titullin aktual.
Për profesor të asociuar kandidati duhet t’i plotësojë kushtet, sipas nenit 156 të Statutit: të ketë gradën e doktorit të shkencës; të ketë një kapitull të zgjedhur të botuar në një tekst të botuar nga shtëpi botuese kredibile ndërkombëtare ose një libër për përdorim të studentëve ose monografi; të ketë të paktën tri punime të publikuara në revista ndërkombëtare shkencore të publikuara pas emërimit në titullin aktual, si autori parë ose korrespondent, nga të cilat së paku një si autor i parë.
Ri-zgjedhja në profesor i asociuar bëhet vetëm nëse kandidati ka publikuar një punim shtesë si autor i parë ose korrespodent të publikuar pas emërimit në titullin aktual.
Për profesor të rregullt, kandidati duhet t’i ketë dy kushtet e para të profesorit të asociuar si dhe sipas nenit 157 të Statutit kushtet e tjera: katër punime të publikuara në revista ndërkombëtare shkencore të publikuara pas emërimit në titullin paraprak, si autor i parë ose korrespondent, nga të cilat së paku dy si autor i parë; pjesëmarrje e rregullt në konferencat ndërkombëtare dhe kombëtare; mentorim i suksesshëm i së paku tri temave master.