Ish-polici Arbnor Spahiu dyshohet nga Serbia për "vrasje të rëndë" në Banjskë
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës Arbnor Spahiu, të cilit iu shqiptua masa prej një muaji paraburgim në Serbi, dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” – konfirmoi Gjykata e Lartë në Suboticë për Radio Evropa e Lirë.
Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar Policinë e Kosovës në shtator 2023 – duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet me armë që kanë pasuar janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Me Ligjin në Serbi “vrasja e rëndë” dënohet me një dënim minimal prej 10 vjetësh burg, ose me burgim të përjetshëm.
Dyshimet e autoriteteve serbe për këtë vepër i konfirmoi për Radio Evropa e Lirë edhe avokati i Spahiut, Arianit Koci, i cili tha se ai aktualisht ndodhet në Suboticë dhe se “është mirë”.
Por, duke folur një ditë më herët për gazetarët në Prishtinë Koci ka thënë se klienti i tij nuk është pjesë e Policisë së Kosovës tash e tre vjet dhe se ai jeton në Gjermani.
Ai ka thënë se ka paraqitur disa prova që sipas tij do ta dëshmojnë pafajësinë e Spahiut.
Deri në publikimin e këtij lajmi Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radio Evropa e Lirë në lidhje me këtë rast dhe me pretendimet e avokatit.
As Policia e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se kur është larguar Spahiu nga shërbimi.
Spahiu është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.
Në vazhdën e arrestimeve të kohëpaskohshme të shtetasve të Kosovës autoritetet bëjnë vazhdimisht thirrje që të shmanget udhëtimi përmes Serbisë.
Për sulmin në Banjskë ku sipas autoriteteve serbe dyshohet edhe përfshirja e Spahiut Kosova ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.
Përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-Nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.
Të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi i tre prej 45 të akuzuarve për “terrorizëm”, “financim të terrorizmit” dhe vepra të rënda penale në rastin “Banjska”.
Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd./Radio Evropa e Lirë