Profesorët Bajram Fejzullahu, Musa Ajeti, Kastriot Dërmaku dhe Ardian Emini, Ilustrim: KALLXO.com
Profesorët e Universitetit të Gjilanit kapen mat duke mashtruar me prezencën në Fakultet
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 13 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 14 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 15 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 16 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 17 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 18 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 19 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 20 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 21 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 22 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 23 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Universiteti Kadri Zeka në Gjilan ka konstatuar në një Raport të tij se katër profesorë kanë abuzuar me vijueshmërinë e punës, duke i regjistruar hyrjet dhe daljet e njëri tjetrit me kartelat e punës.
Universiteti kishte themeluar një Komision për të përcjellur vijueshmërinë e punës për profesorët. Me Raportin e datës 14.05.2024, Komisioni ka konstatuar se profesorët Ardian Emini, Bajram Fejzullahu, Kastriot Dërmaku dhe Musa Ajeti; profesorët e Universitetit “Kadri Zeka” (UKZ) në Gjilan, gjatë vitit 2024 i kanë keqpërdorur kartelat e tyre të punës, duke ia regjistruar njëri-tjetrit hyrje dhe daljet në punë. Për të arritur në këto konstatime Komisioni kishte kontrolluar kamerat e sigurisë brenda periudhës 28.03.2024 deri më 19.04.2024.
Një hulumtim i KALLXO.com zbulon se ky Raport ku konstatoheshin shkelje nuk ka prodhuar asnjë masë për profesorët, për shkak se UKZ ka bërë shkelje procedurale dhe përmbajtjesore gjatë procesit.
Të dhënat tregojnë se Menaxhmenti i Universitetit “Kadri Zeka” (UKZ) i ka raportuar këta profesorë në Këshill të Etikës të UKZ-së, më 15.07.2024 dhe Këshilli i Etikës ka propozuar t’u shqiptohet Vërejtje me shkrim.
Vërejtja me shkrim është miratuar nga Senati i UKZ-së, më 01.08.2024. Në ndërkohë profesorët e kanë dërguar Vendimin në Gjykatë dhe Gjykata Themelore në Gjilan e ka anuluar Vendimin e Senatit, më 31.01.2025. Në Vendimin që ka 11 faqe, Gjykata ka konstatuar shkelje procedurale dhe se ka pasur huqje në cilësimin e shkeljes. Çështja tani është në Gjykatën e Apelit me Ankesë nga Universiteti.
Si u iniciua procedura?
Rektori i UKZ-së, Artan Dërmaku, në një intervistë për KALLXO.com, ka treguar se një Dekan i një Njësie akademike ishte ankuar se hyrje-daljet në punë të një profesori të Fakultetit të tij nuk janë ato që figurojnë në të vërtetë.
“Kemi informacione që në disa raste mësimdhënësit kanë përdorur kartela të njëri-tjetrit, me fjalë të tjera kanë poseduar në mënyrë të padrejtë kartelën që i takon një personi tjetër. Me këtë kanë bërë hyrje-daljet, me fjalë tjera kanë mashtruar institucionin dhe shtetin që janë në vend të punës pa qenë fare.” – ka thënë Dërmaku, më 12.02.2025.
Sipas Raportit të Komisionit të datës 14.05.2024, profesor Bajram Fejzullahu figuron se i ka regjistruar hyrje-daljet për profesor Musa Ajetin në atë periudhë.
Musa Ajeti në një përgjigje për KALLXO.com ka arsyetuar përmes telefonit veprimet e tij, duke pretenduar se kishte punuar nga shtëpia.
“Po, ia kam dhanë (kartelën e punës) për dy javë ditë, dy e gjysmë. Jo more, unë kam punuar Monografinë. Ai u dashtë me m’çu n’hotel mue, me m’pagu hotel në ato ditë e le ti ma asi. S’e kemi vet Drejtorin, veç një gabim e kemi ba, që s’kemi marrë leje.” – ka thënë Ajeti, më 12.02.2025.
Profesori Bajram Fejzullahu i cili e kishte përdorur kartelën e profesorit Ajeti pretendon se vetëm i ka ndihmuar.
“Profesori Musa Ajeti ka pasë për m’u përgatit tash për thirrje akademike, për profesor të rregullt, në mes tjerash më ka kajt në dert, thotë ditëve kur nuk kam ligjërata, nuk kam konsultime, as nuk kam kurfarë kurgjohi, a mundesh për me ma ba këtë farë evidence, atë farë kliki (click, në shqip – klikim), se kam me përgatit Monografi, kam m’u përgatit për thirrje akademike!? Unë e kam pranu atë.” – ka treguar Fejzullahu, më 12.02.2025, për KALLXO.com.
Fejzullahu nuk e pranon Vendimin e Këshillit Drejtues të UKZ-së të datës 04.12.2023, sipas të cilit duhet të paraqiten në punë tre ditë për mbajtjen e ligjëratave, një ditë për mbajtjen e konsultimeve me studentë dhe një ditë me leje të veçantë të Dekanit mund të zhvillohen aktivitete akademike jashtë objektit.
“Na jem staf akademik, ne duhet për me pasë lirinë e plotë akademike për m’u marrë me punë shkencore, m’u marrë me punë tona, përgatitjet e ligjëratave. Nëse nuk kem punë në zyre, unë së paku konsideroj, na inventar i zyrës nuk jem, na në Administratë nuk jem tu punu, na jem kuadër shkencor.” – ka shpjeguar Fejzullahu.
“Unë ligjëratat e mia i mbaj, ushtrimet e mia i mbaj, konsultimet e mia i mbaj, punën time unë e kryej, ajo është për mua në radhë të parë. A nëse dikush ka interes që personeli akademik të bëhet inventar i zyreve, le të bëhet vet, po pa mua, unë jo.” – ka theksuar Fejzullahu.
Xhevat Sopi, Dekan në Fakultetin Ekonomik në UKZ, e ka konfirmuar për KALLXO.com se profesor Fejzullahu është shumë i rregullt në mbajtjen e mësimit.
“Dhe, për gjithë vitin (2024) që ju pyesni, por edhe deri më tash, (profesori Bajram Fejzullahu) nuk e di të ketë humbur ndonjë ligjëratë.” – ka thënë Sopi, më 11.03.2025.
Sipas Vendimit të Këshillit Drejtues të UKZ-së të datës 04.12.2023, orari i plotë i personelit akademik përfshinë mbajtjen e ligjëratave, përgatitjet, konsultimet, hulumtimet, provimet dhe aktivitetet e tjera, sipas Kontratës brenda pesë ditëve të javës dhe nuk mund të jetë më gjatë se 40 orë në javë dhe 12 orë në ditë.
Profesori tjetër Ardian Emini, sipas Komisionit, është gjetur se më 28.03.2024 dhe më 2, 4, 11 dhe 16 prill 2024 e ka marrë kartelën e profesor Kastriot Dërmakut dhe në emër të tij ka regjistruar hyrje-daljet.
Por, Eminit i kthehet “e mira me të mirë”, sepse më 3 dhe 17 prill 2024 Dërmaku i bën atij hyrje-dalje me kartelën e Eminit.
“Për këto raste video-incizimet nga kamerat janë nxjerrë dhe ju kanë dorëzuar Sekretarit të Universitetit.” – thuhet në Raportin e Komisionit për vëzhgimin e sistemit të kamerave në UKZ, më 14.05.2024.
Emini e mohon ta ketë keqpërdorur kartelën e tij të punës, apo atë të Dërmakut.
“Ashtu siç unë nuk kam keqpërdorur asnjë kartelë të dikujt tjetër, e njëjta gjë vlen edhe për profesor Kastriot Dërmakun. Përkatësisht, as profesori Kastriot nuk e ka keqpërdorur kartelën time. Askujt nuk ia kam dhënë kartelën time.” – tha Emini, më 18.02.2025, për KALLXO.com.
“Siç e theksova më lart, unë dyshoj se ka pasur manipulime me pajisjen e regjistrimit të hyrje-daljeve nga ana e Menaxhmentit. Ky dyshim bazohet në faktin se kur kemi kërkuar ekspertizën e pajisjes së regjistrimit të hyrje-daljeve, kjo kërkesë na është mohuar në mënyrë kategorike – gjë që e forcon dyshimin tonë.” – shtoi Emini.
Megjithatë, Emini mendon se Vendimi për orarin e punës të personelit të rregullt akademik është “i kundërligjshëm”, pasi vlerëson se Vendimi nuk është nxjerrë nga Senati i UKZ-së, por nga Këshilli Drejtues i UKZ-së.
Në lidhje me gjetjet e Komisionit për vëzhgimin e sistemit të kamerave në UKZ në periudhën 28.03.2024 deri më 19.04.2024, Emini mohon pamjet e kamerave në të cilat pretendohet se ka bërë hyrje në punë për profesorin Kastriot Dërmaku dhe anasjelltas; profesori Dërmaku ka bërë dy herë hyrje në punë për të. Sipas tij, me pamjet e kamerave është manipuluar.
“Dyshoj se ato janë të paplota dhe të manipuluara. Më saktësisht, ato janë incizime të prera, të cilat mendoj se kanë për qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe të kolegut Kastriot Dërmaku, për shkak të inateve personale që kanë lindur që nga koha kur unë isha një nga kandidatët për Dekan të Fakultetit Juridik në UKZ. Konkurrimi im në këtë pozitë, siç duket, i ka prishur kalkulimet e Menaxhmentit.” – ka thënë Emini.
Edhe Dërmaku i ka mohuar pretendimet se ka keqpërdorur kartelën e punës të Eminit për t’ia regjistruar hyrjet në UKZ, po ashtu pretendon se pamjet e kamerave janë të manipuluara.
“Këto pretendime janë të pavërteta dhe janë tentim për manipulim dhe shantazh ndaj autoritetit tim dhe profesorit Ardian Emini. Edhe një herë deklaroj se kurrë nuk e kam keqpërdorur asnjë kartelë identifikuese të ndonjë kolegu, apo të profesor Ardian Eminit.” – ka thënë Dërmaku, më 19.02.2025.
“Ky proces përmban manipulime dhe edhe këto pamje janë të manipuluara. Gjatë ftesës për intervistë (në Këshill të Etikës), pavarësisht Kërkesës parashtruar për qasje në shkresat e lëndës (në provat materiale), e njëjta na është mohuar (nuk janë prezantuar fare prova inkriminuese). Kjo dëshmon se i gjithë procesi është një manipulim i plotë dhe një tentativë për shantazh. Ekzistojnë dyshime se incizimet janë të prera dhe të montuara, ndërsa pajisjet nuk kanë dokumentacion të vërtetuar për kalibrim të rregullt.” – ka shtuar Dërmaku.
Duke u bazuar në Vendimin e Këshillit Drejtues të UKZ për orarin e punës të personelit të rregullt akademik të datës 04.12.2023, profesorët Emini dhe Dërmaku thonë se duhet të paraqiten në UKZ gjatë 3 ditëve të javës, jo 5 ditë dhe Emini personalisht paraqitet aq sa i takon, 3-4 ditë në javë, kurse Dërmaku thotë se paraqitet 3 ditë.
Profesorët u vëzhguan në kamerat e Universitetit, nëse kanë mashtruar
Pas raportimit të Dekanit, rektori Dërmaku kishte kërkuar nga Vaxhid Sadriu, Sekretari i Përgjithshëm i UKZ në atë kohë, që ta trajtojë këtë rast.
Ish-sekretari Sadriu, më 07.02.2024, i ka kërkuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) një këshillë për përdorimin e pamjeve të kamerave të Universitetit si dëshmi në procesin disiplinor për shkak të dyshimit të bazuar se në dy raste të punësuarit figurojnë të regjistruar në sistem, por nuk janë në vendin e tyre të punës.
Në përgjigjen e AIP-së më 08.02.2024, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, Sadriut i konfirmohet se mund t’i përdorin pamjet e kamerave si provë për hetimin e çështjeve disiplinore.
“Një Komision i veçantë gjithherë rast pas rasti mund të kërkojë regjistrimet në cilësinë e provave, por edhe ruajtjen e këtyre regjistrimeve për një periudhë më të gjatë, derisa të mbyllet procesi hetimor disiplinor ose penal.” – thuhet në përgjigjen e AIP-së për UKZ-në, më 08.02.2024.
Pas përgjigjes së AIP-së, Sadriu ka marrë Vendim më 01.03.2024 të formohet Komisioni për vëzhgimin e sistemit me kamera në vendin e punës me tre anëtarë.
Komisioni i formuar për vëzhgimin e sistemit me kamera, sipas Dërmakut, ka përzgjedhur një listë të profesorëve të cilët do t’i verifikonte bazuar në ata të cilët figuronin se kanë vijueshmëri më të lartë në Fakultetet ku punojnë për periudhën 28.03.2024 deri më 19.04.2024.
Beteja e UKZ-së me Kallëzimet penale nga punëtorët e saj
Artan Dërmaku, rektor i UKZ-së, tregon se Prokuroria Themelore në Gjilan, më 22.05.2024, kishte pranuar një Ankesë anonime që ankohej se UKZ po bënte “vëzhgim të padrejtë ndaj punëtorëve të vet”.
Deri më tani, Dërmaku tha se tetë Ankesa anonime i kanë shkuar Prokurorisë në Gjilan për çështje të ndryshme në UKZ, e për të cilat Dërmaku dyshon se këto e-mail-a anonim me Ankesa për UKZ i kanë dërguar ndonjëri prej profesorëve të cilët janë ekspozuar nga Komisioni për vëzhgimin e kamerave se kanë abuzuar me kartela të punës. Të katër profesorët e kanë mohuar për KALLXO.com se i kanë dërguar këto Ankesa anonime në Prokurori.
Kushdo që t’i ketë shkruar këta e-mail-a anonim, Flamur Ahmeti, prokuror në Gjilan e ka analizuar Ankesën anonime të datës 22.05.2024 dhe në Vendimin e 11.06.2024 që e ka parë KALLXO.com konstaton që nuk ka vepër penale dhe, si rrjedhojë, nuk ka vend për inicim të procedurës penale.
Po ashtu, edhe për Ankesat e tjera anonime, rektori Dërmaku tha se menjëherë janë mbyllur nga Prokuroria në Gjilan.
Më shumë se një muaj pasi dështoi raportimi anonim për “vëzhgim të padrejtë”, dy profesorët e akuzuar për mashtrim, Ardian Emini dhe Kastriot Dërmaku, bëjnë Kallëzime penale ndaj UKZ-së.
Rektori Dërmaku e shpjegon se këto Kallëzime penale pretendonin se “ju ka thy privatësia, sepse ne nuk guxojmë t’i shikojmë, në qoftë se ata mashtrojnë apo nuk mashtrojnë”.
Edhe këto Kallëzime dështojnë përkundër faktit që Rektori merret në pyetje nga Policia. Në fund, Isuf Sadiku, prokuror në Prokurorinë Themelore Gjilan merr Aktvendim më 14.11.2024 të hedhë poshtë Kallëzimin penal të Dërmakut dhe Eminit ndaj rektorit Artan Dërmaku, ndaj Vaxhid Sadriut (ish-Sekretar) dhe ndaj dy punëtorëve të UKZ-së, të cilët kanë qenë anëtarë në Komisionin për vëzhgimin e sistemit me kamera.
Kastriot Dërmaku dhe Ardian Emini kishin ngritur Kallëzim penal edhe ndaj Naim Mustafës, kryesuesit të Këshillit të Etikës në UKZ dhe Dukagjin Lekës, anëtarit në Këshill të Etikës në UKZ, ish-sekretarit Vaxhid Sadriu, si dhe tre anëtarëve të Komisionit për vëzhgimin e sistemit me kamera, për shkak të veprave penale sipas tyre: “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” etj.
Edhe Kallëzimi për Mustafën dhe Lekën ishte hedhur poshtë nga Prokuroria e Gjilanit për shkak se, siç thotë Vendimi që e ka pa KALLXO.com, “nuk ka prova të mjaftueshme për të filluar hetimin ndaj të dyshuarve për shkak të veprave penale sipas Kallëzimeve penale”.
“Mendoj që Prokuroria e Shtetit duhet të merret seriozisht me keqpërdorimet që po bëhen, sidomos kur ato janë të qëllimshme, sepse ato kur janë të paqëllimshme, dy prej tyre (Musa Ajeti dhe Bajram Fejzullahu) kanë kërkuar falje, por dy të tjerë (Katriot Dërmaku dhe Ardian Emini) vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, mohojnë dhe bëjnë veprime tjera të turpshme ndaj institucionit në vend që të kërkojnë falje, atëherë këto janë të qëllimshme, të pafalshme.” – ka theksuar rektori Dërmaku.
Vërejtjen me shkrim të Senatit të UKZ-së e anulon Gjykata e Gjilanit
Artan Dërmaku ka thënë se kur janë verifikuar dyshimet e tyre se profesorët kanë mashtruar me kartelat e punës, fillimisht kanë pasur idenë që t’u shqiptohet një Vërejtje me gojë.
Por, pasi janë ngritur Kallëzimet penale nga profesorët kundër UKZ-së, rektori Dërmaku tha se u kanë shqiptuar Vërejtjen me shkrim.
Një javë ditë pasi u është shqiptuar Vërejtja me shkrim, profesorët të cilët dyshohen për mashtrim kanë kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan anulimin e Rekomandimit të Këshillit të Etikës të UKZ-së, i cili është miratuar nga Senati i UKZ-së.
Emini e kishte kontestuar Vendimin e Senatit për Vërejtje ndaj tij dhe profesorëve të tjerë në dy baza, që nuk u është dhënë qasje në dokumente zyrtare dhe që në Vendimin e Senatit të UKZ kanë vendosur edhe anëtarët e Këshillit të Etikës të cilët, sipas tyre, është dashur të mos votojnë në këtë Shkallë, sepse kishin “konflikt interesi”, pasi kishin qenë anëtarë të Këshillit të Etikës.
Këshilli i Etikës i UKZ-së përbëhet nga: Naim Mustafa (kryesues) dhe Dukagjin Leka, Xhevdet Thaçi, Bashkim Dalipi, Basri Ahmedi, Art Shala, Egzona Rexhepi, Arbnora Basha (anëtarë).
Anëtarët, Mustafa, Leka, Thaçi dhe Ahmedi, janë edhe senatorë të cilët kanë votuar në Senat.
Këshilli i Etikës i UKZ-së nuk ka vlerësuar se është shkaktuar konflikt interesi, kurse UKZ ka thënë për KALLXO.com se Statuti dhe Rregullorja e Universitetit lejojnë njëkohësinë e funksioneve të anëtarëve të Këshillit të Etikës dhe Senatit, pasi Këshilli i Etikës vetëm propozon, ndërsa Senati miraton.
Emini më 08.08.2024 kishte dorëzuar padi në Gjykatën Themelore Gjilan përmes së cilës kishte kërkuar të anulohet Vendimi i Senatit të UKZ-së i datës 01.08.2024, ku ishte miratuar Vërejtja me shkrim ndaj tij dhe tre profesorëve të tjerë.
Pasi i ka administruar të gjitha provat, Arben Xheladini, gjyqtar në Gjilan, e ka miratuar Kërkesëpadinë e Eminit si të bazuar, pasi ka vlerësuar se Vendimi i Senatit të UKZ-së me të cilin i ishte shqiptuar Vërejtje profesorëve është i kundërligjshëm.
Gjykata ka konstatuar se UKZ me Aktet e brendshme të saj nuk i është përmbajtur Ligjit për Zyrtarët Publik (LZP) për zhvillimin e procedurës disiplinore.
Sipas Gjykatës, me Rregulloren për Kodin e Etikës në UKZ, nuk konstatohen çka përbën shkelje të lehtë e çka përbën shkelje të rëndë. Dhe, i referohet LZP-së ku përcaktohet se shkeljet e lehta i shqipton mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë, ndërsa për shkelje të rënda iniciohet procedura përmes Komisionit disiplinor.
“Në pretendimet e të paditurës në shpjegimet përfundimtare theksohet se ‘mosrespektimi i orarit, keqpërdorimi i kartelave identifikuese, prezantimi i rremë i pranisë në punë përbëjnë shkelje të rëndë dhe mund të çojnë në masa disiplinore’, mirëpo masa disiplinore është shqiptuar për shkelje të lehtë. Në arsyetim të Vendimit për masë disiplinore nuk referohet asnjë bazë ligjore për shqiptimin e masës.” – thuhet në Vendimin e Gjykatës – Gjilan, më 31.05.2025.
Gjykata nuk ka arritur të konstatojë se për cilën shkelje i është shqiptuar masa disiplinore Eminit, pasi thotë se “keqpërdorimi i kartelave për regjistrim hyrje-dalje” nuk ekziston si shkelje as në ligj, e as në vetë Aktet e brendshme të UKZ-së.
“Gjykata e ka të paqartë edhe faktin se përse kjo procedurë, nëse është konsideruar shkelje e rëndë nga e paditura (UKZ) nuk është iniciuar sipas Komisionit disiplinor, por nga Këshilli i Etikës, e për më tepër a mund të konsiderohet Këshilli i Etikës si mbikëqyrës i drejtpërdrejtë i paditësit që të propozojë shqiptimin e masës për të.” – ka shpjeguar Gjykata në Gjilan në Aktgjykim.
Tutje, Aktgjykimi i Gjykatës në Gjilan përmend edhe moslejimin e qasjes në dokumentet që Emini i kishte kërkuar dy herë dhe në votimin e senatorëve të cilët janë edhe anëtarë të Këshillit të Etikës në UKZ.
“Do të duhej lejuar qasje në dokumente paditësit, e jo mohimi indirekt i qasjes përmes orientimit të paditësit te zyrtari përgjegjës dhe do të duhej shmangur konflikti i interesit, e jo që anëtarët e njëjtë në propozimin e shqiptimit të masës të vendosin edhe ndaj Ankesës për masë.” – ka vlerësuar Gjykata në Gjilan.
UKZ është ankuar më 11.02.2025 në Gjykatën e Apelit në Prishtinë kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Gjilanit.
Gjykata e Apelit e ka konfirmuar për KALLXO.com se e kanë pranuar Ankesën e UKZ-së më 26.02.2025 dhe se pritet të zgjidhet.
UKZ është ankuar në Gjykatën e Apelit duke thënë se ndërtimi i Dispozitivit të Gjykatës në Gjilan, duke anuluar vendimin e Senatit të datës 01.08.2024 është i paqartë ngase formulimi nuk dihet nëse procesi është rikthyer në shqyrtim në Këshillin e Etikës dhe Senat, apo këtë çështje e ka mbyllur vetë Gjykata.
UKZ këmbëngul se nuk është kontestuese që Emini ka konsumuar dy shkelje të rënda nga Neni 56, Paragrafi 4, Pika 4.8 dhe 4.10 të LPZ-së.
“4.8. Vënia në lajthitje e organit publik përmes dhënies së informatave të gabuara ose fshehja e të dhënave zyrtare kur kërkohen për qëllime zyrtare; 4.10. Braktisja e punës ose mungesa e paarsyeshme dhe e vazhdueshme për tri (3) ose më shumë ditë pune.” – thuhet në Pikat 4.8 dhe 4.10 të Nenit 56 në LPZ.
“Për faktin se brenda 12 ditëve, konkretisht nga data 28.03 deri më datën 19.04.2024, profesori Ardian Emini mbi 5 herë ka manipuluar me kartën e identifikimit të profesor Kastriot Dërmakut, i cili edhe pse nuk ka ardhur në punë është regjistruar në sistem me mashtrim nga profesor Ardian Emini, se kinse ka ardhur në punë dhe me këtë i ka vënë në lajthitje shërbimin e pagesave të UKZ-së.” – ka theksuar UKZ në Ankesën e saj.
Për mosqasjen në dokumente që i ka kërkuar Emini, UKZ thotë se Dosja e Këshillit të Etikës ka qenë në dispozicion të tij, “por i paditur duke qenë koshient për manipulimet që i ka bërë, i është përgjigjur ftesës për deklarim në Këshillin e Etikës, por nuk është deklaruar fare, ngase i ndodhur para provave të pakontestueshme, nuk ka pasur çfarë të deklarojë ”.
Në lidhje me procesin e votimit në Senat të UKZ-së që Gjykata ka vlerësuar se nuk ka qenë në rregull, pasi kanë votuar anëtarët e njëjtë të Këshillit të Etikës, UKZ arsyetohet se Rregullorja e Universitetit dhe Statuti e lejojnë njëkohësinë e funksioneve të këtyre anëtarëve.
“Në vërtetimin e Gjykatës së Shkallës së Parë se anëtarët e njëjtë kanë votuar në Shkallën e Parë dhe Shkallën e Dytë të një Vendimi është i paqëndrueshëm dhe jo i saktë, pasi që as nuk kemi Vendim, por vetëm Propozim. Dhe, as nuk mund të quhet Këshilli i Etikës si Shkallë e Parë e Senati si Shkallë e Dytë, pasi që Këshilli i Etikës është pjesë integrale e vetë Senatit.” – ka thënë UKZ në Ankesë në Gjykatë të Apelit.
Më 12.02.2025, UKZ thotë se në Prokurorinë Themelore të Gjilanit ka ngritur Kallëzim penal kundër tre profesorëve: Emini, Ajeti dhe Kastriot Dërmaku për: “mashtrim në detyrë”, ndërsa ndaj profesorit Fejzullahu ka ngritur Kallëzim penal për “vjedhje të identitetit dhe pajisja e qasjes”.
UKZ ka treguar se Prokuroria Themelore në Gjilan i ka pushuar hetimet për profesorët Emini, Fejzullahu dhe Ajeti, por jo edhe ndaj Kastriot Dërmakut. Ata thonë se janë ankuar në Prokurorinë e Apelit në Prishtinë kundër Aktvendimit për pushimin e hetimeve ndaj Eminit, më 10.03.2025.
Kurse, Prokuroria Themelore në Gjilan ka treguar se ndaj kujt i ka pushuar hetimet dhe si kanë vepruar në rastet e profesorëve të tjerë për të cilët e ka pyetur KALLXO.com nga data 12.03.2025.
“Prokuroria Themelore në Gjilan – Departamenti për Krime të Rënda, më 03.03.2025, ndaj personit me inicialet A.E. ka pushuar hetimet; Departamenti Përgjithshëm, më 24.02.2025 ka hedhur Kallëzimin penal, ndaj personit me inicialet B.F., ndërsa dy rastet e tjera janë në proces.” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Gjilan, më 17.03.2025.
Prokurorja e Shtetit Leonora Kadriu i ka pushuar hetimet ndaj Ardian Eminit. Prokurorja Kujtesa Fazliu e ka hedhur poshtë Kallëzimin penal ndaj Bajram Fejzullahut, kurse prokurori Agron Uka i ka pushuar hetimet ndaj Musa Ajetit.
Më 13.03.2025, KALLXO.com i ka pyetur secilin prej profesorëve në lidhje me Kallëzimin penal që UKZ ka ngritur ndaj tyre.
Kastriot Dërmaku ka thënë se janë në dijeni se është ngritur Kallëzim penal nga UKZ dhe pret që edhe ndaj tij, sikurse ndaj Eminit, të pushohet hetimi.
Emini ka thënë se Kallëzimi penal ndaj tij është ngritur “me qëllime tendencioze, kryesisht për të më frikësuar dhe për të dëmtuar imazhin tim”.
Ndërsa, profesorët Ajeti dhe Fejzullahu kanë treguar se kanë marrë Vendim nga Prokuroria e Gjilanit, se janë pushuar hetimet ndaj tyre.
Fejzullahu tha se nuk ka qenë në dijeni se është ngritur Kallëzim penal ndaj tij dhe sipas tij në Aktvendimin e Prokurorisë thuhet “nuk ka dyshim të arsyeshëm se i dyshuari (Bajram Fejzullahu) ka kryer vepër penale, për të cilën pretendohet në Kallëzimin penal”.
“Kam qenë te Prokurori. Ka dalë asi. Unë s’kam mashtru kurgjo, hiç aty. S’është mashtrim. Edhe e ka shu ai Prokurori këtë lëndë krejt. Kam Vendimin për këtë.” – ka thënë Ajeti, më 13.03.2025.
“Nuk ka pasur arsye që të ngritet ky Kallëzim penal. Edhe mendoj që Prokuroria ka vendosur me të drejtë lidhur me këtë çështje që nga kurgjo është bërë temë për të cilën s’ka pasë nevojë as të diskutohet; ka pasë mundësi të zgjidhet shumë ma lehtë, edhe shumë ma mirë.” – tha Fejzullahu, më 13.03.2025.
Që prej se këta profesorë janë gjetur nga Komisioni i vëzhgimit të sistemit të kamerave të UKZ se kanë regjistruar hyrje-daljet njëri-tjetrit përmes kartelave të punës sipas Artan Dërmakut, Rektorit të UKZ, ky fenomen nuk është përsëritur dhe tash Dekanët raportojnë që profesorët po vijnë në orar të punës pa falsifikim.
Shënim: Pas publikimit të hulumtimit, në redaksinë e KALLXO.com ka ardhur një reagim i profesorit Ardian Emini. KALLXO.com e ka publikuar reagimin e plotë të profesorit Ardian Emini më datë 21.03.2025.
Reagimin e gjeni te rubrika Letër Redaksisë.