Tentim vrasja në Gjakovë, Prokuroria ndalon për 48 orë 22-vjeçarin e dyshuar
Një person është qëlluar me armë zjarri sot rreth orës 12:30 në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë. Siç ka njoftuar Policia, gjendja e viktimës është stabile.
Prokuroria e Gjakovës ka konfirmuar se ka ndaluar për 48 orë personin A.N., i dyshuar për veprën penale – vrasje në tentativë.
Hekuran Batusha, bashkëpunëtor profesional, ka thënë për KALLXO.com se motivet lidhur me rastin ende nuk janë të qarta.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ndaluar të dyshuarin në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale – vrasje në tentativë, motivet lidhur me këtë rast ende nuk janë të qarta, ashtu që Prokurori i Shtetit është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura hetimore për zbardhjen e tërësishme të këtij rasti. Prokuroria Themelore në Gjakovë, brenda afatit ligjor, ndaj tij do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit”- ka thënë Batusha për KALLXO.com.
Policia kishte bërë të ditur se tek i dyshuari A.N., 22 vjeçar, është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë që dyshohet të jetë përdorur në rast dhe dy fishekë.
https://kallxo.com/lajm/plagosje-ne-gjakove-arrestohet-i-dyshuari/