Mallra kontrabandë të konfiskuara nga Policia. Foto: PK.
Policia parandalon një rast të kontrabandës në Han të Elezit, arreston tre persona
Policia ka njoftuar se Njësitet kufitare të saj kanë parandaluar të premten, më 21.02.2025, rreth orës 30:20, një rast të kontrabandës me mallra në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në fshatin Seqishtë, Han i Elezit dhe kanë arrestuar tre persona.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit, në këto automjete janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme komerciale – përfshirë veshmbathje, bizhuteri, aksesorë, mjete pune dhe shumë artikuj të tjerë, të cilët dyshohet se po kontrabandoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.
“Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar tre persona të dyshuar: M.B., 23 vjeç, shtetas i Maqedonisë së Veriut, A.N., 32 vjeç, shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe I.L., 19 vjeç, shtetas i Kosovës.” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia thotë se të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa mallrat e kontrabanduara dhe automjetet janë sekuestruar dhe dërguar në Terminalin Doganor, në Han të Elezit.