Foto: Donald J. Trump / Facebook
Reuters: Administrata Trump shqyrton zgjerimin e listës së kufizimeve të udhëtimit për 36 shtete të tjera
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e zgjerimit të theksueshëm të kufizimeve të udhëtimit për qytetarët e 36 vendeve të tjera shtesë – bëhet e ditur në një dokument të brendshëm të Departamentit të Shtetit, që e ka parë agjencia e lajmeve Reuters.
Në fillim të muajit Presidenti republikan nënshkroi proklamatën me të cilën ua ndalonte hyrjen në territorin amerikan shtetasve të 12 vendeve – duke theksuar se lëvizja ishte e domosdoshme për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga “terroristët e huaj” dhe nga kërcënimet e tjera për sigurinë kombëtare.
Direktiva ishte pjesë e fushatës shtypëse ndaj emigrantëve ilegalë, që Trump e ka nisur sivjet me të marrë mandatin e dytë presidencial. Kjo fushatë ka përfshirë riatdhesimin e qindra venezuelasve të dyshuar në El Salvador, me pretendimin se ishin gangsterë droge, si dhe ka anuluar regjistrimin e disa studentëve të huaj në Universitetet amerikane. Disa studentë edhe janë riatdhesuar në vendet e prejardhjes.
Shqetësimet
Në një kabllogram të brendshëm të nënshkruar nga sekretari i Shtetit Marco Rubio shpalosen shqetësimet e ngritura lidhur me vendet e caktuara dhe janë kërkuar masa korrektuese.
“Departamenti ka identifikuar 36 vende shqetësuese që mund të rekomandohen për pezullim të plotë, ose të pjesshëm të hyrjes – nëse nuk përmbushin standardet dhe kërkesat e përcaktuara brenda 60 ditëve.” – thuhet në kabllogramin e dërguar gjatë fundjavës.
Kabllogrami u raportua për herë të parë nga gazeta “Washington Post”.
Në mesin e shqetësimeve që ka ngritur Departamenti i Shtetit është mungesa e një Qeverie kompetente ose bashkëpunuese nga disa prej vendeve të përmendura, për të prodhuar dokumente identiteti të besueshme – thuhej në kabllogram. Një tjetër është “siguria e dyshimtë” e pasaportës së atij vendi.
Disa shtete – thuhet në kabllogram – nuk ishin bashkëpunuese në lehtësimin e largimit të shtetasve të tyre nga Shtetet e Bashkuara, të cilëve u ishte urdhëruar të largoheshin. Disa shtetas vendesh të caktuara po qëndronin më gjatë se vizat amerikane që u jepeshin.
Arsye tjetër për shqetësim është fakti se shtetasit e vendeve të listuara janë të përfshirë në akte terrorizmi në Shtetet e Bashkuara, ose në aktivitete antisemite dhe antiamerikane.
Kabllogrami ka spikatur njashtu se jo të gjitha këto shqetësime lidhen me çdo vend të listuar.
“Ne po rivlerësojmë vazhdimisht politikat për të siguruar sigurinë e amerikanëve dhe që shtetasit e huaj të zbatojnë ligjet tona.” – ka theksuar një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, duke refuzuar të komentojë mbi diskutimet dhe komunikimet specifike të brendshme.
“Departamenti i Shtetit është i përkushtuar për të mbrojtur kombin tonë dhe qytetarët e tij duke mbështetur standardet më të larta të Sigurisë kombëtare dhe Sigurisë publike përmes procesit tonë të vizave.” – ka thënë zyrtari.
Lista e shteteve
Vendet që mund të përballen me ndalim të plotë, ose të pjesshëm, nëse nuk i adresojnë këto shqetësime brenda 60 ditëve të ardhshme janë: Angola, Antigua dhe Barbuda, Benini, Butani, Burkina Faso, Kepi i Gjelbër, Kamboxhia, Kameruni, Bregu i Fildishtë, Republika Demokratike e Kongos, Xhibuti, Dominika, Etiopia, Egjipti, Gaboni, Gambia, Gana, Kirgizia, Liberia, Malavi, Mauritania, Nigeri, Nigeria, Shën Kits dhe Nevis, Shën Lusia, Sao Tome dhe Principe, Senegali, Sudani i Jugut, Siria, Tanzania, Tonga, Tuvalu, Uganda, Vanuatu, Zambia dhe Zimbabveja.
Ky do të ishte një zgjerim i konsiderueshëm i ndalimit që hyri në fuqi në fillim të këtij muaji. Vendeve që iu ndalua më parë hyrja janë: Afganistani, Birmania, Çadi, Republika e Kongos, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Haiti, Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni.
Hyrja e personave nga shtatë vende të tjera – Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Togo, Turkmenistani dhe Venezuela – është kufizuar gjithashtu pjesërisht.
Gjatë mandatit të parë në detyrë presidenti Trump njoftoi një ndalim për udhëtarët nga 7 vende me shumicë myslimane – një politikë që kaloi nëpër disa sfida përpara se të mbështetej nga Gjykata e Lartë në vitin 2018.
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com