Versioni i gjyqtarëve të Trupit Gjykues, në rastin ku avokati Hamdi Jashari akuzohet se kërkoi 8 mijë euro për të ndikuar te këta gjyqtarë
Në gjykimin ndaj të akuzuarit Hamdi Jashari, i akuzuar për veprën penale “ushtrimi i ndikimit”, në seancën e së premtes, më 11.04.2025, kanë dhënë dëshminë dy dëshmitarë.
I akuzuari Hamdi Jashari, nga Prokuroria po akuzohet se në cilësinë e avokatit mbrojtës ka kërkuar dhe pranuar në mënyrë direkte shumën 8 mijë euro, me qëllim të ushtrimit të ndikimit në vendimmarrjen e Kolegjit Shqyrtues për ekstradimin e klientit të tij.
Fillimisht e dha dëshminë dëshmitari Aziz Sheqiri, i cili kishte qenë pjesë e Kolegjit Penal në lëndën ku e kishte pasur një çështje të ekstradimit për personin e kërkuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut, A.A.
Aziz Sheqiri tha se A.A. e kishte mbrojtur i akuzuari i cili gjendet në sallë, avokati Hamdi Jashari dhe në këtë çështje Kryetar i Kolegjit kishte qenë Naser Maliqi, si gjyqtar dhe anëtar i Kolegjit, ai dhe Veli Kryeziu. Pasi që Kryetari i Kolegjit Penal i kishte njoftuar anëtarët me Dosjen e lëndës dhe kishte caktuar seancë në të cilën kishin marrë pjesë, ishin ulur për të vendosur për çështjen e ekstradimit.
“Duke pasur parasysh Dispozitat pozitive të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështje penale, Marrëveshje dypalëshe me shkrim mes dy shteteve të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke qenë në dijeni se Konventa Evropiane për Ekstradim nuk është pjesë përbërëse e sistemit tonë juridik për arsye se të njëjtën nuk e kemi konfirmu për shkak të kërkesave përkatëse ligjore, mirëpo praktikat e Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut, të cilat Kryetari i Kolegjit i ka nxjerrë nga interneti, kemi ardhur në përfundim që plotësohen kushtet ligjore që personi në fjalë A.A., si shtetas i Republikës së Kosovës, nuk mund të ekstradohet, andaj edhe kemi refuzuar edhe Kërkesën në fjalë.” – tha dëshmitari Aziz Sheqiri.
Gjatë dëshmisë së tij Aziz Sheqiri tha se raportet e tij me të akuzuarin Jashari kanë qenë vetëm kolegiale dhe lidhur me këtë çështje nuk kishte biseduar as me të akuzuarin, as me askënd tjetër, përveç me Kryetarin dhe anëtarin e Kolegjit.
“Jam njoftuar nga gjyqtari Veli Kryeziu dhe pasi ky rast ka dalë në media kam bisedu me gjyqtarin Kryeziu, dhe pastaj gjyqtari Veli më ka njoftuar lidhur me përmbajtjen e videoincizimit, dhe pastaj gjyqtari Veli e ka paraqitur rastin te organet kompetente.” – tha dëshmitari Sheqiri.
Tutje, seanca vazhdoi me dëshminë e dëshmitarit të dytë Naser Maliqi. Dëshmitari Naser Maliqi kishte qenë Kryetar i Kolegjit Penal në lëndën ku e kishte pasur një çështje të ekstradimit për personin e kërkuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut A.A.
Maliqi tha se fillimisht në këtë çështje e kishin pranu kërkesën për paraburgim nga Prokuroria në Gjilan për të dëmtuarin A.A., e kishin caktu paraburgimin, pastaj kishin mbajtur seancën dëgjimore për ekstradimin lidhur me këtë dhe se në këtë rast ishte refuzu Kërkesa për ekstradim, e kjo kishte ndodhur dy apo tre herë.
“A.A. e ka mbrojtur avokati Hamdi Jashari. Raportet e mia me avokatin Hamdi Jashari kanë qenë të atij lloji që nëse e kam takuar në rrugë jemi përshëndetur. Jashtë seance asnjëherë nuk kemi bisedu me avokatin Hamdi Jashari, lidhur me rastin për A.A.” – tha dëshmitari Maliqi.
Naser Maliqi tha se i akuzuari Hamdi Jashari nuk kishte qenë në zyrën e tij para se të lirohej nga paraburgimit klienti i tij A.A. Ai tha se për këtë kishte dëgjuar për herë të parë në Prokurori dhe në Prokurori kishte shikuar 1 apo 2 incizime, ku shihej një telefon duke komunikuar dikush me Hamdi Jasharin.
“Në videoincizim avokati thekson se ka qenë te ti e ka bisedu për këtë çështje. A ka qenë?” – e pyeti prokurori Bashkim Zeqaj.
“Nuk ka qenë. Zakonisht Prokuroria kërkesat për paraburgim i sjell në momentin e fundit dhe ne në pamundësi me i dërgu ftesa palëve, sekretarja i fton me telefon dhe avokatët deri atë moment nuk janë pajisur me Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, dhe ndodh që mbrojtësit vijnë para seance dhe i marrin ato shkresat, në këtë aspekt avokati Hamdi Jashari ka mundur të vijë t’i marrë shkresat.” – tha dëshmitari Maliqi.
Seanca e sotme u ndërpre pasi nuk ishte i pranishëm dëshmitari Eljmi Ajruli, ndërsa e radhës lidhur me këtë çështje penale është caktuar të mbahet gjatë muajit qershor 2025.
Kjo çështje penale po trajtohet Departamentin e Krimeve të Rënda, në përbërje të Trupit Gjykues: Naser Foniqi (Kryetar i Trupit Gjykues), Fatime Dermaku dhe Ertan Sejfulla (anëtarë).
Aktakuza është duke u përfaqësuar nga prokurori Bashkim Zeqaj.
Kujtojmë se në seancën e datës 23.01.2024 i akuzuari Hamdi Jashari ishte deklaruar i pafajshëm kundrejt akuzave që rëndojnë për të.
Dosja e Prokurorisë
Sipas Aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari në cilësinë e avokatit mbrojtës ka kërkuar e pranuar në mënyrë direkte shumën prej 8 mijë euro, me qëllim “të ushtrimit të ndikimit” në vendimmarrjen e Kolegjit Shqyrtues, për ekstradimin e klientit të tij.
Dosja thotë se vepra është kryer në periudhën kohore, prej 25 majit deri më 2 qershor të vitit 2022.
Jashari, sipas Aktakuzës, duke qenë avokat mbrojtës i të dënuarit e të kërkuarit për vrasje A.A., për të cilin ka pasur Kërkesë për ekstradim nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka pranuar shumën e lartcekur nga vëllai i klientit të tij.
Këtë shumë, siç thuhet në Aktakuzë, Jashari ka pasur për qëllim t’ia japë Kolegjit të Gjyqtarëve, të cilët kishin për të vendosur për ekstradimin e të mbrojturit A.A., në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i Jasharit sipas Prokurorisë ka qenë ushtrimi i ndikimit, në mënyrë që Kërkesa për ekstradim të refuzohej.
Sipas Aktakuzës, ky Kolegj përbëhej nga gjyqtarët e Gjykatës së Gjilanit: Naser Maliqi, Aziz Shaqiri dhe Veli Kryeziu.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës, pas zhvillimit të hetimeve preliminare kishin arrestuar avokatin Jashari pasi dyshohet se ka kryer veprën e tillë.
Sipas versionit të të akuzuarit të dhënë në Prokurori shuma e kërkuar prej familjarëve të klientit ka qenë për raste të mëhershme gjyqësore, për të cilat A.A. nuk i ka përmbushur obligimet financiare.
I akuzuari Jashari i cilësoi si “tejet armiqësore” raportet me gjyqtarin Veli Kryeziu.
Prokuroria këto veprime i ka kualifikuar me veprën penale “ushtrim i ndikimit”.
Sipas Kodit Penal kushdo që dënohet për një vepër të tillë mund të dënohet prej 6 (gjashtë) muaj deri në 8 (tetë) vjet burgim.
Raportimet e tjera lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.