Komisioni Europian - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com
Kosova dërgon në Komisionin Europian draftin e agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka njoftuar se pas një pune voluminoze dhe intensive, Kosova ka dërguar në Komisionin Europian draftin e narrativit dhe tabelën e plotë të dakorduar të agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes.
Bislimi tha se së shpejti ky draft do të miratohet edhe në nivel të Qeverisë së Kosovës.
“Vendi ynë është i pari në rajon i cili e ka përmbushur këtë hap dhe dërguar këtë dokument drejt Bashkimit Evropian, duke dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes, angazhimit e përkushtimit në avancimin e procesit të integrimit evropian dhe përfitimit nga dritarja e mundësisë që ofron kjo iniciativë e BE-së” – ka shkruar zëvendëskryeministri në “Facebook”.
Ai tha se sektorët kyç të prekur e fokusuar janë ata të qeverisjes së mirë dhe administratës publike, tranzicioni drejt energjisë së ripërtëritshme dhe digjitalizimit, zhvillimi i sektorit privat dhe ambientit të të bërit biznes, zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor, dhe sundimi i ligjit, e ku tha se parashihet realizimi i rreth 30 reformave dhe mbi 100 aktiviteteve, të shtrira përgjatë një periudhe kohore 3 deri në 4-vjeçare.
“Hapi i radhës është përfundimi i listës së projekteve, e ku puna po vijon në negociata dhe konsultime me institucionet e Bashkimit Evropian. Vendi ynë pritet të përfitojë nga Plani i Rritjes një shumë prej rreth 945 milionë euro, të cilat do shërbejnë në zbatimin e reformave dhe projekteve investive” – u shpreh Bislimi.
Ai theksoi se Kosova në vazhdimësi po shfaq vullnetin e saj jo vetëm për integrim të plotë e sa më parë në familjen europiane bazuar në norma meritokracie, por edhe gatishmërinë në arritjen e standardeve europiane e përmbushjen e reformave të nevojshme.