Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, Foto; Inspektorati Qendror i Punës/Facebook
Kryeinspektori i Punës dhe zyrtari tjetër lirohen nga masa e arrestit shtëpiak
Kryeinspektorit i Inspektoriatit të Punës, Hekuran Nikçi dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në po këtë institucion, Naim Shalaku, janë liruar nga masa e arrestit shtëpiak.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak në çështjen penale ndaj të pandehurve H.N. dhe N.SH., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka marr vendim dhe ka refuzuar kërkesën e PTHP-në, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak, me ç’rast është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve H.N. dhe N.SH., të njëjtit janë liruar menjëherë për t’u mbrojtur në liri” – thuhet në përgjigjen e zëdhënës së Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi, më 04.04.2025.
Hekuran Nikçi po dyshohet për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës” dhe “përdorim i paautorizuar i pasurisë.”
Ndërsa, i dyshuari Naim Shalaku për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.
KALLXO.COM më 27.02.2025 ka raportuar se Kryeinspektori i Inspektoriatit të Punës, Hekuran Nikçi dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në po këtë institucion, Naim Shalaku, ishin ndaluar për 48 orë, me urdhër të prokurorit.
Gjykata e Prishtinës më 01.03.2025 e kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj Nikçit dhe ushtruesit të detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në po këtë institucion, Naim Shalakut.