Policia gjermane ilustrim: Pixaby
Gjermania ndalon shoqatën “Muslim Interaktiv”, bastisen disa prona
Autoritetet gjermane kanë ndaluar shoqatën Muslim Interaktiv, duke e akuzuar për aktivitete antikushtetuese me thirrjen për krijimin e një kalifati, dhe të mërkurën herët (05.11.2025) kanë bastisur dy grupe të tjera islamike për shkaqe të ngjashme, ka raportuar Reuters.
Shtatë prona janë bastisur në Hamburg që nga mëngjesi i hershëm dhe 12 të tjera në Berlin dhe në shtetin Hesen si pjesë e hetimeve paraprake ndaj shoqatave “Generation Islam” dhe “Realitaet Islam”, ka njoftuar Ministria e Brendshme federale nëpërmjet një deklarate.
Sipas ndalimit, “Muslim Interaktiv”, themeluar më 2020, e cila organizon demonstrata dhe është aktive në kanale të ndryshme të mediave sociale, do të shpërbëhet dhe asetet e saj do të konfiskohen.
Grupi tërhoqi vëmendjen kombëtare në fillim të vitit 2024 gjatë një demonstrate në Hamburg me një mijë pjesëmarrës duke bërë thirrje për krijimin e një kalifati në Gjermani.
“Ne do t’i përgjigjemi me forcën e plotë të ligjit kujtdo që bën thirrje agresive për një kalifat në rrugët tona, nxit urrejtje kundër shtetit të Izraelit dhe hebrenjve në mënyrë të patolerueshme dhe përçmon të drejtat e grave dhe pakicave”, ka thënë në një deklaratë ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com