Junikasit protestojnë kundër ndërtimit të hidrocentralit në lumin Erenik
Qytetarët e Junikut sot kanë protestuar para objektit të Komunës kundër dëmtimit të lumit Erenik dhe ndërtimit të hidrocentralit.
Kjo protestë është organizuar nga Komuna e Junikut, Shoqëria Civile, Organizatat e dala nga Lufta dhe bizneset lokale të kësaj komune.
“Sot para komunës së Junikut u mbajt protesta gjithë qytetare e organizuar nga Komuna e Junikut, Shoqëria Civile, Organizatat e dala nga Lufta dhe bizneset lokale për të kundërshtuar vendimin e kundërligjshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe KRU “Gjakova”, në kundërshtim me ligjin e Republikës së Kosovës për ujëra, ligjin për mbrojtje të mjedisit dhe natyrës dhe kundër ligjit për Parkun Nacional Bjeshkët e Nemuna. Junikasit nuk i mohojnë askujt furnizimin me ujë të pijes duke ofruar dhe zgjedhje alternative, mirëpo jo duke dëmtuar kundërligjshëm ekosistemin dhe trashëgiminë tonë natyrore me veprime me dëme të pariparueshme”, thuhet në njoftimin e Komunës së Junikut.
Banorët junikas kanë dorëzuar te kryetari i Këshillit ndërministror dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, peticionin me titull “Ta Mbrojmë Erenikun”.
Para banorëve të Junikut, banorët e Pejës kishin protestuar kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Lumbardh.
