Prokuroria Speciale do të kërkojë masën e paraburgimit ndaj prokurorit Beqë Shala
Prokuroria Speciale do të kërkojë masën e paraburgimit apo të sigurisë ndaj prokurorit të Prizrenit, Beqë Shala, i cili u arrestua nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Në bazë të informacioneve që posedon KALLXO.com, Shala po dyshohet për marrje ryshfeti në dy raste të cilat ishin duke u trajtuar në Prokurorinë e Prizrenit.
Rasti nisi të hetohej fillimisht nga Prokuroria Speciale dhe Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu. Por, siç mëson KALLXO.com tashmë rasti ka kaluar për hetim të mëtejmë vetëm në PSRK.
Prokuroria Speciale pas kryerjes së arrestimit dhe disa bastisjeve ka njoftuar se tashmë prokurori Beqë Shala do të dërgohet në ndalim për 48 orë.
Në anën tjetër, Prokuroria Speciale ka publikuar edhe pamje të arrestimit të prokurorit Shala në vendin e tij të punës.
Pamjet tregojnë momentin deri sa Shala i prangosur futet brenda veturës së hetuesve policor për tu shoqëruar më pas për intervistim.
https://kallxo.com/lajm/pamje-nga-arrestimi-i-prokurorit-beqe-shala-ndalohet-per-48-ore-video/
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë kryer bastisje në zyrën e punës dhe në vendbanimin e të dyshuarit”- thuhet në njoftimin e PSRK-së.
Gjatë bastisjes, sipas njoftimit, janë sekuestruar prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore penale.
https://kallxo.com/lajm/arrestohet-prokurori-i-prizrenit-beqe-shala-dyshohet-per-marrje-ryshfeti/