Ndërpritet seanca ndaj Pantiq dhe Zariq të akuzuar për krime lufte në Komunën e Istogut
Në Gjykatën e Prishtinës ishte paraparë të mbahej seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq edhe Zharko Zariq ku do të vazhdohej me dëgjimin e dëshmitarit Nexhmedin Pepaj.
Sipas Aktakuzës, Momir Pantiq, ish-Kryeshefi i Stacionit Policor në Istog dhe ish-polici Zharko Zariq, akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale: “krime lufte kundër popullsisë civile”.
Mirëpo kjo seancë është ndërprerë pas kërkesës së avokatit Millosh Delleviq, i cili është mbrojtësi i të akuzuarit Momir Pantiq, pasi i njëjti tha se nuk janë pajisur më të gjitha shkresat e lëndës.
“I nderuar gjyqtar siç e dini edhe ju vet edhe pse unë moti e kom dorëzu autorizimin lidhur me këtë lëndë që unë nuk kam marr pjesë në mënyrë aktive në mbrojtjen e Momir Pantiq akoma nuk i kam marrë të gjitha shkresat nga kolegu Vllajiq do ta lusja gjykatën për një shtyerje të shkurt ashtu që të përgatitem për marrjen në pyetje”– tha avokati Millosh Delleviq.
Avokatin Delleviq e përkrahu edhe avokati Dejan Vasiq, i cili është mbrojtësi i Zharko Zariq.
Gjyqtari Valon Kurtaj bëri të ditur se me datë 05.06.2025 Gjykata ka pranuar emailin nga avokati Nebojsha Vllajiq i cili e kishte njoftuar gjykatën se tërhiqet prej autorizimit të tij.
“Gjykata njofton mbrojtën se me datë 05.06.2025 gjykata ka pranu njoftim email nga Nebojsha Vllajiq që tërhiqet prej autorizimit që i bjen më shumë se 10 ditë që mund konsiderohet kohë e mjaftueshme nëse mbrojtja i ka pas shkresat mu përgatit të paktën për deklaratën e këtij dëshmitari, po ashtu shqyrtimi gjyqësorë për faktin që i jepet mundësia në kohë mbrojtjes që mu përgatit për parashtrimin e pyetjeve pas parashtrimit pyetjeve Prokurorisë”– tha gjyqtari Valon Kurtaj.
Kurtaj e pyeti avokatin Millosh Delleviq se a i ka pranu shkresat e lëndës e Nebojsha Vllajiq a ka pas kohë m`u përgatit për marrjen në pyetje të këtij dëshmitari.
“I nderuar gjyqtar nuk janë shumë problem shkresat e lëndës të cilat gjinden te z.Vllajiq më shumë ka qenë problem që unë nuk kam marrë pjesë në seancën e kaluar, procesverbalin e seancës së kaluar e kam pranu dje rreth orës 11:30 ku kam mendu në atë procesverbal të shkoj te i mbrojturi im që me u përgatit për seancën e sotme kjo është arsyeja kryesore pse nuk jam i gatshëm për seancën e sotme. Pra është sepse përkthimin e atij procesverbali e kam pranu dje rreth orës 11:30”- tha avokati Delleviq.
“Jam konsulltu me mbrojturin unë sot ja kom dorëzu atij procesverbalin e përkthimit nga seanca e kaluar e po ashtu sot kom vërtetu se ai sot për herë parë e ka shiku deklaratën e këtij dëshmitari edhe më ka thënë se s’ka fare shkresa lëndës përveç aktakuzës”– tha tutje avokati Delleviq gjatë seancës së sotme.
Po ashtu i njëjti tha se nuk janë të përgatitur për ta marrur në pyetje këtë dëshmitar.
Gjyqtari Valon Kurtaj e ndërpreu seancën e sotme ndërsa të radhës e caktoi për muajin Korrik 2025.
Trupi Gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga: Valon Kurtaj (Kryetar), Arben Hoti dhe Kushtrim Shyti (anëtarë).
Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë?
Sipas Aktakuzës së 1 shtatorit 2024 të pandehurit, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, akuzohen se gjatë viteve 1998-1999 në territorin e Komunës së Istogut, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, vepruan në shkelje të rëndë të rregullave të së drejtës ndërkombëtare.
Sipas Aktakuzës Momir Pantiq nën përgjegjësinë individuale dhe përgjegjësinë komanduese si Kryeshef i Stacionit Policor në Istog ka kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar në Komunën e Istogut.
I pandehuri Zharko Zariq akuzohet se në cilësinë e policit të Stacionit Policor në Istog dhe si ekzekutues i urdhrave ka kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës shqiptare në Komunën e Istogut.
Aktakuzën voluminoze për këtë rast mund ta gjeni këtu.
Po ashtu të gjitha raportimet e tjera lidhur me këtë rast mund ti gjeni në këtë LINK.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-Kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.
Nikolla Shainoviq, Zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Dragolub Ojdaniq, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Nebojsha Pavkoviq, ish-Komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Vlladimir Llazareviq, ish-Komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Sreten Llukiq, ish-Shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në këtë link: https://www.icty.org/x/cases/milutinovic/acjug/en/140123.pdf