Raport: Komuniteti LGBTIQ+ u shënjestrua nga politikanë gjatë fushatës së fundit elektorale
Organizata joqeveritare “Sekhmet”, e cila merret me fuqizimin e komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë, ka lansuar raportet hulumtuese që trajtojnë çështjet e përfaqësimit dhe diskursit ndaj personave LGBTIQ+ në kontekstin politik dhe mediatik të zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë.
Në raportin “Narrativa kundër personave LGBTIQ+ në media gjatë fushatës zgjedhore” u theksua se në fushatën për zgjedhjet e fundit parlamentare që janë mbajtur në shkurt 2025, ky komunitet u sulmua më shumë se kurrë më parë, madje edhe një parti ishte krijuar me qëllim të kundërshtimit dhe avancimit të të drejtave të tyre.
Albanoi Retkoceri, një nga autorët e raportit, përmendi disa nga mesazhet e përçuara kundër këtij komuniteti gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas tij, partitë me agjenda konservatore si Koalicioni për Familje dhe SDU, përdorën gjuhë të drejtëpërdrejtë përjashtuese, me terma si ‘degjenerim’, ‘anomali’ dhe ‘marrëzi’.
Raporti thekson se narrativat më të shpeshta kanë qenë mbrojtja e ‘familjes tradicionale’ si armë politike.
“Martesa burrë me burrë është marrëzi’ – ishin shprehur nga subjekti Koalicioni për Familje në një tubim në Pejë.
“Ne do të krijojmë ministri për familje. Familja është e shenjtë”- ishte deklaruar kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një tubim zgjedhor.
Në raport potencohet se edhe media në shumë raste u bë platformë për normalizim të këtyre qëndrimeve.
Gjuha e urrejtjes ka qenë e pranishme dhe shpesh nuk është sfiduar nga moderatorët.
“RTK e ka ndalu transmetimin e një spoti zgjedhor të Koalicionit për Familjen që ka bartur gjuhë të urrejtjes”- u shpreh Retkoceri.
Dardan Hoti, drejtues i organizatës “Sekhmet Institute” u shpreh se mediat u japin hapësirë politikanëve të shpërndajnë gjuhë të urrejtjes.
“Mediat po u japin hapësirë deputetëve që shpërndajnë gjuhë urrejtjeje, derisa nuk i jepet hapësirë shoqërisë civile që dinë të flasin për këtë punë. Mediat duhet të kuptojnë që me persona të tillë e dëmtojnë shoqërinë”- u shpreh ai.
Kreshnik Gashi, kryeredaktor i KALLXO.com, u shpreh se rezultatet e zgjedhjeve na tregojnë se nuk jemi shoqëri shumë homofobike, por që duhet punuar shumë në parandalim të shpërndarjes së këtij diskursi.
“Rezultatet na tregojnë se si shoqëri nuk jemi shumë homofobike, kemi një komunitet jo shumë të madh në krahasim me vende tjera ku kauza si kjo kanë sjellë parti në pushtet dhe ne duhet të shfrytëzojmë momentumin sepse edhe ana tjetër po punon në diskursin e tyre”- tha ai.
Aktivisti nga Partia Socialdemokrate (PSD), Nol Nushi, deklaroi se janë edhe emisionet televizive që u japin hapësirë personave të tillë të shpërndajnë gjuhë të urrejtjes. Derisa, sipas tij, Koalicioni për Familjen edhe pse nuk hyri në Parlament tërhoqi politikanë në diskursin konservator.
“Lista për Familjen ka arritur t’i tërheqë partitë në diskursin konservator, edhe pse nuk arriti të hyjë në Parlament”- u shpreh ai.
Derisa, Kreshnik Gashi shtoi se shumë media në Kosovë varen nga reklamues, i cili potencialisht mund të jetë ekstremist apo që përkrah këto kauza.
“Në media është punuar shumë që të eliminohet gjuha e urrejtjes ndaj komunitetit LGBTIQ+. Cilësia në media duhet të avancohet dhe shtohet. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka konstatuar që partitë janë ato që kanë shpërndarë gjuhë urrejtjeje e jo mediat. E partitë nuk i kanë fshirë përmbajtjet që kanë gjuhë të urrejtjes”- shtoi Gashi.
Derisa, një aktiviste për të drejta të këtij komuniteti u shpreh se në fushatën e fundit është shpalosur shumëçka në mënyrë agresive, duke i vënë komunitetet në qendër të ndasive politike.
“Jemi gjetur në një situatë ku ne jemi bërë momentum apo çështja e ndasisë politike-ku një parti në mënyrë ekskluzive është themeluar vetëm kundër këtij komuniteti, që mendoj se është e rrezikshme. Zgjedhjet e këtij viti e kanë nxjerrë në pah një realitet që nuk e kam pritur edhe pse e kemi ditë si shoqëri’- u shpreh ajo.
Sipas saj, ajo lloj fushate “krijoi një lloj frike në shoqëri”.
https://kallxo.com/lajm/raport-programet-e-partive-nuk-qartesojne-perfaqesimin-e-personave-lgbtiq/?fbclid=IwY2xjawL4VUJleHRuA2FlbQIxMQBicmlkETFxYzBhanpkM3FFTFBqOHFoAR4nzec7iFbuVKdrNL4xwjHzvEKLjFRy1S3VPAAZHiw6ei4MJMRdRB2F8_K2MA_aem_gsGPdM5tgkLa9omgWmx8AQ