Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
KQZ njofton për afatet për akreditimin e vëzhguesve të Zgjedhjeve lokale
Nga data 01.07.2025 fillon periudha për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për vëzhgimin e Zgjedhjeve lokale, që mbahen më 12.10.2025 në Kosovë – ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Aplikimi për këtë akreditim bëhet përmes platformës elektronike, që do jetë e qasshme pas kësaj periudhe.
KQZ-ja njofton se subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, Organizatat qeveritare e ndërqeveritare, Organizatat ndërkombëtare, mediat dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja mund të dorëzojnë Kërkesën për akreditim brenda disa afateve.
“Afati për dorëzimin e Kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike, që do të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhje Lokale, do të fillojë më 1 korrik dhe do të përfundojë më 17 shtator 2025.” – njofton KQZ.
Tutje, në Njoftim thuhet se afati për dorëzimin e Kërkesave për akreditim të OJQ-ve, Organizatave qeveritare e ndërqeveritare dhe Organizatave të vendeve të huaja fillon më 1 korrik dhe përfundon më 27 shtator.
Për mediat vendore dhe ndërkombëtare afati për akreditim fillon më 1 korrik dhe përfundon më 7 tetor.
“Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mund t’i vëzhgojnë Zgjedhjet lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, që do të mbahen më 12 tetor 2025 dhe aktivitetet e tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).” – thuhet tutje në Vendimin e KQZ-së.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka caktuar datën 12.10.2025 si ditën kur do të mbahen Zgjedhjet lokale në Kosovë.
Ky Vendim është marrë disa ditë pas takimit me përfaqësuesit e partive politike në Kosovë, për konsultim në lidhje me caktimin e datës së Zgjedhjeve lokale.
Ndërkohë partitë politike janë duke i bërë publik emrat e kandidatëve për Kryetarë të Komunave.