Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, - Foto: KALLXO.com
Nxënësit në lagjen Kodra e Minatorëve sërish do të fillojnë mësimin në kontejner, tek në gusht Komuna bëri kërkesë për parcelë
Paralelja me 16 nxënës në lagjen Kodra e Minatorëve në Mitrovicë të Veriut edhe sivjet do të mbajë mësim në kontejner.
Kjo për arsye se as niveli lokal, as ai qendror nuk e mbajtën premtimin për t’u bërë zgjidhje këtyre nxënësve.
Para katër vitesh, kryeministri (tani në detyrë) Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kur e vizituan këtë objekt-shkollë premtuan se do të bëhet zgjidhje për këta nxënës. Megjithatë, gjendja vazhdon të jetë e njëjtë.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, në debatin “Jeta në Komunë” premtoi se në vitin 2025 do të ndërtohet një shkollë në Mitrovicë të Veriut.
Por, kjo nuk ndodhi.
Tek tani është kërkuar leja ndërtimore për ndërtimin e objektit të shkollës së mesme të ulët në lagjen Kodra e Minatorëve.
Më 07.08.2025 ekzekutivi i kishte propozuar Kuvendit të Komunës që të sjellë një vendim për ndërrim të destinimit të parcelës së lartcekur nga tokë bujqësore në tokë ndërtimore.
Ndërkaq, në mbledhjen e mbajtur sot, më 28.08.2025, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut miratoi këtë vendim.
E kërkesën e ekzekutivit e konsiderojnë të vonuar të pranishmit në sallë.
Skender Sadiku, zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal, tha se është turp për Komunën dhe Ministrinë që ende këta fëmijë do ta vazhdojnë procesin e mësimit në kontejner.
“Ndihem i turpëruar si asamblist e qytetar. Këtë turp duhet ta bartim ne e Ministria. Derti im është qysh edhe një vit do të vazhdojnë mësimin në kontejner në vend se fëmijët t’i urojmë për 1 shtatorin. Është votim i vonshëm”- tha Sadiku.
Shqetësimin se nuk është ndërtuar asnjë shkollë në Mitrovicë të Veriut gjatë mandatit të Atiqit e ngriti edhe kryesuesi Nexhat Uglanin.
“Edhe të Lagjes së Boshnjakëve vazhdojnë të shkojnë në shkollë në jug. Prindërit kanë pasur probleme me qentë endacakë” – përfundoi ai.
Kujtojmë se në debatin “Jeta në Komunë”, më 16.12.2024 kishte diskutime lidhur me çështjen e shkollës dhe sistemit arsimor në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Zëvendëskryesuesi Sadiku potenconte se në këtë komunë ka objekt shkollor.
“Jemi duke iu ngja, duke kriju segregacion, nuk guxojmë të ndërtojmë shkolla etnike. Objekte shkollore ka, unë shkollën e kam kry në “Sveti Sava”, tash kështu quhet. Duhet me u akomodu, objekti ekziston. Ata duhet me shku në shkollën “Sveti Sava”, shkollë e cila është në qytet të Mitrovicës. Ekzistojnë dy shkolla që kanë qenë, e që janë për momentin të akorduara në jug. Duhet komunikimin me pasë. Në këtë vend kryetari Erden Atiq është i të gjithëve edhe i komunitetit serb”- kishte thënë Sadiku.
E çështjen e bashkëpunimit me komunitetin serb, të cilin e ngriti Sadiku, e kundërshtoi kryetari Atiq, duke thënë se i kanë dërguar ftesë të gjithë drejtorëve të shkollave në Komunën e Veriut, secilit, dhe sipas këtij të fundit nuk kanë pranuar të takohen.
Në ciklin e debatit “Jeta në Komunë” ishte diskutuar se Mitrovica e Veriut pritet t’i kthejë në buxhet të shtetit paratë që destinohen për shëndetësi e arsim, për shkak se këto dy dikastere nuk janë të integruara në sistemin e Republikës së Kosovës.
Arsimi e shëndetësia në këtë pjesë janë nën menaxhimin e Serbisë, sipas planit të Ahtisarit.
Sipas buxhetit në “letër” të kësaj komune, investimi më i madh ishte në shkolla dhe mjete shkollore.
Atiq thoshte se ky është një “bllokim” me të cilën përballet komuna e tij.
https://kallxo.com/komuna/jeta-ne-komune-qeverisja-e-atiqit-ne-mitrovice-te-veriut-mes-sfidave-politike-problemeve-komunale-e-punesimeve/