Nis mbledhja e materialeve për krijimin e kujtesës për 'Kurrizin’ e Dardanisë së Prishtinës
Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës ka nisur mbledhjen e materialeve të ndryshme dokumentare, përmes së cilave synon krijimin e kujtesës për “Kurrizin” e lagjes “Dardania” në Prishtinë.
Sibel Halimi, drejtoreshë për Kulturë në Komunës e Prishtinës ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se drejtoria që ajo drejton po fillon mbledhjen e materialeve historike për “Kurrizin” në “Dardani”, siç ka thënë ajo, një hapësirë ikonike e jetës qytetare, e rezistencës dhe kujtesës sonë kolektive.
“’Kurrizi’ nuk ka qenë vetëm rrugëkalim. Ka qenë zemra alternative e qytetit, vendi ku muzika e pavarur, kafenetë, ekspozitat spontane dhe lëvizjet kulturore formësuar një frymë të lirë qytetare. Aty janë mbajtur koncerte, janë organizuar ekspozita e janë ndarë ide dhe rezistencë, një hapësirë që frymonte ndryshim”-ka shkruar ajo.
Për ta realizuar këtë nismë, Halimi kërkon ndihmën e qytetarëve.
“Keni fotografi, video, apo rrëfime personale nga ‘Kurrizi’? Na ndihmoni t’i dokumentojmë ato për një arkiv publik dhe ekspozitë që do të prezantohet së shpejti. Le të kujtojmë, dokumentojmë dhe ruajmë së bashku! Me kontributin tuaj, shkruajmë së bashku historinë tonë! Kurrizi’ po i kthehet Dardanisë, tash si kujtesë, si shenjë njohjeje për të gjithë ata që i japin kuptim paqes sot!”. Deri më 1 korrik, mund të bëheni pjesë e procesit të dokumentimit përmes adresës sonë: Kultura.pr@rks-gov.net”- ka shkruar ajo.
“Kurrizi”, njëra prej hapësire më të njohura të lagjes “Dardania”, një ndërtimin modern masiv në formë kurrizit, mbi një tunel- rrugë qindra meta të gjatë, një plato gjigande, me lokale afariste, e apartamente luksoze, ishte shndërruar në një nga hapësira më të frekuentuara nga qytetarët gjatë viteve të rezistencës (1990-19999) kundër pushtimin serb në Prishtinë.
Ndërtimi i këtij aneksi ishte bërë gjatë viteve të ’80-ta të shekullit të kaluar (20-të).
Aktualisht në atë pjesë po kryhen punime pasi tuneli i është nënshtruar renovimeve.