Albin Kurti - Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com
Kurti pas arrestimit të ish-policit: Sjellja jonormale e Serbisë, nuk do të lejojmë të normalizohet
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka reaguar lidhur me arrestimin e ish-policit Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi.
Kurti e ka quajtur sjellje “jonormale” nga ana e Serbisë ndaj kosovarëve dhe kësisoji sipas tij nuk duhet të normalizohet.
“Prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë Arbnor Fatmir Spahiut nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë. Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet.” – ka shkruar Kurti bashkangjitur me postimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha më 11.06.2025 se përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi po ndjek me vëmendje të shtuar zhvillimet rreth arrestimit në Serbi të Arbnor Spahiut, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
MPJD thotë se sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës akuzat e ngritura ndaj Spahiut kanë të bëjnë me rastin e Banjskës, ndërkohë që ai aktualisht ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë pas caktimit të masës së paraburgimit prej 30 ditësh.
“Sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës akuzat e ngritura ndaj z. Spahiu kanë të bëjnë me rastin e ‘Banjskës’. Ata i konsiderojnë këto akuza tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara – duke theksuar se z. Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij.” – thuhet në komunikatë.
“Republika e Kosovës do të vazhdojë të shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që kjo padrejtësi e radhës ndaj një shtetasi të Republikës së Kosovës të marrë fund dhe që z. Spahiu të lirohet sa më parë.” – është thënë në komunikatën e MPJD-së.
Në anën tjetër edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është angazhuar në lidhje me rastin e ish-policit të Kosovës Arbnor Spahiut, i cili është ndaluar në Serbi.
Spahiu, i cili, sipas avokatit, është ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, u ndalua nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.
Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar Policinë e Kosovës në shtator 2023 – duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Dyshimet e autoriteteve serbe për këtë vepër i konfirmoi për Radio Evropa e Lirë edhe avokati i Spahiut, Arianit Koci, i cili tha se ai aktualisht ndodhet në Suboticë dhe se “është mirë”.
Ai ka thënë se ka paraqitur disa prova që sipas tij do ta dëshmojnë pafajësinë e Spahiut.
Spahiu është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.
Në vazhdën e arrestimeve të kohëpaskohshme të shtetasve të Kosovës autoritetet bëjnë vazhdimisht thirrje që të shmanget udhëtimi përmes Serbisë.
Për sulmin në Banjskë ku sipas autoriteteve serbe dyshohet edhe përfshirja e Spahiut Kosova ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.
Përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-Nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.
Të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi i 3 prej 45 të akuzuarve për “terrorizëm”, “financim të terrorizmit” dhe vepra të rënda penale në rastin “Banjska”.
Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd.