Rasti "Banjska" - Një polic dhe një roje hoteli dëshmojnë lidhur me sulmin terrorist
Seanca gjyqësore për rastin “Banjska”, ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, ka vazhduar me dëgjimin e dy dëshmitarëve: njëri polic që kishte marrë pjesë direkt në vendin e ngjarjes, kurse tjetri një banor i fshatit Banjskë, që në kohën kur ka ndodhur sulmi terrorist më 24.09.2023 ka qenë si rojtar në një Hotel në këtë fshat.
Halim Behramaj i cili mban pozitën e hetuesit të trafikut në rajonin e Mitrovicës ka thënë në Gjykatë se rreth orës 02:00 të natës, përmes radiolidhjes kishin marrë një informacion se në fshatin Banjskë është vendosur një barrikadë.
Ai ka treguar se me disa prej kolegëve të tij – përfshirë edhe rreshterin e vrarë Afrim Bunjaku – kishte shkuar në vendin ku ishte dhënë informacioni për bllokadë.
Me të zbritur nga veturat, që disa ishin të vendosura më afër barrikadave të kamionëve, e vetura me të cilin ai kishte shkuar te vendi i ngjarjes ishte diku rreth 30 metra larg barrikadës kishin ndarë pozicionet mes vete.
Sipas njërit prej dëshmitarëve Elez Peci, koleg i tij, ka thënë se duhet pasur kujdes mos ishte ndonjë kurth.
Dëshmitari rrëfeu se kishin vërejtur që ndriçimi në fshatin Banjskë ishte i fikur, kurse vendi ku ishin duke qëndruar ata ishte shumë i lartë. Më pas, ai foli rreth momentit kur kishin dëgjuar shpërthimin e parë, që kishte pasuar me të shtëna të shumta të armëve nga kalibra më të ndryshëm.
“Posa kemi filluar me u shpërnda menjëherë u dëgjua një shpërthim i madh. Policët që kanë qenë më afër barrikadës janë barrikaduar afër barrikadës aty, ndërsa unë dhe Avni Shala jemi kthy mbrapa, mbrapa veturës tonë dhe jemi barrikadu mbrapa veturës tonë si mburojë në të njëjtën kohë ka pasë të shtëna me armë të ndryshme, menjëherë e kemi kuptu që kemi të bëjmë me një grup kriminal.” – tha Behramaj.
Ai tha se gjatë tërë karrierës së tij 21-vjeçare, sa herë që ishin përballur me grupe kriminale, lëvizjet e tyre kishin qenë që të shtinin dhe të zmbrapseshin, kurse në rastin e Banjskës kishte ndodhur krejt e kundërta, kishin gjuajtur, por nuk ishin zmbrapsur asnjëherë.
Pasi ka përfunduar dëshminë hetuesi policor, radha i ka ardhur Rade Nedeljkoviqit, i cili është banor i fshatit Banjskë, i cili ka punuar si sigurim në një prej Hoteleve në atë fshat.
Ai tha se atë natë kishin ardhur persona të armatosur e të uniformuar për ta lënë një prej pjesëtarëve të tyre për të pushuar në Hotel, pasi ishte i plagosur.
Paraprakisht dëshmitari Nedeljkoviq tha se kishte parë në terasën e Hotelit një grup tjetër të armatosur e të maskuar të cilëve iu kishte thënë që të largoheshin nga aty, pasi sipas tij nga shkëmbimi i armëve të zjarrit me Policinë do të mund të dëmtohej dikush tjetër.
Dëshmitari shtoi tutje se grupi i dytë që e kishte sjellë pjesëtarin e tyre të plagosur në Hotel kishin ardhur nga dera e pasme e Hotelit, por që nuk kishte pasur guxim t’i ndalonte pasi kishin qenë të armatosur. Ai ka mohuar ta ketë njohur ndonjërin prej atyre personave.
Nedeljkoviq shtoi tutje se në Hotel kishte ardhur nganjëherë edhe Milan Radoiçiq.
“Edhe nëse vinte, vinte pak si më ndryshe.” – tha ai.
Tutje, dëshmitari u pyet nga prokurori special Naim Abazi se a e kishte idenë se kush e ka kryer sulmin terrorist në fshatin Banjskë.
“Po ai vetë e ka pranuar (Milan Radoiçiq). Çfarëdo që mendoj unë, ai vetë e ka pranuar. Ai e ka marrë përgjegjësinë mbi vete. Unë tjetër sen nuk di, por ka mundësi.” – tha dëshmitari.
Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq, në Shqyrtimin kryesor më 17.04.2025 nuk e pranuan fajësinë, lidhur me veprat penale që u vihen në barrë.
Në këtë rast ishin dëgjuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kishin intervenuar në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, kur edhe kishte filluar sulmi terrorist nga grupi i cili udhëhiqej nga Milan Radojqiç.
42 të dyshuarit, e më pas të akuzuarit, nga Prokuroria Speciale (PSRK), lidhur me sulmin terrorist më 24.09.2023 në “Banjskë”, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku nuk do gjykohen në mungesë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 se kanë ngritur Aktakuzë për 45 persona, për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Naim Abazi, Prokurori i Speciales, i cili udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-tës tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.
Abazi në një Konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.
Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1,266 armë e pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje.” – tha Prokurori.
Tutje ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme, duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave, si dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitetet kriminale nga ana e të akuzuarve.