Sindikata e punëtorëve të RTK-së paralajmëron protesta dhe grevë për vonesën e pagave
Sindikatа e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës, Bordit dhe menaxhmentit të RTK-së, që me urgjencë të zgjidhin çështjen e pagave të punëtorëve të transmetuesit publik.
Në të kundërtën, ata kanë paralajmëruar protesta për pagat të cilat thonë se iu garantohen me ligj.
“Aktualisht, rreth 700 familje të punëtorëve të RTK-së kanë mbetur pa të ardhura, duke u përballur me detyrime të mëdha financiare dhe vështirësi jetike.Në kohën kur në institucionet e shtetit po flitet për rritje pagash, punëtorët e RTK-së nuk i kanë marrë as pagat bazë që u takojnë ligjërisht”- thuhet në reagimin e tyre më 01.11.2025.
Përmes këtij reagimi publik, ata theksojnë se RTK është pjesë e shtetit të Kosovës, dhe punëtorët e saj janë taksapagues të rregullt të këtij vendi, prandaj, kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme institucionale për ta zgjidhur këtë situatë, të cilën e konsiderojnë si të padrejtë dhe të papranueshme.
“Nëse kërkesa jonë nuk gjen zgjidhje në një afat të shkurtër kohor, SPERTK do të nisë protestat, të cilat më pas do të pasohet nga greva e përgjithshme, përfshirë bojkotimin e çdo ngjarjeje publike që zhvillohet në vendin tonë.Kjo gjendje është e patolerueshme dhe ka mundur të parandalohet me një planifikim të përgjegjshëm institucional”- thuhet ndër të tjera në reagim.
Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) po përballen me vonesa të pagave për shkak të mosmiratimit të buxhetit.
Ata edhe më 06.08.2025 protestuan para Kuvendit të Kosovës për shkak të mosalokimit të buxhetit për RTK-në dhe mungesën e pagave për 700 punonjësit e mediumit publik.
https://kallxo.com/lajm/gjendja-e-krijuar-ne-rtk-sindikata-alarmon-se-po-rrezikohet-funksionimi-i-transmetuesit-publik/
Sipas Ligjit për ndarjen e mjeteve buxhetore për vitin 2025, RTK-së i ishin ndarë 8.9 milionë euro për 2025 – shumë kjo e cila do të duhej t’i transferohej RTK-së, një pjesë në janar dhe pjesa tjetër në muajin korrik me miratim të Komisionit për Buxhet dhe Financa.
Më 21.08.2025 ushtruesi i detyrës së drejtorit të Radiotelevizionit të Kosovës, Hysen Hundozi, kishte njoftuar se ekzekutimi i pagave për punonjësit e RTK-së do të bëhej më 22.08.2025. Hundozi kishte njoftuar se kanë nënshkruar marrëveshjen për huadhënie me Ministrinë e Financave.
“Të nderuar kolegë, sapo e nënshkruam Marrëveshjen për huadhënie me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve. Pagat ekzekutohen nesër,, më 22 Gusht 2025. Ju faleminderit për besimin dhe mirëkuptimin tuaj”- kishte shkruar ai më 21.08.2025.
https://kallxo.com/lajm/hundozi-pagat-punetoreve-te-rtk-se-u-dalin-te-premten/
Qeveria në detyrë e Kosovës e kishte miratuar në parim kërkesën për huamarrje deri në 2,540,000 euro të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për qëllime të likuiditetit të transmetuesit publik.
Më 30.10.2025 është mbajtur mbledhja e parë e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
“Kuvendi duhet ta marr përgjegjësinë në raport me situatën. Buxheti për RTK-në, është e papranueshme për ne që punëtorët e RTK-së të mbesin pa paga, me një kontribut të vogël të deputetëve kjo gjendje do mund të anashkalohej. Pastaj Buxheti për Prishtinën, Gjilanin dhe Zubin Potokun dhe Buxheti i Kosovës për vitin 2026”.
Ndërkaq, më 31.10.2025, Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar Projektligjin e buxhetit për vitin 2026. Ky buxhet do të jetë 4 miliardë euro.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila më 31.10.2025, ka mbajtur një takim konsultativ me përfaqësuesit e partive politike, ka thënë se “ka propozuar që t’i procedojë vetë në Kuvend, Planin e Rritjes, buxhetin për RTK-në dhe zgjatjen buxhetore”.