Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Sindikata e RTK-së konfirmon protestën më 6 gusht, paralajmëron bojkot të mbulimit të ngjarjeve politike
Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të RTK-së (SPERTK) ka konfirmuar se më 06.08.2025 do të fillojë protesta e tyre, pasi as të martën, më 29.07.2025, buxheti për gjashtëmujorin e dytë të RTK-së nuk është alokuar.
Ky njoftim i SPERTK-së vjen katër ditë pasi paralajmërimit se do të ketë protesta nëse deri më 05.09.2025 nuk paguhen punëtorët e RTK-së.
Sindikata konsideron se kjo situatë ka vendosur funksionimin e transmetuesit publik në një rrezik real dhe të paprecedent.
“Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), institucionet përkatëse kanë vazhduar me heshtje dhe neglizhencë, duke lënë punëtorët pa siguri dhe RTK-në në prag të kolapsit total. SPERTK konfirmon se protesta do të fillojë më 6 gusht 2025. Kjo protestë do të jetë fillimi i një serie veprimesh sindikale për të mbrojtur punëtorët dhe ekzistencën e RTK-së si aset publik dhe shtetëror” – thuhet në komunikatën e SPERTK-së.
Për pikat konkrete të planit të veprimit, të cilat sindikata do t’i ndjekë në vazhdim, thuhet se do të bëhen të ditura në ditën e protestës.
“SPERTK gjithashtu paralajmëron se do të nisë bojkotimin e mbulimit të ngjarjeve politike, për aq kohë sa transmetuesi publik injorohet dhe lihet pa mjete për funksionim. Për të gjithë akterët institucionalë që kanë ndikuar në krijimin e kësaj gjendjeje, Sindikata do të ndërmarrë veprime ligjore për shkelje të ligjit dhe cenim të së drejtës për pagë dhe punë” – kanë shtuar nga SPERTK.
SPERTK po ashtu i ka bërë thirrja Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Bashkimit të Sindikatave të Bashkuara të Kosovës (BSPK) si dhe të gjitha organizatave sindikale dhe të shoqërisë civile, që të bashkohen me të në këtë moment kritik, për të mbrojtur të drejtën e informimit dhe ekzistencën e vetme të mediumit publik në Kosovë.
“U bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve të RTK-së që të jenë të bashkuar dhe të përkrahin protestën me pjesëmarrje aktive dhe të përgjegjshme. Vetëm të bashkuar mund të mbrojmë të drejtat tona dhe të sigurojmë të ardhmen e transmetuesit tonë publik. SPERTK – në mbrojtje të RTK-së dhe punëtorëve të saj”- kanë thënë nga SPERTK.
Më 25.07.2025, KALLXO.com raportoi për paralajmërimin e parë të protestës nga SPERTK.
https://kallxo.com/lajm/sindikata-e-punetoreve-te-rtk-se-nese-nuk-ka-alokim-te-mjeteve-protestat-nisin-me-6-gusht/
Kurse, më 22.07.2025, KALLXO.com kishte raportuar nga konferenca për media e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, në të cilën, Gëzim Bimbashi, kryetar i kësaj Sindikate, e quajti alarmante këtë situatë dhe tha se në rast se kjo gjendje nuk përmirësohet rrezikohet funksionimi i televizionit.
Bimbashi ka thënë se si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit dhe mosveprimit të tyre RTK-ja është bllokuar, kurse nga ky bllokim nuk po mbesin pa paga deputetët dhe zyrtarët shtetërorë.
Kurse kryeministri në detyrë Albin Kurti në një konferencë për media, më 21.07.2025, kishte thënë se sipas Ligjit për Buxhet, buxheti i RTK-së ndahet sipas vendimit të Komisionit për buxhet të Kuvendit të Kosovës.
Në lidhje me çështjen e RTK-së, më 22.07.2025, ka reaguar edhe ish-kryeministri, tashmë deputet i LDK-së, Avdullah Hoti.
Ai ka shkruar në Facebook se RTK-ja nuk duhet të mbetet pa buxhet, pavarësisht se Kuvendi nuk është funksional.