Prokuroria kërkon nga Apeli dënim ndaj Joliqit edhe për pikat tjera të aktakuzës, mbrojtja thotë se i akuzuari nuk është fajtor
Në Gjykatën e Apelit sot më 30.10.2025 është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte Çaslav Joliq.
Në seancën e Apelit u elaborua ankesa e Prokurorisë Speciale dhe ankesa e mbrojtjes së të akuzuarit të parashtruara kundër aktgjykimit të shkallës së parë.
Gjykata e Prishtinës më 23.05.2025 Çaslav Joliqin e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.
Gjyqtari referues Vaton Durguti bëri të ditur se Prokuroria Speciale ankesën e saj e ka parashtruar për të gjitha bazat ankimore.
Më tej, gjyqtari Durguti tha se PSRK në ankesën e saj ka propozuar që të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe që i akuzuari Çaslav Joliq të dënohet edhe për pikat B dhe C të aktakuzës apo çështja të kthehet në rivendosje.
Ndërsa në anën tjetër mbrojtja ankesën e tij ka parashtruar ankesë po ashtu për të gjitha bazat ankimore, dhe ka propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet, apo çështja të kthehet në rivendosje.
Mbrojtësi i të akuzuarit Joliq, avokati Miodrag Brkljaq gjatë elaborimit të ankesës tha se aktgjykimi i shkallës së parë në pjesën ku i mbrojturi i tij është shpallur fajtor nuk është i drejtë, dhe se Gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar në mënyrë të qartë faktet vendimtare në këtë lëndë.
Sipas avokatit Brkljaq i mbrojturi i tij është nuk është kryerës i veprës penale për të cilën akuzohet dhe se i njëjti nuk ka qenë polic i rregullt dhe as i parregullt, dhe tha se nuk ka qenë në vendin kur është rrëzuar helikopteri.
Tutje, avokati Brkljaq tha se ka mospërputhje të deklaratave të dëshmitarit- dëmtuarit Zef Malësia të dhëna në Polici, në Prokurori dhe në dy shqyrtime gjyqësore.
Më tej avokati Brkljaq kërkoi nga Gjykata e Apelit që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet apo çështja të kthehet në rivendosje.
Ndërsa, i akuzuari Çaslav Joliq tha se e mbështet deklarimin e avokatit të tij.
Në fund, Gjykata njoftoi palët se brenda afatit ligjor vendimin e Gjykatës së së Apelit do ta marrin përmes Gjykatës së shkallës së parë.
Nga radhët e prokurorisë së Apelit nuk prezentoi askush, ndërsa nga pala e dëmtuar prezent ishte Zef Malësia.
Kjo çështje penale në Gjykatën e Apelit po trajtohet nga kolegji në përbërje të gjyqtarëve Avni Mehmeti (kryetar i kolegjit gjykues), Vaton Durguti (gjyqtar referues), dhe Kreshnik Radoniqi (anëtar).
Gjykata e Prishtinës më 23.05.2025 Çaslav Joliq e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj i akuzuar për “krime lufte”.
Ky vendim ishte marrë nga trupi gjykues, në përbërje të: Ngadhnjim Arrni (kryetar i trupit gjykues) dhe Arben Hoti e Lutfi Shala (antarë).
Kujtojmë se më 10.06.2024, Çaslav Joliq ishte dënuar nga Gjykata e Prishtinës me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vjetësh, në bazë të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së. Pra 2 vjet e 6 muaj më shumë se vendimi i fundit. Por, që Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin edhe një herë për rigjykim.
Po ashtu, kujtojmë se edhe në rigjykim, më 05.02.2025, i akuzuari Çaslav Joliq kishte deklaruar se nuk e pranon fajsinë për akuzat që i vihen në barrë.
Çka thotë Dosja e Prokurorisë për Çaslav Joliqin?
Sipas Dosjes së Prokurorisë Speciale të Kosovës, të siguruar nga KALLXO.com, në vitin 1998, në lagjen “Bllagaq” të fshatit Gurakoc, ishte rrëzuar një helikopter i forcave serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Z.M. po i shoqëronte për te vendi i ngjarjes dy gazetarë: njëri anglez e tjetri belg, së bashku me një përkthyese shqiptare.
Me të arritur te vendi i ngjarjes nga shtëpia e Rosa Pejoçinoviqit dalin pesë persona të veshur me uniformë të Policisë serbe: Radule (Dule) Pejoçinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejoçinoviq, Millosh Joliq dhe një person tjetër i paidentifikuar. Të njëjtit akuzojnë të dëmtuarin Z.M., se pse i kishte sjellë gazetarët në vendin e ngjarjes. Pas këtyre akuzave të lartcekurit e sulmojnë fizikisht dhe dy prej policëve e kapin për krahu dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grushte dhe shqelma për një periudhë prej 20 minutave, derisa në një moment personi me nofkën “Dule” e kishte goditur me boks në kokë të dëmtuarin, me ç’rast Z.M. kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë – duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, më 15.03.1998, derisa i dëmtuari tjetër N.F. po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga disa persona, në lokal kishin shkuar 5 policë serbë dhe duke e kapur për qafe e kishin tërhequr zvarrë jashtë lokalit. Pastaj, të gjithë fillojnë ta sulmojnë fizikisht, duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.
Sipas Aktakuzës, polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur me tytë të automatikut disa herë në kokë – duke ia mbuluar tërë trupin në gjak dhe duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në Stacion të Policisë në Gurakoc.
Tutje, në Dosje thuhet se duke e dërguar në Stacion të dëmtuarin e njoftojnë se do ta ekzekutojnë.
Ndërsa, më 28 mars të po të njëjtit vit të dëmtuarin e kishin detyruar që ta lëshojë shtëpinë si çdo banor tjetër i fshatit.
Të gjitha raportimet e tjera, lidhur me këtë çështje, mund t’i gjeni në këtë: link.
Gjykimet për krimet e luftës
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.