Zgjedhjet lokale, në shtator fillon regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta
Në muajin shtator 2025 do të fillojë regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta, për zgjedhjet lokale të 12.10.2025.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se do të angazhohen ekipe mobile në secilën komunë të Kosovës gjatë ditës së zgjedhjeve.
“Regjistrimi dhe evidentimi i votuesve me nevoja të veçanta do të bëhet në bashkëpunim me institucione relevante dhe përmes platformës eletronike, e cila do të jetë e qasshme në kohën e fillimit të këtij procesi” – thuhet mes tjerash në njoftimin e KQZ-së.
Tri kategori të votuesve me nevoja të veçanta janë sipas KQZ-së.
Nga 7 shtatori deri më 7 tetor 2025 do të regjistrohen votuesit të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për votuar në vendvotime për shkak të paaftësisë fizike, shëndetësore ose çfarëdo paaftësie tjetër.
“Regjistrimi i këtyre votuesve mund të bëhet përmes platformës elektronike ose fizikisht në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është votuesi” – thuhet tutje në njoftim.
Në kategorinë e dytë janë votuesit me lëvizje të kufizuar në ndonjë institucion si: votuesit në hospitalizim, njerëzit e moshuar në shtëpitë e caktuara për të moshuarit, personat në trajtim në institucionet e shëndetit mendor, të burgosurit në burgje dhe të paraburgosurit në qendrat e paraburgimit.
Kjo kategori e votuesve do të regjistrohet dhe evidentohet nga 15 shtatori deri më 2 tetor.
“Votuesit me lëvizje të kufiziuar në institucione dhe të evidentuar prej tyre konsiderohen si votues të regjistruar, ndërkaq votuesit që ndodhen në institucione të hospitalizimit, shtëpitë e të moshuarëve dhe strehimoret për mbrojtjen e viktimave, mund të regjistrohen edhe individulisht përmes platformës elektornike” – thuhet tutje në njoftimin e KQZ-së.
Regjistrimi për kategorinë e tretë do të fillojë më 7 shtator dhe përfundon më 7 tetor 2025.
Kategoria e tretë janë votuesit në rrethana të veçanta që për shkaqe sigurie janë në arrest shtëpiak dhe nuk mund të votojnë në vendvotimin e caktuar.
“Registrimi i votuesve që për shkaqe sigurie nuk mund të votojnë në vendvotim bëhet përmes platfomës elektronike të KQZ-së si dhe duke kërkuar asistimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është votuesi, ndërkaq, KQZ në bashkëpunim me institucionet përkatëse bën evidentimin e qytetarëve me të drejtë vote që ndodhen nën masën e arrestit shtëpiak” – përfundon njoftimi.