Starmer: Racizmi po kthehet në politikën britanike dhe njerëzit janë të frikësuar
Racizmi me rrënjë disadekadëshe po kthehet në politikën britanike dhe po “i bën njerëzit të ndihen shumë të frikësuar”, ka thënë të martën (11.11.2025) kryeministri Keir Starmer, duke paralajmëruar se politika përçarëse e së djathtës ekstreme po “e shkatërron vendin tonë”, raporton gazeta londineze, “The Guardian”.
Teksa ka bashkëbiseduar me mjekun e përgjithshëm dhe personalitetin televiziv, Amir Khan, kryeministri britanik ka akuzuar partinë e Nigel Farage, “Reform UK”, duke thënë se po vëren një kthim të politikës raciste dhe përçarëse “që sinqerisht mendova se e kishim përballur dekada më parë”.
Në intervistën e cila u transmetua në emisionin e ITV-së, “Lorraine”, Starmer ka sinjalizuar se më vonë- gjatë muajit- do të hiqet në buxhet tavani i përfitimeve për dy fëmijë.
I pyetur nëse do ta hiqte kufirin të cilin organizatat bamirëse e kanë quajtur shkaktarin më të madh të varfërisë së fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar, Starmer ka deklaruar: “Mund t’ju them pa dyshim se jam i vendosur ta ulim varfërinë e fëmijëve”.
Ai ka radhitur masat që ministrat kanë prezantuar tashmë, duke përfshirë vakte falas në shkollë, klube mëngjesi dhe kujdes për fëmijët, por ama ka shtuar: “Duhet të bëjmë më shumë se kaq dhe mund t’ju shoh në sy dhe t’ju them se jam personalisht i përkushtuar për uljen e varfërisë së fëmijëve”.
Rachel Reeves, kancelaria e Thesarit, ka sinjalizuar qartazi ngjashëm të hënën kur i tha radios BBC se “në fund të fundit, një fëmijë nuk duhet të penalizohet sepse prindërit e tij nuk kanë shumë para”.
Starmer ka theksuar ndarja politike në Mbretërinë e Bashkuar tani është ndërmjet “ripërtëritjes kombëtare patriotike” të Partisë Laburiste dhe “ndarjes toksike të Reformës” dhe të tjerëve të së djathtës politike që po “e shkatërrojnë vendin tonë”.
“Disa nga retorikat që po dëgjojmë – retorika raciste, retorika përçarëse – që sinqerisht mendoja se i kishim përballur dekada më parë po kthehen në politikë dhe kjo i bën njerëzit të ndihen shumë të frikësuar”, ka paralajmëruar ai.
“Ne duhet t’i kundërvihemi këtij racizmi, asaj ndarjeje dhe duhet të themi me krenari se të jesh britanik do të thotë të kesh merakun për të tjerët, të jesh i arsyeshëm, të jesh tolerant dhe i dhembshur, dhe ne jemi krenarë për këtë”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com