Përurimi i hapësirës së rinovuar të Klinikës së Urologjisë. Më 10.07.2024. Foto:KALLXO.com
Përurohet objekti i rinovuar me vlerë 1.2 milionë euro i Klinikës së Urologjisë
Me dhoma me nga tre shtretër, oksigjenim mbi secilin shtrat, e banjo për personat me aftësi të kufizuara, është përuruar hapësira e rinovuar Klinikës së Urologjisë, e cila ndodhet në Klinikën e Kirurgjisë. Për ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kjo është “fytyra e re” e Urologjisë.
1.2 milionë milionë euro është kostoja e renovimeve të kësaj klinike, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Gjatë përurimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se renovimet kanë qenë shumë të rëndësishme në këtë repart, ngase nuk është investuar në të që 20 vite, “por ka pasur vetëm degradim të kushteve si për pacientët ashtu edhe për mjekët dhe infermierët”.

“Kisha kënaqësinë që të shoh se si këtu dhomat me nga tre shtretër i kanë kushtet moderne. Gjë që është tejet vendimtare si për shërimin e pacientëve ashtu edhe për kujdesin profesional të cilët e japin përkushtimin e tyre maksimal të gjithë mjekët dhe infermierët”- tha Kurti.
Kurti shtoi që secila dhomë e ka klimatizimin qendror, furnizohet me oksigjen dhe pacienti e ka mundësinë për ta thirrur në çdo kohë infermierin prej shtrati, edhe riparim të tualeteve.
“Nuk mjafton spitalet të jenë godina ato duhet të jenë vende që japin shpresë për pacient për shërim të shpejt dhe të plotë”- shtoi ai.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tregoi që në javën e ardhshme do të hapen edhe sallat operative të Urologjisë.

“Ka disa muaj që kemi pasur takim me stafin e Klinikës së Urologjisë, ku stafi më pati treguar brengën ku Klinika e Urologjisë në bllokun operativ është klinika me kushtet më të këqija sepse nuk është investuar asgjë pothuajse gati që 20 vite”- tha ai.
Sipas Vitisë, Urologjia nga klinika më problematike në aspektin infrastrukturor në bllokun operativ, tashmë është shndërruar në klinikën model në QKUK.
Më 02.06.2023, KALLXO.com kishte raportuar për gjendjen e Repartit të Urologjisë, me dysheme të prishur e mungesë të sapunit dhe letrave higjienike në tualet.

