Të akuzuarit në rastin e Banjskës, Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq brenda Gjykatës së Prishtinës Foto: Shkodrane Dakaj/ KALLXO.com - 25.09.2024
Mungon dëshmitari anonim, ndërpritet seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë
Në mungesë të dëshmitarit anonim A2 ka dështuar të mbahet seanca e së premtës, më 18.07.2025, e gjykimit ndaj Dushan Maksimoviqit, Bllagoje Spasojeviqit dhe Vlladimir Toliqit – 3 prej 45 personave nga grupi i Millan Radoiçiqit – të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Kryetari i Trupit Gjykues Arben Hoti tha se në mungesë të këtij dëshmitari nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës.
Në këto rrethana seanca u ndërpre, ndërsa vazhdimi i saj do të jetë më 21.07.2025.
Në këtë rast të akuzuar janë 45 persona, por vetëm 3 prej tyre janë të paraburgosur: Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq.
Këta tre të akuzuar nuk e pranuan fajësinë, lidhur me veprat penale që u vihen në barrë në Shqyrtimin kryesor më 17.04.2025.
Çka thotë Aktakuza e Prokurorisë?
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe Millan Radoiçiq – është ngritur Aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas Aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale “terrorizëm”, “financim i terrorizmit”, dhe “shpëlarje e parasë”.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit – duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjakun.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirëorganizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht Komunat e banuara me Shumicë Serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë.” – thuhet në këtë Dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.
Në grupin kriminal të strukturuar, të udhëhequr nga Radoiçiq, janë këta të akuzuar: Milan Radoiqiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandër Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviq, Aleksandër Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule Steviq dhe personi juridik “Rad D.O.O.”.
Ndërsa, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, po ashtu të akuzuar për “terrorizëm”, janë në paraburgim që nga shtatori 2023.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 se kanë ngritur Aktakuzë për 45 persona, për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Naim Abazi, Prokurori i Speciales, i cili udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-tës tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.
Abazi në një Konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.
Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo Prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë Agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.
Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1,266 armë e pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje.” – tha Prokurori.
Tutje, ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme – duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave, si dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitetet kriminale nga ana e të akuzuarve.
“Kanë pasur role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal: duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe shpëlarja e parave.” – theksoi tutje Prokurori.
Në Konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.
Për këtë rast janë publikuar shumë video e pretendime në TikTok (shih: këtu, këtu dhe këtu), për arsyet dhe të dyshuarit e përfshirë.