Qytetari referohet për trajtim jashtë vendit por thotë se nuk po arrin t'i sigurojë profaturat që kërkohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore
Bashkim Baftiri nga Kaçaniku po kërkon shërim për sëmundjen e tij. Baftirin Klinika e Ortopedisë e ka referuar për shërim jashtë vendit për shkak të mungesës së kapaciteteve për trajtimin e tij në QKUK.
Ai është referuar jashtë vendit për shërimin e infeksionit që ai e ka në pjesën e fundshpinës por që në institucionet publike në Kosovë nuk ka zgjidhje.
“Plagën e kam në zonën e kukave, unë tash kam ardhë në Klinikën e Ortopedisë për të kërkuar shërim tash e 4 muaj. Ma kanë këqyr plagën përmes CD-ve, as nuk ma kanë këqyrë. Këta më kanë thënë që nuk po mundem me i ndal zot plagës edhe më kanë thënë me shku jashtë shtetit”- tha ai.
Në tetor të këtij viti, Kolegjiumi Profesional në Klinikën e Ortopedisë ka referuar Baftirin për trajtim në një qendër jashtë vendit për shkak të mungesës së resurseve humane dhe teknike në Klinikën e Ortopedisë.
Por Baftiri për KALLXO.com thotë se nuk po arrin t`i siguroj profaturat të cilat kërkohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për mbulimin e shpenzimeve.
Sipas Udhëzimit Administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike, pacienti duhet të siguroj tri pro fatura nga institucionet shëndetësore nga shtete të ndryshme ku mund të ofrohet shërbimi shëndetësor.
“I kam dorëzu në Ministri të Shëndetësisë. Mi kanë lyp 3 profatura, por shumë problem. Unë kam këqyrë edhe përmes familjarëve. Jam në gjendje shumë të rëndë. Këtu kam kërku ndihmë, nuk më kanë dhënë ndihmë. Kam dhimbje. Nuk kam mundësi me mjete të mia me dal jashtë. Spitalet që na kemi këqyrë na kanë thonë që pacienti duhet të shkoj atje që me i bë analizat e me këqyrë nëse ka nevojë për ndërhyrje edhe me i kry pagesat. Unë nuk kam mundësi”- tha ai.
Baftiri për KALLXO.com thotë se edhe pas referimit për jashtë vendit, ka kërkuar përsëri ndihmë në Klinikën e Ortopedisë për shkak të dhimbjeve që i ka por që nuk është pranuar nga kjo klinikë.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Xhavid Gashi, drejtor i Klinikës së Ortopedisë tha se klinika që ai drejton “trajton vetëm rastet për të cilat disponojnë kapacitete teknike dhe profesionale adekuate — kapacitete që, fatkeqësisht, mungojnë në këtë rast të veçantë”.
“Sa i përket trajtimit të dhimbjeve, të gjitha institucionet e nivelit parësor dhe dytësor janë të afta të ofrojnë menaxhimin e tyre. Klinika jonë trajton vetëm rastet për të cilat disponojmë kapacitete teknike dhe profesionale adekuate — kapacitete që, fatkeqësisht, mungojnë në këtë rast të veçantë”- tha ai.
“Pacienti Bashkim Baftiri nuk është trajtuar në Klinikën e Ortopedisë, por është ndjekur në institucione të tjera publike dhe private brenda dhe jashtë Kosovës. Ai është paraqitur në një vizitë ambulatore dhe, sipas vlerësimit të mjekut referues, është dërguar për shqyrtim në Kolegjiumin Profesional të Klinikës. Më 21.10.2025, bazuar në vendimin e Kolegjiumit Profesional, pacienti është referuar për trajtim të infeksioneve në një qendër jashtë vendit, për shkak të mungesës së resurseve humane dhe teknike në klinikën tonë”- ka thënë tutje drejtori Gashi për KALLXO.com
Ndërkaq nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore në një përgjigje për KALLXO.com në lidhje me vështirësitë e Bashkim Baftirit për sigurimin e profaturave, thotë se është për të gjitha aplikimet vlen e njëjta rregull.
“Na lejoni të ju informojmë se për të gjitha rastet/aplikimet vlejnë rregullat e njëjta/përkatëse Adminastrive konform Udhëzimit Administrativ për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike 03/2023”- kanë deklaruar nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.