Nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit m Komunën e Istogut, Foto: KALLXO.com
Monitorimi i projekteve nga qytetarët, BIRN Kosova nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Komunën e Istogut
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në Kosovë (BIRN Kosova) ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me Komunën e Istogut për realizimin e procesit të Auditimit Social në një projekt në këtë komunë. Bashkënënshkruese e këtij Memorandumi ishte edhe organizata lokale Handikos, e cila do të jetë partnere lokale në implementim të projektit të Auditimit Social në Istog.
Me qëllim të rritjes së angazhimit të qytetarëve, rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në nivel lokal në implementimin e projekteve infrastrukturore e mbikëqyrjes qytetare, më 29.08.2025, Komuna e Istogut, BIRN Kosova dhe organizata Handikos në Istog, janë dakorduar t’i hapin rrugë themelimit të ekipit të Auditimit Social.
Ekipi i Auditimit Social është një grup i qytetarëve që do të monitorojë projektin “Ndërtimi i Shtratit të Lumit Istog dhe Ndërtimi i rrugëve në Muzhevinë, Drejë dhe Lubovë”.
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, i ka vlerësuar këto projekte si shumë të rëndësishme për Komunën e Istogut dhe është zotuar për bashkëpunim me ekipin e Auditimit Social.
Për ngritjen e kapaciteteve, BIRN Kosova do të ofrojë një program trajnimi për gjashtë organizatat e shoqërisë civile që do të jenë partnere gjatë implementimit të procesit të Auditimit Social në Istog, Dragash, Kaçanik, Istog, Drenas, Lipjan dhe Mamushë.
Më pas, bashkë me organizatat lokale, organizatat lidere, BIRN Kosova dhe Democracy Plus (D+), do t’i trajnojnë qytetarët që do të jenë pjesë e ekipit të Auditimit Social. Për garantimin e një procesi profesional të Auditimit Social, BIRN Kosova do të fasilitojë të gjithë procesin përmes ofrimit të mentorimit profesional dhe asistencës teknike për organizatën lokale dhe ekipin e themeluar në Komunën e Istogut.
BIRN Kosova dhe D+ janë angazhuar nga Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahjen e Komunave (DEMOS) për të bërë lehtësimin/fasilitimin e procesit të Auditimit Social në 16 projekte të përzgjedhura në Kaçanik, Istog, Drenas, Dragash, Lipjan dhe Mamushë. Projektet që do të monitorohen janë përfituar nga komunat përkatëse përmes Grantit të Performancës Komunale.
DEMOS është projekt i cili bashkëfinancohet nga BE-ja, Qeveria zvicerane dhe Qeveria zuedeze, dhe zbatohet nga HELVETAS Swiss Intercooperation-Kosovo. Ky projekt mbështet komunat e Kosovës në arritjen e qeverisjes lokale më demokratike dhe menaxhimit më të mirë komunal. Projekti DEMOS gjithashtu mbështet Qeverinë e Kosovës në zhvillimin e politikave, të cilat janë më të favorshme për financim të bazuar në rregulla për komunat.
Auditimi Social përkrahet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS).
Gjatë këtij cikli të Auditimit Social, organizata KLGI është përzgjedhur për të bërë fasilitimin e procesit të Auditimit Social në gjashtë komuna si e kontraktuar nga MAPL ndërsa BIRN dhe D+ në bashkëpunim me gjashtë organizata lokale janë kontraktuar nga projekti DEMOS për të bërë fasilitimin e procesit të Auditimit Social në gjashtë komuna të tjera.
Ky cikël i Auditimit Social ka filluar më gusht dhe do të përfundojë në dhjetor 2025.