Prokuroria kërkon paraburgimin e Ramadan Morinës i arrestuar për masakrën ndaj 34 civilëve më 1999 në Burim të Malishevës
Prokuroria Speciale siç mëson KALLXO.com ka kërkuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji ndaj Ramadan Morinës, i cili po dyshohet se ka marrë pjesë në masakrën ndaj 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës në peridhën 29-31 mars 1999.
Seanca dëgjimore ndaj të njëjtit pritet të mbahet tani më 14.08.2025 në Gjykatën e Prishtinës.
Ramadan Morina, është arrestuar në mëngjesin e së martës më 12.08.2025 në Prishtinë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim lufte kundër popullatës civile”.
Kjo ishte bërë e ditur nga një komunikatë e përbashkët nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës.
“R. M., dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”- thuhet në komunikatë.
Më tej në këtë komunikate bëhet e ditur se gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve dhe brenda afatit ligjor, Prokuroria Speciale do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njejtit në Gjykatën Themelore në Prishtinës.