"Thaçi vepronte si udhëheqës politik, nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake" - Përmbledhje e dëshmisë së James Rubin në Gjykatën Speciale
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 13 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 14 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 15 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 16 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 17 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 18 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 19 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 20 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 21 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Në sallën e Gjykatës Speciale, në Hagë, ku për krime lufte po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot, më 15.09.2025, u paraqit dëshmitari i parë i mbrojtjes, zyrtari i lartë amerikan, James Rubin.
Ish-ndihmës sekretari i Shtetit i SHBA-së dëshmoi në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
James Rubin e nisi dëshminë e tij, duke folur për takimet e tij me Hashim Thaçin. Fillimisht e kujtoi si djalë të ri e më pas si kryeministër i Kosovës, gjë që e kishte befasuar.
“Kam pasur ndërveprim me Hashim Thaçin, pas vitit 2000. Mbase nuk më kujtohen të gjitha, por më kujtohet takimi i parë – ai ishte një djalë i ri dhe e kam takuar në një kohë të vështirë, nuk kishte funksion apo pushtet” – tha James Rubin.
Më pas Rubin përmendi takimin në New York, në një restorant, dhe Thaçi në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.
“Dhe herën e parë jemi takuar pas publikimit të këtij artikulli (pas vitit 2000) në New York kur ishte bërë kryeministër. Erdhi në një restorant si kryeministër, dhe unë u befasova nga kjo gjë sepse kishte kaluar nga një djalë i ri që punonte në rrethana të vështira, befasisht ishte bërë kryeministër” – kujtoi James Rubin.
Diplomati amerikan në fillim të dëshmisë kujtoi edhe takimin e fundit mes tyre.
“Hera e fundit duhet të ketë qenë rreth vitit 2018 – 2019, kur po punoja në Uashington dhe ai ishte president i Kosovës” – bëri të ditur Rubin.
Rubin tha se atëkohë kishte një kontratë lobimi me Qeverinë e Kosovës për të arritur paqe me Serbinë.
Ai shtoi se përpjekjet e tyre synonin të sillnin paqe mes Kosovës dhe Serbisë dhe të siguronin njohje të ndërsjellë mes dy vendeve.
“Pikërisht këtë synova në punën time me të – t’i jepnim fund konfliktit, të sillnim paqe e stabilitet në rajon dhe të arrihej njohja e Kosovës dhe njohja e Serbisë si dy shtete të pavarura, që jetojnë në paqe dhe siguri. Ky do të ishte një përfundim i bukur i një historie mjaft të dhimbshme” – theksoi zyrtari i lartë amerikan.
Më pas, dëshmia e James Rubin u orientua kryesisht në takimet e tij dhe ndërveprimet me Hashim Thaçin gjatë Konferences së Rambujesë. Në atë kohë, ai tha se nuk kishte shumë njohuri për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e as për Thaçin.
“Nuk kishim takuar asnjë udhëheqës të UÇK-së. Nuk e njihnim UÇK-në, në mendjen tonë ishte diçka shumë e vogël, që nuk kuptohej mirë, nuk ishte forcë e armatosur e rëndësishme. Kur dëgjuam se udhëheqësi i delegacionit ishte nga UÇK-ja, Albright po përpiqej të arrinte paqe në Rambuje, dhe për të ndalur luftën duhet të motivohen ata që kanë rol ushtarak” – u shpreh Rubin.
Ish-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, në dëshminë e tij në Hagë ka rrëfyer për takimin e parë mes tij dhe në atë kohë kryesuesit të delegacionit kosovar, Hashim Thaçit, në Konferencën e Rambujesë.
Rubin tha se Thaçi e kishte njohur atë përmes paraqitjeve të tij televizive, meqë ishte zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
“Më kujtohet takimi i parë që më duket ishte ai që ju përmendët. Dhe më kujtohet që ai më njohu menjëherë përmes televizionit, sepse isha zëdhënës i DASH. Pra ai më njohu. Kur dikush të njihte, shtrëngojnë duart, japin sinjale fizike. Sekretarja Albright e vërejti këtë gjë. Ajo ishte shumë e zonja në raportet njerëzore. Më tha: “Bisedo me të, njihu me të!” Donim të dinim kush ishte udhëheqës i delegacionit. Gjatë dy javëve u përpoqa të rri me të, të kaloj kohë, u takuam në vende ku hanim, pija ndonjë cigare, ecnim bashkë. Në atë kohë Hashim Thaçi nuk fliste anglisht dhe kur dikush nuk flet në atë raport, përdorej gjuha e trupit. Në nivel diplomatik kishim përkthyes.” – kujtoi James Rubin.
Diplomati amerikan tha se gjatë Konferencës së Rambujesë Thaçi i shprehu shqetësimet e tij se nuk kishte autoritet për të nënshkruar marrëveshjen në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rubin tha se Hashim Thaçi ishte në presion nga komandantët e UÇK-së.
“Thaçi tha se i vinte keq, por përgjigjja e tij ishte jo” – sqaroi Rubin.
Ish-ndihmës Sekretari amerikan tha se qëllimi i negociatave ishte të gjendej një kompromis, pa bërë deklarata specifike për pavarësinë e Kosovës.
Por, nënshkrimi i një deklarate, pa “pavarësinë”, sipas Thaçit do të konsiderohej tradhti.
“Ai më sqaroi se nuk ishte përgjegjës për këtë. Ishte personi që po komunikonte me ne sepse kishte rol politik në UÇK por jo udhëheqës, nuk kishte kompetenca, autoritet. Ishte pasqyrim i një lëvizjeje. Ata donin të konfirmohej se do të realizohej pavarësia. Po të nënshkruante pa fjalën pavarësi, do të quhej tradhtar” – tha në dëshminë e tij në Hagë James Rubin.
James Rubin foli për disa persona të cilët i cilësoi si ekstremistë. Sipas Rubin, këta persona kërkonin vetëm pavarësinë. Me keto qëndrime, sipas zyrtarit të lartë amerikan, ata po rrezikonin jetën e miliona civilëve shqiptarë.
“Kjo ka qenë situata më e vështirë që më kujtohet mua, fati i 1 milion personave ishte në fjalë. Nëse kosovarët do ta përqafonin Perëndimin, Perëndimi do të ishte pro tyre. Ndryshe do të kishte masakra, edhe ne kishim parashikuar masakra me vdekjen e mijëra personave. Kjo krijoi një situatë të tensionuar. Ai nuk kishte autoritet e as mundësi të diktonte asgjë. Ai duhet ta merrte lejen prej tyre. Nuk ishte në gjendje të diktonte rregulla e kushte. Atij i duhej të komunikonte me persona të tjerë. Kishte persona që unë u thosha ekstremistë, i donin të gjitha, të vendosnin në rrezik gjithë popullin e tyre. Kishte persona që ishin më praktikë siç ishte Thaçi. Ne e bindëm delegacionin shqiptar dhe u thamë fillimisht – shpëtoni njerëzit” -theksoi mes tjerash Rubin.
Angazhimi i James Rubinit, ish-ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, nuk përfundoi me përmbylljen e Konferencës së Rambujesë.
Diplomati amerikan erdhi në Kosovë në qershor të vitit 1999, kësaj here për ta bindur Hashim Thaçin të nënshkruante marrëveshjen e demilitarizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në atë kohë, lufta ishte drejt fundit, gjenerali britanik Mike Jackson, po planifikonte tërheqjen e forcave serbe nga territori i Kosovës dhe negocionte me komandantët e UÇK-së në terren. Ai ishte komandant i KFOR. Europa, Shtetet e Bashkuara ishin te unifikuara që të kishte një forcë të unifikuar. Jackson thoshte që unë dua të vendos forcat e mia në zona të lejuara. Kjo do të thoshte që të demilitarizohej UÇK-ja. Sipas pikëpamjes sonë, ne mendonim se UÇK-ja ishte lojtar i vogël dhe ne duhet të ndihmonim të demilitarizohej UÇK-ja dhe kishim takime me komandant në terren” – tha Rubin.
Ai rrëfeu për bisedimet që kishte pasur me Thaçin në atë kohë.
“Andaj unë shkova për të takuar, qe ta ndihmoj Mike Jackson dhe të sigurohem se Hashim Thaçi ta nënshkruajë marrëveshjen. Kam qëndruar në Shkup, dhe çdo mëngjes dërgohesha në male për t’u takuar me Hashim Thaçin dhe komandantët e UÇK-së. Këto ishin negociata të pazakonta, për shkak te vendimmarrjes se palës tjetër. Ne duhet të sqaronim të gjitha pikëpamjet e vendeve anëtare të NATO-s. Dhe kishim këtë strukturën e UÇK-së që nuk e kuptonim. Ishte një strukturë jo mirë e organizuar. Ne po kërkonim demilitarizimin e UÇK-së. Forcat britanike kishin punuar me UÇK-në” – theksoi James Rubin.
Sipas Rubin, Thaçi pranoi ta nënshkruante dhe kjo ishte një marrëveshje mes UÇK-së dhe NATO-s.
Zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, vazhdoi dëshminë e tij, duke u marrë në pyetje edhe nga avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon.
Rubin foli për ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.
Rubin tha se qëllimi ishte të mbroheshin civilët dhe të parandalohej përsëritja e asaj çka kishte ndodhur në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Na shqetësonin shume raportet që merrnim se si vriteshin veç pse ishin shqiptarë të Kosovës. Kjo ngjasonte me situatën në Bosnje. Shihnim se po shfaqej e njëjta politikë. Kjo na bëri që të reagojmë. Ne nuk donim që të përsëritej tmerri i Bosnjës në Kosovë. Ky ishte qëllimi i politikës tonë” – tha Rubin.
Ai tha se politika ishte e qartë, animi kah viktimat.
“Donim të ishim në anën e viktimave. Ata, jo vetëm që ishin të shtypur, por po masakroheshin” – sqaroi Rubin.
Zyrtari i lartë amerikan foli edhe për kontaktet që i kishte pasur me Jakup Krasniqin.
Shtoi se me ish-zëdhënësin e UÇK-së kontaktet kanë qenë minimale.
“Bashkëbiseduesi im kryesor ishte Hashim Thaçi” – u përgjigj shkurt James Rubin.
Më vonë gjatë dëshmisë Rubin përmendi një takim me Krasniqin në prill të vitit 1999 në Bruksel, duke e përshkruar si një moment të vështirë.
Ai tha se Krasniqi kërkonte masa që nuk mund të ndërmerreshin aso kohe, si dërgimi i trupave tokësore në Kosovë, për t’u kujdesur për sigurinë e civilëve.
“Dërgimi i trupave do të thoshte se Clinton do të duhej të ndryshonte politikën e tij për të mos dërguar trupa tokësore” – tha Rubin.
Rubin foli edhe për pretendimet që e lidhnin katërshen e UÇK-së me ekzekutime dhe vrasje. Rubin tha se ngjashëm sikurse për Thaçin, nuk ishte hasur në asnjë informacion që e lidhte Krasniqin me këto pretendime.
“Kam pyetur të gjithë ata që mund të kishin informacione për këto pretendime, jo vetëm në vitet 2000, por edhe më vonë. Por, rreth 25 vite pasi jam larguar nga qeveria, kam pyetur të gjithë ata që mund të kishin pasur informacion lidhur me këto pretendime, dhe jo vetëm në vitet 2000, por edhe dekada më vonë kur miqtë e mi kishin mundësi të më japin informacion, asnjëherë nuk më kanë dhënë informacion për këto pretendime”.
Rubin tha se ekstremistët brenda UÇK-së rrezikonin jetën popullatës civile, ndërsa “të moderuarit si Krasniqi e Thaçi synonin nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë. “Qëllim i tyre ishte mbështetja e Perëndimit dhe mbrojtja e civilëve”.
Diplomati amerikan u pyet edhe për komunikimet që Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright kishte pasur me Hashim Thaçin.
Ai u pyet nëse i kujtohej që ish-sekretarja i kishte thënë Thaçit se do të mbante përgjegjësi penale për krimet që mund të kryheshin në Kosovë, pas hyrjes së KFOR-it.
“Jo, nuk më kujtohet” – u përgjigj shkurt James Rubin.
Sipas zyrtarit amerikan, Albright i kishte kërkuar Thaçit të tregonte tolerancë dhe të bënte çmos që edhe populli i tij të ishte tolerant, ndërsa drejtësia do të kujdesej për përgjegjësinë individuale të atyre që kryen dhunë.
Gjatë dëshmisë së tij, James Rubin, përmendi dhe një tjetër figurë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rubin tha se në vitin 1999 kishte kuptuar për kontaktet e CIA-s me Ramush Haradinajn.
Sipas tij, CIA dhe Ramush Haradinaj ishin në kontakt prej vitesh.
“Këtë e kam mësuar vetëm në ’99-tën, por në atë kohë mësova se kjo ka ndodhur edhe në ’98-ën. E di që Gelbard ishte takuar me UÇK-në dhe mësova në ’99-tën kur shkova vetë në Kosovë dhe takova shefin e CIA dhe gjithë punonjësit e CIA, atëherë mësova për marrëdhëniet e tyre me Haradinajn dhe e di që kishte vite që kishin qenë në kontakt me njëri-tjetrin”.
James Rubin foli edhe për ndërmjetësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në Rambuje, Christopher Hill.
Ai tha se Hill kishte bërë përpjekje të dëmtonte figurën e tij.
“Christopher Hill kishte njëanshmëri që e vëreja gjatë gjithë kohës së tij si udhëheqës – njëanshmëri në favor të LDK-së dhe kundër UÇK-së. Unë nuk kisha asnjë anshmëri dhe isha i ftuar të punoja me udhëheqësin e zgjedhur të organizatës” – tha Rubin.
Përveç figurës së tij, diplomati amerikan tha se Hill përpiqej ta dëmtonte edhe figurën e Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
“Hill po tregonte njëanshmëri, po përpiqej të më zvogëlonte rolin tim, e bëri këtë në mënyrë të përsëritur dhe po ashtu u përpoq ta zvogëlonte edhe sekretaren Albright para gazetarëve, duke pretenduar gabimisht se ajo e kishte favorizuar udhëheqësin e delegacionit të UÇK-së në Rambuje, kur në fakt ishte delegacioni shqiptar i Kosovës që e kishte zgjedhur atë si udhëheqës, dhe miratimi i tij ishte i domosdoshëm që ne të arrinim objektivat”- theksoi Rubin.
Dëshmia e James Rubin pritet të vazhdojë edhe nesër, më 16.09.2025, nga ora 09:00.
James Rubin është i pari që hapi dëshminë e mbrojtjes për ish-krerët e UÇK-së.
Rubin është një diplomat i njohur amerikan. Në vitin 1999, ai ishte i angazhuar ndërmjetës për të siguruar demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Aktakuza
Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998-shtator 1999, kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit – duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme; duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.
Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.
Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Xhek Smith i ngarkoi Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin edhe me akuzën se të njëjtit ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.
Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.
Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike e veprimeve në terren frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë e kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.
Pjesë e aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.
Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Prokurorisë, ato janë kryer në: Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.
Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.
Përpos vrasjeve në Jabllanicë, në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së, ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë net rresht, ndërsa në fund ishte vrarë.
Aktakuza pretendon tutje se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona dhe se disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë, ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.
Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas Prokurorisë, gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur e vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë kurrë më.
Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas aktakuzës, në korrik të vitit 1998, një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë, në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar e vrarë.
Në këtë aktakuzë, Prokuroria e Specializuar ka përfshirë edhe “qendrën e paraburgimit” në Kleçkë.
Në këtë lokacion – sipas Prokurorit të Specializuar – gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Sipas aktakuzës, një person tjetër kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.
Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec. Ata, sipas aktakuzës, ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre, ndërsa nuk ishin parë kurrë më.
Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërmendura – sipas Prokurorit të Specializuar – është përgjegjësia komanduese.
Më 06.12.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar për një aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit.
Për aktakuzën e re Hashim Thaçi është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.