Me kërkesë të mbrojtjes ndërpritet seanca ndaj të akuzuarve për krime lufte në rajonin e Vushtrrisë
Me kërkesë të avokatit Predrag Miljkoviq është ndërprerë seanca ndaj Zoran Kostiq dhe Dragan Milloviq, të akuzuar për “krime lufte” në rajonin e Vushtrrisë, sot më 24.10.2025 në Gjykatën e Prishtinës.
Avokati Predrag Miljkoviq i cili mbron të akuzuarin Zoran Kostiq, kërkoi nga Gjykata ndërprerjen e seancës me arsyetimin se deklaratën e dëshmitarit Naim Haliti, i cili ishte i paraparë të dëgjohej sot e kishte pranuar 10 minuta para se të fillonte seanca gjyqësore.
Miljkoviq më tej tha se ju duhet kohë që të përgatiten për marrjen në pyetje të këtij dëshmitari dhe se sot nuk janë të gatshëm për marrjen në pyetje të dëshmitarit.
Në anën tjetër, prokurorja Florije Salihu- Shamolli i propozoi Gjykatës që për mos zvarritjen e procesit gjyqësor, dëshmitari Naim Haliti të merret në pyetje sot vetëm nga ana e Prokurorisë, ndërsa marrja në pyetje nga ana e mbrojtjes të bëhet në një ditë tjetër.
Mirëpo, këtë propozimin e kundështoi avokati Predrag Miljkoviq i njejti madje tha se e kundërshton edhe dëgjimin e këtij dëshmitari.
“Kjo deklaratë është dhënë me 30.05 domethënë pas përfundimit të hetimeve, konsideroj se nuk është e përshtatshme që ta dëgjojmë këtë dëshmitar, unë i kam marrë të gjitha shkresat të cilat i kam pranuar nga prokurorja të gjitha procesverbalet ata dëshmitarë të cilët janë dëgjuar, deklarataa e tyre është dhënë në ditën e fundit të hetimeve para ngritjes se aktakuzës. Ne e kundërshtojmë dëgjimin e dëshmitarit sot”- tha avokati Miljkoviq.
Lidhur me këtë kryetari i trupit gjykues Lutfi Shala tha se lidhur me dëgjimin e këtij dëshmitari, Gjykata ka marrë vendim që ai të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit në seancat e kaluara dhe se mbetet vendimi i marrë nga trupi gjykues.
Ndërsa, i akuzuari Zoran Kostiq tha se dëshiron që të tërheqë autorizimin për mbrojtësin tjetër të tij avokatin Miodrag Brkljaq me arsyetimin se i njëjti nuk është duke ardhur në seanca.
Për mos mohimin e mbrojtjes efetive të të akuzuarve, trupi gjykues mori aktvendim duke ndërprerë seancën e sotme.
Në këso rrethana seanca e sotme (24.10.2025) u ndërpre, ndërsa e rradhës u caktua për në muajin nëntor 2025.
Kjo çështje penale po udhëhiqet nga Lutfi Shala (kryetar i trupit gjykues), Arben Hoti dhe Rrahman Beqiri (anëtarë).
Çka thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale të Kosovës, më 06.04.1999, i akuzuari Zoran Kostiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë, Ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, i veshur me uniformë të Policisë dhe i armatosur, me vetëdije dhe qëllim ka marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes Ujkani.
Sipas aktakuzës, në mesin e pjesëtarëve të tjerë të Ushtrisë dhe paramilitarëve serbë ishte edhe Zoran Kostiq, i cili ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, pastaj ka djegur shtëpitë dhe ka vrarë civilë të paarmatosur në fshatin Reznik, si: I.U., M.U. me bashkëshorte, B.U., F.U., S.U. dhe F.U.
Tutje, sipas aktakuzës, në ditën kritike vriten edhe T.U. me bashkëshorten H.U. dhe me qëllim për t’i zhdukur provat dhe për ta zbatuar planin në tërësi, ua vënë zjarrin shtëpive dhe djegin kufomat e familjes Ujkani.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti në bashkëkryerje me persona të tjerë të paidentifikuar kishte urdhëruar dëbimin e popullatës shqiptare nga shtëpitë e tyre – duke e detyruar popullatën civile të vazhdojnë në drejtim të varrezave të qytetit, duke i ndarë meshkujt nga gratë dhe fëmijët.
Po ashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Dragan Milloviq si dhe pjesëtarë të tjerë të uniformuar, tani për tani të paidentifikuar, gjatë muajit maj 1999, me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë së Serbisë në Vushtrri, në periudhën e luftës në Kosovë, forcërisht i kanë dërguar diku 20,000 banorë civilë të Vushtrrisë te varrezat e qytetit dhe aty të akuzuarit kanë maltretuar, rrahur, torturuar civilë të cilët gjendeshin të grumbulluar te varrezat e qytetit.
Me këto Prokuroria të lartcekurit i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – krimet e luftës kundër popullatës civile.
Gjykimet për krimet e luftës
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.