Të akuzuarit Zoran Kostiq dhe Dragan Milloviq - Foto: KALLXO.com
Krimet e forcave serbe në Vushtrri, dëshmitarët thanë për të akuzuarit se u kanë ndihmuar gjatë kohës së luftës
Në gjykimin e Zoran Kostiqit dhe Dragan Milloviqit, të cilët po akuzohen për krime lufte të kryera në territorin e komunës së Vushtrrisë, në seancën e së mërkurërs (27.08.2025) janë dëgjuar dy dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja.
Fillimisht dëshminë e dha dëshmitari Murat Mema, i cili tha se të akuzuarin Dragan Milloviq e njeh që kur i pandehuri ka qenë fëmijë, pasi ai (dëshmitari) e kishte pasur lokalin në qytetin e Vushtrrisë dhe çka i ishte nevojitur tani të akuzuarit tek ai kishte gjetur zgjidhjen.
“Këta i njoh si fëmijë, se unë e kam pasë lokalin në Vushtrri. Këta janë rritë aty. Çka iu ka dashur tek unë e kanë bo çarenë”- tha dëshmitari Mema.
Dëshmitari për të akuzuarin Milloviq tha se ai kishte qenë polic dhe se disa herë i akuzuari u kishte ndihmuar.
Dëshmitari Mema lidhur me të akuzuarin Milloviq tha se ai gjatë kohës së luftës u kishte ndihmuar shumë lagjeve.
“I ka ndihmu krejt mahallës, krejt mahalla e kanë njoftë, krejt… Në atë mahallë krejt e kanë njoftë si person i sjellshëm, i mirë. Kënd s’e ka maltretu”- tha dëshmitari.
Ndër të tjera dëshmitari Mema për të akuzuarin Milloviq tha se ai u kishte ndihmuar me ushqim dhe në disa raste, në kohën e luftës, kanë pasur përparësi pasi e kanë njohur të akuzuarin.
Tutje, për të akuzuarin Milloviq dëshmitari tha se kanë thirrur edhe me emrin Musa.
I akuzuari Dragan Milloviq nuk pati pyetje për të dëshmitarin, por vetëm e përshëndeti në gjuhën shqipe.
Më tej, dëshminë e dha edhe dëshmitari Sami Rrustemi.
Dëshmitari Rrustemi tha se në vitin 1999, në Burgun e Smrekonicës kishte qëndruar 22 ditë dhe po aty ishte rrahur nga Zoran Vukotiqi.
Dëshmitari tha se nga rrahja që i kishte bërë Zoran Vukotiqi kishte pësuar lëndime të rënda.
Dëshmitari Rrustemi tha se kur i akuzuari Milloviq e kishte kuptuar se ai ishte rrahur, ai i kishte dërguar tableta atij, madje edhe ishte konfrontuar me Zoran Vukotiqin se pse e kishte rrahur atë.
Tutje, dëshmitari tha se i akuzuari atë dhe personave të tjerë në Burgun e Smrekonicës u kishte ndihmuar dhe ua kishte shpëtuar jetën.
“E them me gjithë përgjegjësi se ky na ka ndihmu, na ka pshtu jetën të gjithëve aty” – tha dëshmitari.
Më tej dëshmitari Rrustemi tha se të akuzuarin Milloviq e kishte falënderuar për ndihmën që i kishte ofruar në Burgun e Smrekonicës dhe se edhe tani e falënderon për ndihmën e ofruar.
“E kam falënderuar që më ka ndihmu në Burgun e Smrekonicës dhe tash e falënderoj shumë” – tha dëshmitari Sami Rrustemi.
Kujtojmë se në seancën e sotme, 27.08.2025, shqyrtimi gjyqësor filloi rishtazi me ndryshim në trupin gjykues, kjo pasi gjyqtari Valon Kurtaj, i cili ka qenë anëtar në këtë trup gjykues, është avancuar në Gjykatën e Apelit, dhe anëtari i ri i trupit gjykues në këtë çështje penale është gjyqtari Arben Hoti.
Me pëlqimin e të gjitha palëve në procedurë Gjykata mori aktvendim që të gjitha veprimet e ndërmarra deri më tani në këtë shqyrtim gjyqësor të konstatohen të lexuara.
Seancat e radhës për këtë çështje penale janë caktuar për në muajin tetor 2025.
Kjo çështje penale po udhëhiqet nga Lutfi Shala (kryetar i trupit gjykues), Arben Hoti dhe Rrahman Beqiri (anëtarë).
Çka thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale të Kosovës, më 06.04.1999, i akuzuari Zoran Kostiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë, Ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, i veshur me uniformë të Policisë dhe i armatosur, me vetëdije dhe qëllim ka marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes Ujkani.
Sipas aktakuzës, në mesin e pjesëtarëve të tjerë të Ushtrisë dhe paramilitarëve serbë ishte edhe Zoran Kostiq, i cili ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, pastaj ka djegur shtëpitë dhe ka vrarë civilë të paarmatosur në fshatin Reznik, si: I.U., M.U. me bashkëshorte, B.U., F.U., S.U. dhe F.U.
Tutje, sipas aktakuzës, në ditën kritike vriten edhe T.U. me bashkëshorten H.U. dhe me qëllim për t’i zhdukur provat dhe për ta zbatuar planin në tërësi, ua vënë zjarrin shtëpive dhe djegin kufomat e familjes Ujkani.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti në bashkëkryerje me persona të tjerë të paidentifikuar kishte urdhëruar dëbimin e popullatës shqiptare nga shtëpitë e tyre – duke e detyruar popullatën civile të vazhdojnë në drejtim të varrezave të qytetit, duke i ndarë meshkujt nga gratë dhe fëmijët.
Po ashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Dragan Milloviq si dhe pjesëtarë të tjerë të uniformuar, tani për tani të paidentifikuar, gjatë muajit maj 1999, me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë së Serbisë në Vushtrri, në periudhën e luftës në Kosovë, forcërisht i kanë dërguar diku 20,000 banorë civilë të Vushtrrisë te varrezat e qytetit dhe aty të akuzuarit kanë maltretuar, rrahur, torturuar civilë të cilët gjendeshin të grumbulluar te varrezat e qytetit.
Me këto Prokuroria të lartcekurit i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – krimet e luftës kundër popullatës civile.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.