I akuzuari Naim Murseli në seancë gjyqësore (04.06.2025), Foto: KALLXO.com
Vrasja e Liridona Ademajt, gjykimi vazhdon me rrëfimet e dëshmitarëve
Tre të akuzuarit në lidhje me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë konsiderohet si dorasi, kanë dalë edhe një herë para Gjykatës së Prishtinës.
Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023 në ora 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Sipas Prokurorisë, dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.
Gjykimi ndaj të akuzuarve është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve, në seancën e dats 10.10.2025 është duke dhënë dëshminë e tij Florian Avdija, i cili po përballet me pyetjet e prokurores Javorka Perliçeviq.
Dëshmitari ka deklaruar se ka një kafiteri ne fshatin Cërmjan dhe se të tre të akzuarit i ka bashkëfshatarë.
Në seancën e datës 06.10.2025 kanë dhënë dëshminë lidhur me këtë rast katër dëshmitarë, përfshirë eksperti mjekoligjor i cili ka dhënë detaje rreth raportit të autopsisë që i ka bërë trupit të së ndjerës pas vrasjes.
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Fatime Dermaku (kryetare e trupit gjykues), Gent Beka dhe Alban Ajvazi (anëtarë).
Më 31.01.2025 Naim Murseli nuk e kishte pranuar fajësinë lidhur me akuzën për vrasjen e Liridona Ademajt. Kurse, Kushtrim Kokalla nuk kishte pranuar të deklarohet pa u këshilluar me avokatin e tij, Ndrecë Dodajn.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla janë personat të cilët tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë nën dyshimin për organizimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje që u regjistrua më 29.11.2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
I akuzuar në këtë rast është edhe Tom Dodaj, i cili akuzohet që shiti armën me të cilën u krye vrasja e Liridona Ademajt. Ky i fundit në shqyrtim fillestar më 31.01.2025 kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë nga Prokuroria.
Dodaj nga Gjykata e Prishtinës për këtë vepër penale është dënuar me 5 vjet dënim me burgim dhe me 5,000 euro dënim me gjobë.
KALLXO.com ka arritur që të sigurojë aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurorja Javorka Perlinçeviq. Kjo e fundit madje në një konferencë që u thirr nga kryeprokurori Zejnullah Gashi tha se vonesa e aktakuzës është si shkak i disa dokumenteve dhe kërkesave që ka kërkuar nga Suedia, për të zbardhur motivin që qëndroi mbrapa vrasjes.
Prokurorja e rastit ka përshkruar se Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve – siç përshkruhet edhe në Aktakuzë – kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.
Gjithmonë sipas aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitojë dobi financiare.
Këtë plan dosja e përshkruan se Naim Murseli e ndau me familjarin e tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryejë vrasjen, por tutje ka gjetur personin e tretë, Granit Plavën, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin.
Gjithmonë sipas dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blenë një armë të tipit “Zastava”, me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.
E, në të njëjtën ditë dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin ku paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar që e kanë inskenuar që të duket si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.
Në dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës, më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava. E, që tutje Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale të vrasjes së rëndë.
I pandehuri i dytë është Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë në ditën kritike në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Muselin, Dosja përshkruan se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ka vdekur. E, për të gjithë këtë rast Plava do të kompensohej me një shumë prej 30,000 eurosh.
Sipas dosjes së Prokurorisë Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe të njëjtën e ka qëlluar me armë, derisa krahun viktimës po ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.
Arma që ishte përdorur në rast ishte gjetur në shtëpinë e tashmë të akuzuarit Granit Plavës, në fshatin Cermjan në Gjakovë. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes, që u krye në shtëpinë e të dyshuarit.
Plava nga Prokuroria ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “posedim i armës pa leje”.
I akuzuari i tretë është Kushtrim Kokalla, familjar i Naim Murselit. Dosja tregon se Kokalla kishte refuzuar të kryente vrasjen, por që më pas kishte gjetur Granit Plavën dhe i kishte prezantuar Naim Murselit.
Edhe Kokalla ngarkohet me veprën penale “vrasje e rëndë”. E, i pandehuri i katërt në këtë rast është Tom Dodaj. Ai po ngarkohet për “furnizim me armë” të tre të dyshuarve të parë, të cilët planifikuan dhe kryen vrasjen.
Tom Dodaj për veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga Gjykata e Prishtinës është dënuar me 5 vjet “dënim me burgim” dhe me 5,000 euro “dënim me gjobë”.
Raportimet e tjera, lidhur me këtë rast, mund t’i gjeni këtu.