I akuzuari Fatlum Mehmeti në seancën e datës 04.12.2024- Foto: KALLXO.com
Mungon avokati i të akuzuarit, anulohet seanca për rastin e vrasjes së policit në Zllatar të Prishtinës
Me kërkesë të avokatit Labinot Buzuku, i cili mbron të akuzuarin Fatlum Mehmeti – i cili po akuzohet për “vrasje me dashje eventuale” të kolegut të tij polic, L. H., në një ndejë të organizuar në Zllatar të Prishtinës – është anuluar seanca e së mërkurës (09.07.2025) në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Anulimin e kësaj seance për KALLXO.com e kanë konfirmuar nga zyra e gjyqtarit Ertan Sejfulla.
Nga e njëjta zyrë kanë bërë të ditur se avokati Buzuku ka njoftuar se për shkak të problemeve shëndetësore nuk do të mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.
Për rrjedhojë, seanca e sotme (09.07.2025) është anuluar.
I ndjeri L. H., zyrtar policor, 27-vjeçar, kishte mbetur i vrarë – sipas Prokurorisë – nga arma zyrtare e kolegut të tij, Fatlum Mehmeti, në një aheng, më 18.02.2022.
Dosja e Prokurorisë përshkruan se i ndjeri Haxholli ishte qëlluar në regjionin e krahut të djathtë – duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse në një aheng, ku kishin qenë të pranishëm mbi 10 zyrtarë policorë.
Kujtojmë se me datë 28.04.2025 ishte bërë rikonstruimi i vendit të ngjarjes në Zllatar ku kishte mbetur i vrarë L.H.
Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës nga Trupi Gjykues, i përbërë nga Ertan Sejfulla, kryetar i Trupit Gjykues dhe dy anëtarët, Sulltane Hoti e Naser Foniqi.
Ndërsa, Aktakuza në këtë çështje penale po përfaqësohet nga prokurori, Arben Hoti.
Çka thuhet në Aktakuzë?
Sipas Dosjes së siguruar nga Kallxo.com, i akuzuari, pjesëtar i Policisë së Kosovës, i vetëdijshëm se manipulimi me armë paraqet rrezik, në prezencë të shumë personave e në ambient të mbyllur ka manipuluar me armën zyrtare.
I akuzuari, Fatlum Mehmeti ngarkohet me veprën penale: “Vrasje me dashje eventuale”.
Çka nënkupton “dashja eventuale” sipas Kodit Penal?
“Personi vepron me dashje eventuale, kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose i mosveprimit të tij dhe ai pranon shkaktimin e saj.” – thuhet në Kodin Penal.
Dënimi, sipas Kodit Penal, për kryerjen e kësaj vepre penale është jo më pak se pesë vjet burgim.
Menjëherë pas rastit ishin arrestuar gjashtë zyrtarë policorë, ndërsa të tjerët që ishin prezentë në vendin e incidentit ishin suspenduar nga puna.
Përveç arrestimeve dhe suspendimeve ishin sekuestruar edhe 14 armë zyrtare të policëve, të cilët kishin qenë pjesë e ahengut.
Lidhur me këtë rast është ngritur edhe një Aktakuzë ndaj 14 zyrtarëve policorë, të cilët kishin qenë prezentë në momentin kur kishte ndodhur ngjarja e 18 shkurtit 2022, në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës.
Sipas Aktakuzës, të pandehurit F. A., E. I., B. M., E. Th. dhe G. T., më 18.02.2022, rreth orës 22:00, në fshatin Zllatar të Prishtinës, në një vilë në këtë fshat, ku kishin organizuar një aheng privat, jashtë detyrës zyrtare, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat për autorizimet e Policisë dhe përdorimin e armës, të parapara në Ligjin për Policinë.
Sipas Aktakuzës, të njëjtit dyshohen se kanë shtënë me armë zyrtare, duke përdorur municion jozyrtar, gjersa ishin në tarracën e vilës ku zhvillohej ahengu.
Me këtë, secili prej tyre individualisht – sipas Prokurorisë – e kanë kryer veprat penale: “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Ndërsa, të pandehurit A. B., Xh. B., A. M., A. A., A. Z., I. S., Rr. A., V. Rr. dhe A. M. nuk i kanë lajmëruar veprat penale të lartcekura, nuk i kanë raportuar të shtënat me armë zjarri të bëra nga kolegët e tyre. Të pandehurit gjatë ahengut kanë qëndruar së bashku, andaj me këtë ata akuzohen se kanë kryer veprën penale: “moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.
Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së Aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas Ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.
Të gjitha raportimet, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë: LINK.