Turneu i parë i Kampionatit “Kosovo Boccia 2025” në Mitrovicë të Veriut- Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Mbahet turneu i parë i kampionatit 'Kosovo Boccia 2025' në Mitrovicë të Veriut - FOTO
Me karrocat e tyre, u rreshtuan për të realizuar turneun i cili u organizua për herë të parë, më 14.09.2025, në Palestrën Sportive në Mitrovicë të Veriut.
Që nga ora 11:00, persona me nevoja të veçanta nisën garën në kuadër të Kampionatit Ekipor dhe Kampionatit Individual “Kosovo Boccia 2025”.

Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq përgëzoi federatën për këtë iniciativë dhe u shpreh mirënjohës që e ka përkrahur këtë projekt.
“Jemi shumë të kënaqur që e kemi pasë mundësi t’iu qëndrojmë afër. Do të mundohem të jem afër jush, suksese!”- tha Atiq.
Ndërkaq Kryetari i Federatës së Para Boccia të Kosovës (FPBOK), Murat Murati potencoi se projekti po nis në Mitrovicë të Veriut dhe do të vazhdojë edhe në të tjera komuna.
“Mirë se keni ardhur në hapjen e këtij kampionati. Për herë të parë në këtë palestër po zhvillohet një garë e tillë. Është anëtare për të garantuar të drejta të plota. Për herë të parë organizojmë garën ekipore. Pjesëmarrësit do të marrin 50 euro mëditje”- u shpreh Murati.
E Luan Çabra, drejtor sportiv i federatës u shpreh optimist dhe u uroi garuesve suksese në nivel ndërkombëtar.
“Ju uroj suksese. Shpresoj të cerfikoheni edhe në nivel ndërkombëtar”- përfundoi Çabra.
Boccia është një sport me top – i ngjashëm me bowling-un. Ky sport luhet në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, nga atletë me aftësi të kufizuara.

Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Në këtë ngjarje historike për sportin e boccias në Kosovë morën pjesë gjashtë ekipe garuese: KPBO Blinaja, KPBO Hendifer, KPBO Prishtina 01, KPBO Minatori, KPBO Llapi dhe KPBO Maja e Pashtrikut.
E ashtuquajtura “Loja e Boqës” u zhvillua në hapësirat e kësaj palestre në Mitrovicë të Veriut.
Lojëtarët u ndanë në grupe dhe po i shijonin garat e sotme.

Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Ndryshe, turneu i parë i Kampionatit Ekipor dhe Kampionatit Individual “Kosovo Boccia 2025″ u realizua me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të marrëveshjes për vitin 2025 me Komiteti Paralimpik i Kosovës dhe nga Komuna e Mitrovicës Veriore.