Kongresistja demokrate, Nancy Pelosi.. Foto: Facebooku i saj
Pelosi pas 38 vjetësh si kongresiste nuk do të garojë për tjetër mandat
Nancy Pelosi, kryetarja e parë dhe e vetme grua e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe një nga figurat më të fuqishme në politikën e demokratëve për dekada me radhë, ka njoftuar se nuk do të kandidojë për zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit, raporton televizioni CNN.
“Më ka pëlqyer vërtet të shërbej si zëri juaj në Kongres dhe gjithmonë e kam nderuar këngën e Shën Françeskut, ‘Zot, bëje paqen tënde instrument’, himnin e qytetit tonë. Kjo është arsyeja pse dua që ju, bashkëqytetarët e mi të San Franciskos, të jeni të parët që e merrni vesh. Nuk do të kandidoj për rizgjedhje në Kongres”, ka theksuar Pelosi, 85 vjeçe, të enjten (06.11.2025) në një video gjithëpërfshirëse që dukej si një letër dashamirësie për qytetin që ajo e ka përfaqësuar për gati 40 vjet në Uashington.
“Me mirënjohje të thellë nga zemra, mezi pres të shërbej vitin tim të fundit si përfaqësuesja juaj krenare. Ndërsa ecim përpara, mesazhi im për qytetin që dua është ky: San Francisko, njihe fuqinë tënde. Ne kemi bërë histori. Ne kemi bërë përparim. Ne gjithmonë i kemi prirë rrugëtimit dhe tani duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë duke mbetur pjesëmarrës të plotë në Demokracinë tonë dhe duke luftuar për idealet amerikane që i mbajmë të shtrenjta”, ka theksuar ajo.
Njoftimi i jep fund spekulimeve të shtuara ditëve të fundit se demokratja me përvojë të gjatë do të njoftojë së shpejti qëllimin e saj për t’i dhënë fund karrierës në Kongres pas 38 vjetësh. Pritej gjerësisht që ajo do të tërhiqej nga Kongresi pas këtij mandati, i pari i saj në dekada si anëtare e thjeshtë.
Duke reflektuar mbi rolet e saj të shumta në Capitol Hill, Pelosi ka theksuar të enjten: “U them kolegëve të mi në Dhomën e Përfaqësuesve gjatë gjithë kohës, pavarësisht se çfarë titulli më kanë dhënë – kryetare, udhëheqëse, – nuk ka pasur nder më të madh për mua sesa të qëndroj në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të them: ‘Unë flas në emër të popullit të San Franciskos'”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com