KRU "Gjakova" shfuqizon Kontratën për mirëmbajtje dhe servisim të automjeteve, për të cilën raportoi KALLXO.com
Kompania Rajonale e Ujësjellësit KRU “Gjakova” ka njoftuar se ka shfuqizuar Kontratën për mirëmbajtjen dhe servisimin e automjeteve të kësaj Ndërmarrje, nëpërmjet platformës elektronike për prokurim E-prokurimi.
Shkëputja e Kontratës dhe anulimi i aktivitetit të prokurimit vjen pasi që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) kishte marrë Vendim – duke e urdhëruar KRU “Gjakovën” për të shfuqizuar Kontratën në fjalë, pasi që kishte miratuar një Ankesë të një Kompanie private, rreth procedurave të tenderimit.
“Duke u bazuar dhe duke respektuar Vendimin e OSHP-së Nr. 2024-1184, Ndërmarrja me Marrëveshje me OE ka arritur në përfundim të shkëpusin Kontratën. Rrjedhimisht bëhet anulimi i saj.” – thuhet në Njoftim.
Në ndërkohë, Bordi i Drejtorëve i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” ka marrë Vendim duke larguar përkohësisht nga puna kryeshefin ekzekutiv Hasan Krasniqin, në lidhje me një tender tjetër për blerjen e një barke.
Gjykata më 20.03.2025 i ka caktuar atij masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pas Kërkesës së Prokurorisë Speciale.
Kurse, Vendimi i OSHP-së për shfuqizimin e Kontratës për sevisimin e veturave është marrë më 03.03.2025, pasi që Kompania me emrin “Ilir Noshi” kishte bërë Ankesë.
Kjo Kompani në Ankesë kishte pretenduar se KRU “Gjakova” në momentin e hapjes së tenderit emergjent “Mirëmbajtja servisimi i automjeteve për KRU ‘Gjakova’” nuk i kishte ftuar për ofertim, edhe pse kjo Kompani më herët kishte pasur Kontratë të rregullt me Ndërmarrjen, për servisimin e veturave.
“Vendimi për të mos na dërguar dhe neve si Operator Ekonomik ftesën për ofertim në këtë procedurë – duke e marrë parasysh faktin se kemi pasur Kontratën e njëjtë me Autoritetin Kontraktues për më shumë se 6 vjet, e për të cilat kemi pasur gjithmonë vlerësime të mira, nuk mund të kuptohet ndryshe vetëm si veprim i trajtimit të pabarabartë dhe diskriminues ndaj neve.” – thuhet në Ankesën e “Ilir Noshi”.
Gjithashtu, kjo Kompani në Ankesë kishte pretenduar se KRU “Gjakova” nuk ka pasur nevojë që të aplikojë procedurën emergjente për nënshkrimin e Kontratës, pasi sipas tyre që nga data 26.08.2024 kur ka përfunduar Kontrata e rregullt, e deri më 21.11.2024, kur ka hapur procedurën emergjente, nuk ka marrë asnjë veprim procedural për të hapur një tender të rregullt.
Një pretendim tjetër i Kompanisë “Ilir Noshi” ka qenë se KRU “Gjakova” ka nënshkruar Kontratën me Kompaninë “Am-Bur” – duke pasur Ankesë aktive në OSHP. Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, Autoriteti Kontraktues duhet të presë 5 ditë të shohë nëse ka Ankesa. Nëse ndonjë Kompani dorëzon Ankesë, atëherë tenderi duhet të pezullohet, deri në Verdiktin përfundimtar të OSHP-së.
Eksperti shqyrtues i përcaktuar nga OSHP, Fatmir Thaqi, më 17.12.2024 kishte miratuar këto pretendime të Kompanisë “Ilir Noshi” në Ankesë dhe i kishte rekomanduar OSHP-së: shfuqizimin e Kontratës.
Kurse, OSHP më 03.03.2025 ka mbështetur Rekomandimin e ekspertit Thaqi dhe ka marrë Vendim – duke urdhëruar KRU “Gjakovën” që të shfuqizojë Kontratën.
Hetimet dhe arrestimi i Hasan Krasniqit
Hasan Krasniqi është arrestuar më 18.03.2025, në Gjakovë, me Urdhër të Prokurorisë Speciale, në lidhje me tenderin për blerjen e një barke nga ana e KRU “Gjakovës”. Ai po dyshohet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Hetimi ndaj tij, që rezultoi me arrestim, ka filluar pas publikimit të hulumtimit në KALLXO.com, në tetor të vitit 2024.
Hulumtimi tregonte se si Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” kishte blerë një barkë/anije të vogël, në vlerë 24,500 euro, por e njëjta nuk arriti të shfrytëzohej, pasi që u sekuestrua nga ana e Doganës dhe Policisë së Kosovës. Kjo barkë u ble nga KRU “Gjakova” prej një Kompanie e cila ishte regjistruar rreth një muaj para se ta fitonte tenderin.
Kryeshefi i KRU “Gjakova” Hasan Krasniqi është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale edhe për një rast tjetër, pikërisht për Kontratën për servisimin e veturave, për të cilën KALLXO.com ka publikuar një hulumtim.
Në hulumtimin e publikuar në Kallxo Përnime, më 09.03.2025, në të cilin shfaqeshin disa audio-incizime në të cilat dëgjohet kryeshefi i KRU “Gjakova” Hasan Krasniqi teksa flet për negocim të një Kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e bizneseve që do të merreshin me servisimin e makinave të Ndërmarrjes, si dhe dëgjohet duke thënë se do të zgjedhë Kompaninë për të nënshkruar Kontratën, për një tender për servisimin e veturave.
Incizimet që janë publikuar në emisionin KallxoPërnime dëshmojnë se kryeshefi i KRU “Gjakova” Hasan Krasniqi e ka pranuar para stafit të tij se i ka dhënë instruksione shoferit të tij, Valon Gunga për të dalë dhe për të gjetur Kompani që servisojnë makina.
Ai dëgjohet po ashtu duke thënë se ka shkuar te dy Kompani për t’u kërkuar atyre që të ofrojnë vetëm dokumentacionin për nënshkrimin e Kontratës, ndërsa punët do t’i kryente dikush tjetër.
Gjithashtu, Krasniqi dëgjohet duke thënë para stafit të tij se “Unë do të zgjedh Kompaninë” – në lidhje me tenderin për servisimin e veturave të Kompanisë.
https://kallxo.com/gjate/kurdisja-e-tenderit-audioincizime-se-si-kryeshefi-i-kru-gjakova-u-perfshi-ne-negociata-per-nje-tender-te-ndermarrjes/