KOMF
Trupi i pajetë i foshnjës së porsalindur - KOMF: Kjo ngjarje tragjike është një alarm i rëndë për shoqërinë
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka reaguar pasi pranë një deponie të mbeturinave në Prishtinë u gjet trupi i pajetë i një foshnje të porsalindur.
Sipas KOMF “kjo ngjarje tragjike është një alarm i rëndë dhe i dhimbshëm për gjithë shoqërinë tonë, institucionet përgjegjëse dhe sistemin e mbrojtjes së fëmijëve.”
“Asnjë foshnje, asnjë fëmijë, nuk duhet të lindë në rrethana të pasigurta, dhe mbi të gjitha, nuk duhet të përfundojë në këtë mënyrë të tmerrshme” – thekson organizata.
“KOMF bën thirrje për: Hetim të plotë, të shpejtë dhe transparent nga organet e rendit për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, identifikimin e përgjegjësve dhe marrjen e dënimeve sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Vlerësim të funksionimit të mekanizmave parandalues për identifikimin dhe mbështetjen e nënave në situatë të rëndë sociale apo psikologjike, veçanërisht nënave të reja që mund të jenë të pambështetura dhe të painformuara për ndihmën që mund të marrin.”- thuhet në reagimin e KONF.
Tutje, koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve kërkon fuqizim të masave parandaluese, përmes ofrimit të shërbimeve psiko-sociale, programeve të prindërimit, mbështetjes për shëndetin mendor dhe fushatave të ndërgjegjësimit që promovojnë dinjitetin dhe jetën e çdo fëmije dhe angazhim të menjëhershëm të institucioneve të mbrojtjes sociale, shëndetësore dhe të drejtësisë për të siguruar që asnjë rast i ngjashëm të mos përsëritet.
Më 19.05.2025, Policia e Kosovës njoftoi se është raportuar se një foshnje e porsalindur është gjetur në një qese të zezë afër një vendi ku hidhen mbeturinat në rrugën “Qëndresa” në Prishtinë.
Prokuroria në Prishtinë ka konfirmuar për KALLXO.com se lidhur me rastin është duke i marrë të gjitha veprimet hetimore.
https://kallxo.com/lajm/prokuroria-jemi-duke-e-hetuar-rastin-e-foshnjes-se-porsalindur-te-gjetur-ne-nje-qese-te-zeze-afer-deponise-se-mbeturinave/