Parlamenti Studentor, 27.11.2025, Foto: Selim Latifi/KALLXO.com
“Studentët e UP-së nuk janë spektatorë pasivë” - Kërkohet afati i nëntorit në të gjitha fakultetet
Disa studentë të Universitetit të Prishtinës po pretendojnë se po u bëhet pabarazi në vlerësim nga disa njësi akademike.
Sipas tyre, Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë ka mbajtur vlerësimin e studentëve në afatin e nëntorit, por jo edhe fakultetet e tjera. UP ka gjithsej 14 njësi akademike.
Para Rektoratit të UP-së ata shpalosën publikisht kërkesën e tyre për zgjidhje të kësaj pabarazie siç e quajtën, ndërsa treguan se tash e tri javë janë takuar me menaxhment të UP-së dhe kanë diskutuar për këtë çështje.
Kurse, menaxhmenti i UP-së e ka mohuar se studentëve po u bëhet pabarazi në rivlerësim dhe se ata do ta bazojnë vlerësimin e studentëve në Rregullore dhe Statut të UP-së.
Drilona Hamiti, kryetare e Parlamentit Studentor të UP-së, tha se aktualisht Universiteti i Prishtinës po funksionon me standard të dyfishtë, pasi në disa njësi akademike u mundësohet studentëve rivlerësimi gjatë afatit të nëntorit, kurse në disa njësi të tjera po u mohohet.
“Dua të theksoj se kjo nuk lidhet me lëndët shumësemestrale, por me të gjitha lëndët, përfshirë edhe ato njësemestrale dhe kjo praktikë po zbatohet në mënyrë të pabarabartë nga fakultete të ndryshme. Kjo situatë krijon një padrejtësi të qartë” – tha Hamiti më 27.11.2025.
Sipas Hamitit, një universitet që nuk garanton kushte të barabarta të vlerësimit cenon cilësinë e tij akademike, besimin e studentëve, motivimin e tyre dhe integritetin e vet institucional.
“Gjatë dy javëve të fundit kemi zhvilluar takime të vazhdueshme me Rektoratin, por fatkeqësisht ende pa rezultat konkret. Të hënën, na pret takimi i radhës, ku ne presim që përmes dialogut dhe bashkëpunimit të arrijmë një zgjidhje të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme për të gjithë studentët e UP-së” – shtoi Drilona Hamiti.
Ajo tha se studentët e UP-së nuk janë spektatorë pasivë, por janë faktorë aktivë.
“Nëse nuk krijohet hapësirë për dialog real, atëherë me shumë keqardhje ju njoftojmë se nga java e ardhshme do të jemi të detyruar të vazhdojmë me format tona demokratike të reagimit, përfshirë edhe protestat” – ka thënë Hamiti.
Drilona Hamiti i ka bërë thirrje Rektoratit të UP-së që së bashku të gjejnë një zgjidhje të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme për të gjithë studentët pa dallim fakulteti.
Majlinda Zhitija-Gjelaj, prorektore për çështje studentore në UP, tha për KALLXO.com se Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë ende nuk i kanë mbajtur vlerësimet për studentët në afatin e nëntorit, por pritet që t’i mbajnë.
Sipas prorektores Zhitija-Gjelaj, këto dy njësi akademike Statuti i UP-së i sheh më specifike bazuar në nenin 69, paragrafi 2, në të cilin thuhet se “Senati nxjerr rregullore të veçanta për studimet themelore në fushën e Mjekësisë dhe Mjekësisë Veterinare, me propozimin e këshillit të njësisë akademike. Këto programe zgjasin deri 6 vjet.”
Mirëpo, këto rregullore të veçanta për dy fakultetet e përmendura ende nuk janë nxjerrë nga Senati i UP-së.
“Ne e kemi miratuar një Rregullore për vlerësimin e vazhdueshëm të studentëve, ku janë paraparë ashtu siç e kërkon Statuti, tri afate të rregullta dhe nuk janë paraparë afate të tjera – të nëntorit e prillit, qysh ka qenë praktikë. Mirëpo një nen i caktuar flet për njësitë me specifika, siç janë Mjekësia dhe Mjekësia Veterinere që janë programe të integruara 6-vjeçare ku parashihen rregullore të veçanta për ta, për shkak që ka landë tre semestra, katër semestra, edhe nuk munden me mbulu veç me tri afate.” – ka deklaruar Zhitija-Gjelaj më 27.11.2025.
Zhitija-Gjelaj tha se janë për studentët dhe qasja e tyre është mbështetëse.
“Ata me mbërri, me qenë studentë të mirë, me arritë sa ma shumë arritje akademike. Kështu që nuk do t’i injorojmë asnjëherë, por duhet me pa çka është logjike edhe çka nuk është logjike, çka është e dëmshme dhe çka është pozitive” – shtoi prorektorja.
Ajo madje ka treguar se këtë vit studentët e vitit të parë kanë nënshkruar një marrëveshje përmes së cilës i pranojnë të gjitha rregulloret dhe Statutin e UP-së.
Rregullorja për vlerësimin e studentëve u miratua në mbledhjen e Senatit të UP-së më 18.07.2025, për të cilën votuan kundër studentët senatorë.
Sipas prorektores, votimi kundër ka ndodhur pasi kishte ndryshuar përbërja e anëtarëve të Paralamentit Studentor, të cilët kishin qenë senatorë.
“Ne e kemi pasë Parlamentin Studentor pjesë të grupit punues në Rregullore, d.m.th. i kemi pasë 4 studentë, aktivisht kanë marrë pjesë në çdo takim. Rregulloren e kemi shkru bashkë nen për nen, i kemi marrë në konsideratë krejt çka kanë thënë, ndërkaq në ditën kur është votu Rregullorja është ndërru përbërja e Parlamentit Studentor edhe ata kanë ardhë për herë të parë atë ditë dhe e kanë parë Rregulloren atë ditë për herë të parë edhe e kanë votu kundër, apriori.” – tha Zhitija-Gjelaj.
Megjithatë, në Rregulloren për vlerësimin e studentëve, KALLXO.com ka gjetur se nuk përmenden specifikisht njësitë akademike në të cilat lejohen afatet e tjera, por thuhet se njësitë akademike obligohen të hartojnë dhe publikojnë kalendarin për afatet e provimeve – janar, qershor dhe shtator.
Krijimi i kësaj Rregulloreje erdhi pasi vitin e kaluar po ashtu kishte reagime të studentëve që kërkonin mbajtjen e afateve të provimeve në nëntor dhe prill. Bojkoti i mësimit e thirrjet për protesta u anuluan pasi Parlamenti Studentor i UP-së njoftoi më 11.11.2024 se menaxhmenti i UP-së ka plotësuar kërkesën e tyre për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve.