Punëtorët e Postës së Kosovës mbyllin javën me grevë, menaxhmenti hesht
Punëtorët e Postës së Kosovës po e mbyllin javën e punës me grevë.
Për shkak të pakënaqësisë me nivelin e pagës dhe kushteve të punës me të cilat operojnë, ata po vazhdojnë grevën në të cilën kanë hyrë nga e hëna e kësaj jave (17.11.2025).
“Jemi në grevë që një javë gati, po kërkojmë ngritje të pagës. Inflacioni është rritë, pagat s’kanë lëvizë’- ka deklaruar punëtori i kësaj ndërmarrjeje, Bekim Pireva.
Armend Vitija, një nga punëtorët e Postës së Kosovës që po merr pjesë në grevë, thotë se pakënaqësia kryesore e punëtorëve mbetet niveli i ulët i pagave.
“Ne e kemi pagën 480 euro neto. I kemi kushtet nën nivel; nuk ka ndërmarrje që i ka kushtet më të rënda se ne. Kërkesa kryesore është ngritja e pagës”- është shprehur Vitija.
Ai thekson se kushtet e punës janë të rënda dhe se mungesa e mjeteve të duhura ka bërë që shumë punëtorë të lëndohen gjatë kryerjes së detyrës.
“Prej vitit 1959, që kur është hap Posta, nuk ka vetura adekuate. Kemi shumë kolegë që e kanë thyer krahun, këmbët apo duart, dhe nuk është ndërmarrë asgjë”- thotë Vitija.
Sipas tij, menaxhmenti i ndërmarrjes ka tentuar ta ndalojë grevën duke premtuar se rritja e pagave do të realizohet në muajt në vijim. Megjithatë, punëtorët grevistë nuk e konsiderojnë këtë premtim të besueshëm.
Ata kërkojnë një vendim zyrtar, me shkrim, nga menaxhmenti dhe deklarojnë se nuk do të ndërpresin grevën deri në marrjen e një garancie të tillë.
Lidhur me këtë, KALLXO.com ka bërë përpjekje disa herë që të marrë një përgjgije zyrtare nga menaxhmenti i Postës së Kosoës, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje.
Kjo nuk është hera e vetme që punëtorët e Postës kanë shprehur pakënaqësitë e tyre përmes grevës, për rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës.
