Ndërtesa e Qeverisë së Gjermanisë në Berlin | Foto: KALLXO.com
Kina ia zë vendin SHBA-së si partnerja më e madhe tregtare e Gjermanisë
Kina ia ka kaluar SHBA-së si partnerja më e madhe tregtare e Gjermanisë gjatë tetë muajve të parë të vitit 2025, duke rikthyer vendin e parë, ndërsa tarifat më të larta ndikuan eksportet gjermane në Shtetet e Bashkuara, kanë treguar të dhënat paraprake nga zyra gjermane e statistikave, raporton Reuters.
Importet dhe eksportet gjermane me Kinën arritën në total 163.4 miliardë euro nga janari deri në gusht, ndërsa tregtia me SHBA-në shkoi në 162.8 miliardë euro, sipas përllogaritjeve të Reutersit.
SHBA-ja ishte partnerja kryesore tregtare e Gjermanisë vjet, duke i dhënë fund një serie tetëvjeçare të Kinës. Ndryshimi erdhi derisa Gjermania po mundohej të ulte varësinë nga Kina, me Berlinin që ka spikatur dallimet politike dhe akuzonte Pekinin për praktika të padrejta.
Megjithatë, dinamika e tregtisë ka ndryshuar përsëri sivjet, me kthimin e presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe me tarifat e ripërtërira.
Tarifat kanë ulur eksportet gjermane në Shtetet e Bashkuara, të cilat ranë me 7.4 % në tetë muajt e parë të vitit krahasuar me vitin 2024 në 99.6 miliardë euro. Në gusht, eksportet drejt SHBA-së ranë për 23.5 % nga viti në vit, duke treguar se trendi po përshpejtohet.
“Nuk ka dyshim se politika tarifore dhe tregtare e SHBA-së është arsye e rëndësishme për rënien e shitjeve”, ka theksuar Dirk Jandura, kryetar i shoqatës së tregtisë së jashtme, BGA.
Jandura ka thënë se ka rënë kërkesa e SHBA-së për mallra klasike gjermane të eksportit, të tilla si makina, makineri dhe kimikate.
Me kërcënimin e vazhdueshëm të tarifave dhe euron më të fortë, eksportet gjermane drejt SHBA-së nuk ka gjasa të rimëkëmben së shpejti, ka paralajmëruar Carsten Brzeski, kreu global i makro-informacionit në ING.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com