Fatmir Limaj dhe Ekrem Kastrati - Foto: Fatmir Limaj/ Facebook
Malishevë, Nisma Socialdemokrate garon në zgjedhjet e 12 tetorit me kryetarin aktual të Komunës, Ekrem Kastratin
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tregoi se kandidat për kryetar të Komunës së Malishevës për zgjedhjet e 12 tetorit do të jetë kryetari aktual i Komunës, Ekrem Kastrati.
Limaj ka përmendur ato që ai i quan projekte madhore të kryetarit Kastrati gjatë qeverisjes së tij.
“Nën udhëheqjen e tij, Malisheva ka përjetuar ndryshime të mëdha: nga lirimi i hapësirave publike e ndërtimi i bulevardit “Ibrahim Mazreku”, deri te projekti madhor i “Sheshit të Dëshmorëve dhe Parkingut Nëntokësor”. Sot, qyteti jonë frymon ndryshe – është më i gjallë, më i bukur dhe më i afërt me të rinjtë dhe me mërgatën që e viziton çdo verë”- tha Limaj.
Ai shprehet i bindur se Kastrati do të jetë në krye të Malishevës edhe për katër vitet e ardhshme.
“Malisheva Urbane ka nisur me Ekrem Kastratin. E bashkë me të, do ta çojmë deri në fund – me përkushtim, me besim dhe me përkrahjen e fuqishme të qytetarëve tanë”- përfundoi Limaj.
Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka caktuar datën 12.10.2025 si ditën kur do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë.
Ky vendim është marrë disa ditë pas takimit me përfaqësuesit e partive politike për konsultim në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.