Universiteti britanik ndërpreu hulumtimin për të drejtat e njeriut pas presionit nga Kina
Një universitet britanik ka vepruar përkitazi me kërkesën e Pekinit që të ndërpriste zbardhjen e abuzimeve të të drejtave të njeriut në Kinë, duke bërë që të hiqej dorë prej njërit prej projekteve më të mëdha, ka raportuar të hënën (01.11.2025) ekskluzivisht gazeta britanike, “The Guardian”.
Në shkurt, Universiteti Sheffield Hallam, pjesë e të cilit është Qendra për Hulumtime Ndërkombëtare, “Helena Kennedy” (HKC), institucit i njohur kërkimesh i përqendruar në të drejtat e njeriut, urdhëroi njërën prej profesorëve të tij më të njohur, Laura Murphy, që të hiqte dorë prej hulumtimit për zinxhirët e furnizimit dhe punës së detyruar në Kinë.
Veprimtaria e Murphyt fokusohet te ujgurët, pakicë e persekutuar myslimane në Kinë, të cilët përfshihen në programet e punës së detyruar. Hulumtimi i saj, dhe i kolegëve të saj në HKC, është cituar gjerësisht prej qeverive perëndimore dhe prej ONB-së, dhe ka ndihmuar formësimin e politikave të disajnuara për të spikatur prodhimet prej punës së detyruar nga zinzhirët ndërkombëtarë të furnizimit. Qeveria kineze ka hedhur poshtë akuzat për punë të detyruar, dhe thekson se programet për punën e ujgurëve kanë synim luftimin e varfërisë.
Murphyt i ishte thënë në shkurt se puna e saj për Kinën, e përshkruar më parë prej universitetit si “inovative”, duhej të ndalej. Uebfaqja për Laboratorin e Punës së Detyruar, ekipi i vogël i kërkuesve i Murphyt në hKC, është çaktivizuar – megjithëse shumë prej raporteve vazhdojnë të mbesin të qasshëm në pjesë më të pak të dukshme të akrivit universitar.
Në tetor, universiteti tha se po e tërhiqte ndalimin e punës së Murphyt në Kinë dhe për punën e detyruar, dhe do të këronte falje.
Por ndalimi tetëmujor – dhe heqja dorë prej hulumtimeve të mëparshme – ka spikatur efektin e frikshëm që presioni nga autoritetet kineze mund të ketë në universitetet e Mbretërisë së Bashkuar.
“Përgjigja ime e parë ishte huti”, ka thënë Murphy. Universiteti i kishte thënë asaj se kombinimi i çështjeve administrative nënkuptonte se nuk mund ta mbështesnin më punën e saj. Por hetimet e mëtejshme sugjeruan se universiteti “po e shkëmbente në mënyrë të qartë lirinë time akademike për qasje në tregun studentor kinez”, ka thënë Murphy, gjë që ishte “vërtet tronditëse”. Universiteti mohon se vendimi ishte bazuar në interesa komerciale.
Udhëzimi për Murphyn që të hiqte dorë prej kërkimit erdhi gjashtë muaj pasi universiteti do të vendoste të linte mënjanë një raport të planifikuar mbi rrezikun e punës së detyruar të ujgurëve në zinxhirin e furnizimit me minerale kritike dhe t’ia kthente fondet e lidhura me atë kërkim dhuruesit fillestar, Global Rights Compliance (GRC), fondacion ligjor jofitimprurës me seli në Hagë. GRC-ja përfundimisht e ka publikuar kërkimin në qershor.
“Është problem që Sheffield Hallam nuk e publikon më këtë kërkim”, ka deklaruar Lara Strangways, drejtuesja e biznesit dhe e të drejtave të njeriut në GRC. “Padyshim që do të ngriheshin pyetje se pse erdhëm në përfundimin për publikimin e tij”.
Në tetor, pas kërcënimeve për veprime ligjore nga Murphy për shkeljen e lirisë së saj akademike, Sheffield Hallam hoqi kufizimet. Por Murphy ka theksuar se vazhdon të jetë “e kujdesshme”.
“Nuk jam e qartë në këtë pikë nëse universiteti është i përgatitur të jetë aq mbështetës sa më parë”, ka thënë ajo.
Vendimi për ndaljen e këkrimit të Murphyt duket se u mor nga një numër faktorësh. Zyrtarisht, universiteti dha dy arsye: shqetësimin për sigurinë e stafit në Kinë dhe faktin se, pasi u padit nga një kompani kineze e përmendur në një nga raportet e HKC-së, ofruesi i sigurimeve të universitetit ka thënë se nuk do të mbulonte më punën e prodhuar nga HKC-ja për rrezikun e shpifjes. Kjo padi është në proces shqyrtimi gjyqësor.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com