Foto: KALLXO.com
Protesta e OVL-UÇK, Syla për Gjykatën Speciale: Aty po synohet të rishkruhet historia jonë, kjo i lëkund themelet e shtetit
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) dhe organizatave të tjera të dala nga lufta kanë konfirmuar se gjithçka është gati për protestën që do të mbahet më 07.08.2025, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me fillim nga ora 17:00.
Kjo protestë vjen si reagim ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një konferencë për media, përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, theksoi se vendimi për organizimin e protestës është motivuar edhe nga fakti se Gjykata Speciale ka pranuar si prova materiale të sjella nga tri institucione të Serbisë, përkundër se drejtuesit e këtyre institucioneve janë dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi.
“Bëhet fjalë për tri organe shtetërore të Serbisë, të cilat me veprimtarinë e tyre kriminale kanë kryer krime dhe gjenocid mbi popullin tonë. Është e papranueshme që Gjykata Speciale t’i legjitimojë këto institucione përmes pranimit të provave nga ato”- tha Syla.
Ai ka thënë se kjo është e papranueshme dhe është motiv shtesë për të dalë në këtë protestë dhe në protesta të tjera që do të vijnë pas kësaj.
“Për të kërkuar nga faktori ndërkombëtar të mos lejojnë një gjë të tillë pasi aty po synohet të rishkruhet historia jonë, po cenohet të rishkruhet historia e shtetndërtimit tonë që e kemi ndërtuar së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, prandaj kjo i lëkund themelet e shtetit tonë”- është shprehur Syla.
Më tej, Syla gjithashtu njoftoi se gjatë protestës do të mbajnë fjalë përshëndetëse, Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së; Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së; profesoresha kroate Nevenka Tromp, si dhe të tjerë.
Syla në konferencë u ka bërë thirrje qytetarëve që t’iu bashkohen në konferencë.
“Ftojmë të gjithë qytetarët që ndajnë të njëjtin shqetësim për padrejtësitë që po u bëhen ish-bashkëluftëtarëve tanë në Hagë, të na bashkohen në këtë protestë”- shtoi ai.
Organizatorët kanë theksuar se protesta do të jetë gjithëpopullore dhe paqësore.
Përveç kundërshtimit ndaj procesit gjyqësor, protestuesit do të kërkojnë edhe formimin urgjent të institucioneve legjitime, respektimin e rendit kushtetues dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ndërprerjen e përbuzjes ndaj kategorive të dala nga lufta, përfshirë mosmbështetjen financiare, përjashtimin nga paga minimale dhe mungesën e një ligji për vlerat e UÇK-së.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur ex officio masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, krahas kërkesave të dorëzuara nga PDK dhe LDK.
Me këtë vendim të datës 24.07.2025, në rast se nuk arrihet të konstituohet Kuvendi sikur është paraparë në afatin e mëparshëm të dhënë nga kjo Gjykatë (26 korrik), Kushtetuesja ua ndalon deputetëve që ndërmjet datave 27 korrik dhe 8 gusht të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit.
Deputetët e legjislaturës së nëntë për herë të fundit u mblodhën më 26.07.2025 ditë e shtune, dita e fundit e afatit për konstituim. U mblodhën në ora 14:00 dhe në ora 22:00. Në të dy herët, Kryesuesi Avni Dehari hodhi në votim propozimin për formimin e komisionit për votim të fshehtë, në asnjërën herë komisioni nuk u vota. Me ç’rast Kuvendi i ndërpreu punimet e seancës konstituive për të respektuar masën e Gjykatës Kushtetuese dhe për të pritur vendimin e saj.
Më 28.07.2025, OVL-UÇK në një takim të përbashkët me përfaqësuesit e kategorive të dala nga lufta kanë marrë vendim për protestën që do të mbahet më 07.08.2025.
Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Aktakuza aktuale ndaj Thaçit dhe të tjerëve është dorëzuar më 27.02.2023. Sipas Aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998-shtator 1999, kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit – duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme; duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.
Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.
Për të gjitha këto krime të pretenduara prokurori Xhek Smith i ngarkoi Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin edhe me akuzën se të njëjtit ishin në dijeni, se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.
Në këtë Aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.
Sipas Prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike e veprimeve në terren frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.
Pjesë e Aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.
Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Prokurorisë ato janë kryer në: Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.
Në Aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në Kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima tjera, të cilat ishin dërguar në Kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.
Përpos vrasjeve në Jabllanicë në Aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së, ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje 10 net rresht, ndërsa në fund ishte vrarë.
Aktakuza pretendon tutje se pas një ofensive serbe forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona dhe se disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë, ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.
Aty përshkruhet edhe për 6 vrasje të kryera në Drenoc. Sipas Prokurorisë 6 burra ishin arrestuar, rrahur e vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë kurrë më.
Pjesë e Aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas Aktakuzës, në korrik të vitit 1998, një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë, në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar e vrarë.
Në këtë Aktakuzë Prokuroria e Specializuar nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe Qendrën e Paraburgimit në Kleçkë.
Në këtë lokacion – sipas Prokurorit të Specializuar – gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Sipas Aktakuzës një person tjetër kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.
Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec. Ata, sipas Aktakuzës, ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre, ndërsa nuk ishin parë kurrë më.
Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërmendura – sipas Prokurorit të Specializuar – është përgjegjësia komanduese.
Më 06.12.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar për një Aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit.
Për Aktakuzën e re Hashim Thaçi është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.
Themelimi i Gjykatës Speciale
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar më 2015 nga Kuvendi i Kosovës.
Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.
Aktualisht, në këtë institucion është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ish-deputetit Rexhep Selimit dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”.
Salih Mustafa ishte dënuar herën e parë me 26 vjet dënim me burgim për “krime lufte”, kurse Gjykata e Apelit e kishte zbritur dënimin në 22 vjet burgim.
Supremja Vendimin në fjalë ia kishte kthyer për rishqyrtim edhe një herë Gjykatës së Shkallës së Dytë në Hagë.
Herën e dytë Gjykata e Apelit nga 22 vjet dënim me burgim i kishte shqiptuar dënimin me burgim prej 15 vjetësh – dënim i cili ishte atakuar në Supreme. Ndërsa, më 26.02.2025 Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka vërtetuar dënimin me 15 vjet burgim për Salih Mustafën.
Pjetër Shala, i njohur me nofkën Komandant “Ujku”, u dënua fillimisht me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për “krime lufte”, mirëpo Shalës i është ulur dënimi nga Gjykata e Apelit nga 18 në 13 vjet dënim me burgim unik.
Raportime të tjera në lidhje me Gjykatën Speciale mund t’i lexoni KËTU.