SHBA-ja pritet t’i reduktojë fluturimet në 40 aeroporte nëse vazhdon mbyllja qeveritare
Administrata amerikane e presidentit Donald Trump ka bërë të ditur se do të shkurtojë 10 % të trafikut ajror në 40 aeroportet më të ngarkuara të vendit në një hap që analistët thonë se do të detyronte aviokompanitë të anulonin mijëra fluturime derisa administrata po mundohet t’ua mbushë mendjen demokratëve që t’i jepet fund mbylljes qeveritare, raporton gazeta “The Times”.
Sekretari i Transportit, Sean Duffy, ka thënë se reduktimet janë përpjekje për të devijuar presionin drejt kontrollorëve të trafikut ajror, të cilët kanë punuar pa kompensim prej nisjes së mbylljes qeveritare dhe nuk janë paguar për punën e tyre prej mesit të tetorit. Ai ka thënë se administrata do të bëjë të ditur tregjet e prekura, derisa vendi po i afrohet pikut të fluturimeve për shkak të festave të fundvitit.
Shkurtimet do të nisin të kenë efekt prej të premtes, duke detyruar potencialisht qindra e mijëra udhëtarë të ndryshojnë planet për udhëtime në ditët e ardhshme, derisa kompanitë ajrore janë nën presion për shkak të kapacitetit të kufizuar. Përfaqësuesit e kompanive më të mëdha amerikane të fluturimeve dhe “Airlines for America”, shoqatë tregtare, kanë thënë se po punojnë me Administraën Federale të Aviacionit, por ende nuk janë bërë ndryshime.
Kaosi në sistemin kombëtar të fluturimeve, me të cilin funksionojnë përditë miliona qytetarë, është pritur se do të jetë në mesin e aspekteve me efektet më të mëdha për shkak të mbylljes qeveritare. Megjithëse mbyllja ka hyrë në ditën e 37-të, sistemi ishte mbajtur goxha mirë deri tani, por ka pasur shenja se gjendja do të rëndohet me kalimin e kohës.
Administrata ka bërë të ditur se sistemi ishte i ngarkuar edhe para nisjes së mbylljes më të gjatë në histori për shkak se punëtorët detyroheshin të punoni më shumë se normalisht për të mbuluar punën për të cilën kërkoheshin edhe tre mijë punëtorë shtesë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com