Vrasja në 'Cobra City'– Pas kërkesës së avokatit ndërpritet seanca gjyqësore ndaj Dibran Hoxhës edhe të tjerëve
Dibran Hoxha, i njohur me nofkën “Kobra”, është ulur përsëri në bankën e të akuzuarve sot më 05.09.2025 për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë Speciale të cilat rëndojnë ndaj tij.
Dibran Hoxha po akuzohet për veprën penale – vrasje e rëndë ndaj viktimës V. C. dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa katër të akuzuarit e tjerë, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badallaj po akuzohen për pjesëmarrje në rrahje, për manipulim me prova, dhe për armëmbajtje pa leje.
Në fillim të seancës gjyqësore, gjyqtari Kujtim Krasniqi tha se meqenëse janë deklaruar palët për të gjitha propozimet, janë administruar të gjitha provat materiale edhe janë dëgjuar të gjithë dëshmitarët i njëjti bëri të ditur se seanca e sotme do vazhdoj me mbrojtjen e të akuzuarit Dibran Hoxha.
Mirëpo avokati Florent Latifaj tha se i mbrojturi i tij nuk është i gatshëm të vazhdoj me paraqitjen e mbrojtjes në seancën e sotme, andaj i njëjti kërkoi nga gjykata që i mbrojturi i tij të deklarohet në seancën e radhës.
“Propozoj që këtë seancë mos të vazhdohet me deklarimin e të mbrojturit tim në lidhje me mbrojtjen e tij pasi që dua që edhe një herë ta takojë e të konsultohemi rreth mbrojtjes së tij ndërsa propozoj që të ndryshohet radha e nëse është i gatshëm ndonjëri nga të akuzuarit e tjerë që ta paraqes mbrojtjen sot.” – tha Latifaj.
Kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi i pyeti edhe mbrojtësit e tjerë nëse janë të gatshëm sot që ndonjëri nga të akuzuarit të paraqes mbrojtjen e tij.
Mirëpo edhe të gjithë avokatët e tjerë deklaruan se nuk janë të gatshëm sot që të mbrojturit e tyre me vazhdu me paraqitjen e mbrojtjes.
Prokurorja Speciale, Habibe Salihi tha se me qëllim të respektimit të drejtave ligjore dhe kushtetuese nuk e kundërshton propozimin për shtyrjen e kësaj seance në mënyrë që të njëjtit të përgatisin mbrojtjen e tyre.
Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Emrush Kastrati deklaroi se e mbështet mendimin e Prokurores,Habibe Salihi.
Andaj edhe trupi gjykues mori aktvendim dhe e aprovoi propozimin e avokatit Florent Latifaj.
Po ashtu paraprakisht në fillim të seancës gjyqësore kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi bëri të ditur se avokati Florent Latifaj kishte propozuar rikonstruktimin e vendit të ngjarjes mirëpo ky propozim në seancën e sotme u refuzua nga trupi gjykues.
“Refuzohet propozimi i avokatit Florent Latifaj që të dilet në rikonstruktimin e vendit të ngjarjes në rrethanat e propozuara për shkak se gjykata vlerëson se rikonstruktimi i vendit të ngjarjes mund të bëhet vetëm në rrethana specifike kur ekzistojnë paqartësi në lidhje me pozicionin e të akuzuarve në rastin konkret me të akuzuarit.”- tha gjyqtari Kujtim Krasniqi.
“Po ashtu duke pas parasysh që vend ngjarjes është e domosdoshme që të sigurohen edhe të jenë prezent edhe dëshmitarët okular e duke pas parasysh që këta dëshmitarë është e pamundur që të sigurohen gjykata vlerëson se është e pamundur që të bëhet rikonstruktimi i vendit të ngjarjes dhe ka vendos që ky propozim të refuzohet.” – tha tutje gjyqtari Krasniqi.
Kjo çështje penale është duke u trajtuar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga Trupi Gjykues, i përbërë nga gjyqtarët: Kujtim Krasniqi (Kryetar i Trupit Gjykues), Ngadhnjim Arrni e Vesel Ismaili (anëtarë).
Kujtojmë se në Shqyrtimin fillestar të mbajtur më 07.03.2024 të akuzuarit nuk e kishin pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë.
Dosja e Prokurorisë
Dibran Hoxha po akuzohet për vrasjen e rëndë të viktimës V.C., më 03.01.2023, në afërsi të lokalit të të akuzuarit “Cobra City”, në Prizren.
Sipas Aktakuzës, vrasja ka ndodhur për motive të ulëta të demonstrimit të forcës së paskrupullt, për të gjithë ata të cilët e kundërshtojnë atë.
Dosja thotë se deri te vrasja çoi një faturë e lartë në lokal, që rezultoi me rrahje mes punëtorëve të lokalit dhe viktimës e të dëmtuarve, Rutgen Tsvyatkova dhe Arben Basha. Këta të fundit, sipas Dosjes, kanë hyrë në veturë për t’u larguar, por në atë kohë arrin Dibran Hoxha – Kobra, i cili ishte njoftuar për ngjarjen.
Në Dosje thuhet se vetura me viktimën ka qenë duke u nisur dhe në atë moment Dibran Hoxha e ka hapur derën e shoferit, ku me pistoletë e ka goditur të dëmtuarin Rutgen Tsvyatkova.
Dosja thotë më pas se i akuzuari Hoxhaj ka shtënë edhe katër herë, me ç’rast ka goditur viktimën V.C., i cili ka qenë ulur në pjesën e pasme të makinës dhe i cili rrugës për në Spital kishte ndërruar jetë.
Për këtë Prokuroria e ngarkon me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Roland Susuri dhe Burim Mazreku akuzohen për “manipulim me prova”. Po ashtu, Roland Susuri, Jesmir Badallaj dhe Arben Vezaj akuzohen për “pjesëmarrje në rrahje”. Ndërsa, Roland Susuri dhe Jesmir Badallaj akuzohen edhe për “armëmbajtje pa leje”.
Raportimet e KALLXO.com për këtë rast i gjeni në këtë link.