Prokuroria Speciale
Prokuroria Speciale kërkon prova nga autoritet në Kroaci për rastin e dyshimtë të spiunazhit
Një burrë dhe një grua u arrestuan ditë më parë në Kroaci pasi të njëjtit po dyshohen për spiunazh.
Sipas mediave në Kroaci, një pilot kroat, që ishte pjesë e KFOR-it dhe e dashura e tij, serbe nga Kosova, janë prangosur nën dyshimet për spiunazh.
Prokuroria Speciale e Kosovës tashmë ka kërkuar zyrtarisht informacione nga autoritet në shtetin kroat.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi Abnorë Luta, zëdhënëse në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
“Lidhur me arrestimin e një shtetaseje të Republikës së Kosovës në Kroaci, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale është në kontakt me autoritetet përkatëse. Tashmë Prokuroria u ka dërguar kërkesë zyrtare për sigurimin e provave institucioneve të Kroacisë, në përputhje me marrëveshjet për bashkëpunim juridik ndërkombëtar. Prokuroria Speciale do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në lidhje me këtë çështje” – thuhet në përgjigje.
Sipas raportimeve të mediave në Kroaci, dyshohet se piloti kroat i kishte dhënë serbes informata mbi lëvizjet e KFOR-it përgjatë viteve, e më pas ajo ia ka përcjellë Listës Serbe.
Sipas informacioneve të portalit Jutarnji.hr, piloti kroat dhe serbja nga Mitrovica u njohën në vitin 2016 gjatë një takimi zyrtar, kur ai ndodhej në Kosovë si pjesëtar i kontingjentit kroat (HRVCON) në kuadër të KFOR-it, ndërsa ajo punonte si përkthyese për EULEX-in.
Ndërsa, portali index.hr raporton se akuzat kundër çiftit bazohen në mesazhe që hetuesit gjetën në telefonat e tyre celularë. Ndër të tjera, sipas portalit, mesazhet kishin të bënin me ngjarjet e 25 dhjetorit 2022, kur pjesëtarët e KFOR-it u sulmuan në Zubin Potok.
Sipas portalit, në atë kohë, A.M. i shkroi edhe shokut të saj të fëmijërisë, Vladimir Radivojeviq, i njohur si “Mami”, një nga përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës. Ai vjen nga Mitrovica, si ajo, por autoritetet e Kosovës e konsiderojnë atë një nga udhëheqësit e të ashtuquajturës “Brigada e veriut”, një organizatë që vepronte në veri të Kosovës, e që dyshohet se është e lidhur me strukturat nga Beogradi.
“Mami” është gjithashtu i lidhur me sulmin terrorist në Banjskë në vitin 2023, dhe në vitin 2024, një aktakuzë u ngrit kundër tij nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Në anën tjetër, Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës në detyrë, ka mohuar mundësinë që serbja nga Mitrovica, e cila pretendohet se është arrestuar nga autoritetet kroate nën dyshimin për spiunazh për Serbinë, të ketë arritur të sigurojë informacione të rëndësishme nga Zyra e Kryeministrit.
Zëdhënësi Kryeziu përmes një postimi në Facebook tha se autoritetet kosovare janë të gatshme të punojnë me autoritetet kroate për zbardhjen e rastit.
“Në lidhje me pretendimet se personi me inicialet A.M., serbe nga Mitrovica, e cila është arrestuar nga autoritetet kroate për dyshime për spiunazh për Serbinë, ka pasur lidhje edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, në krye të herës duam ta bëjmë të qartë për publikun se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilat përbëhen nga të emëruar politikë”- ka thënë Kryeziu.
Ai ka thënë se se qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit është strikt e kufizuar.
https://kallxo.com/lajm/policia-e-kosoves-bastis-shtepine-e-te-arrestuares-per-spiunazh-per-serbine/