Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, do të dëshmojë më 18 nëntor në Hagë
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për këtë javë dhe javën tjetër janë planifikuar seancat gjyqësore ku do të dëshmojnë blloku i fundit i dëshmitarëve të Mbrojtjes në këtë çështje gjyqësore.
Ish-ambasadori amerikan Christopher Hill filloi dëshminë të hënën, më 10 nëntor, kurse nga fundi i javës pritet të dëshmojë edhe një dëshmitar tjetër.
Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark është planifikuar të fillojë dëshminë të martën e javës që vjen, më 18 nëntor.
Për dëshminë e tij, siç njoftohet, janë planifikuar seanca edhe më 19 dhe 20 nëntor, ndërsa 21 nëntori është planifikuar si ditë rezervë, në rast nevoje.
Sipas njoftimit zyrtar të Dhomave të Specializuara në Hagë, të gjitha seancat e javës së ardhshme pritet të nisin në orën 09:00 dhe do të jenë kryesisht publike.
Ky bllok dëshmitarësh pritet të shënojë fazën përmbyllëse të paraqitjes së mbrojtjes në procesin gjyqësor kundër katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020.
Deri më tani, si dëshmitarë të ftuar nga mbrojta kanë dëshmuar katër personalitete ndërkombëtare: James Rubin, Paul Williams, John Stewart Duncan dhe James Peter Covey. Këto figura, ishin përfshirë personalisht në zhvillimet e Konferencës së Rambujesë dhe në negociatat për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të katër dëshmitarët e ftuar nga mbrojta e Hashim Thaçit kryesisht kanë deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte një hierarki dhe strukturë siç kanë ushtritë e tjera në botë. Kurse, për Hashim Thaçin thanë se nuk kishte autoritet të merrte vendime ushtarake, pa miratimin e komandantëve të zonave.
Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Aktakuza aktuale ndaj Thaçit dhe të tjerëve është dorëzuar më 27.02.2023. Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998-shtator 1999, kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme; duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.
Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.
Për të gjitha këto krime të pretenduara prokurori Xhek Smith i ngarkoi Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin edhe me akuzën se të njëjtit ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.
Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.
Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike e veprimeve në terren frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.
Pjesë e aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.
Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Prokurorisë ato janë kryer në: Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.
Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima tjera, të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.
Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së, ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje 10 net rresht, ndërsa në fund ishte vrarë.
Aktakuza pretendon tutje se pas një ofensive serbe forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona dhe se disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë, ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.
Aty përshkruhet edhe për 6 vrasje të kryera në Drenoc. Sipas Prokurorisë, 6 burra ishin arrestuar, rrahur e vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë kurrë më.
Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas aktakuzës, në korrik të vitit 1998, një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë, në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar e vrarë.
Në këtë aktakuzë Prokuroria e Specializuar nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe atë që e cilëson si qendra e paraburgimit në Kleçkë.
Në këtë lokacion – sipas Prokurorit të Specializuar – gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Sipas aktakuzës një person tjetër kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.
Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec. Ata, sipas aktakuzës, ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre, ndërsa nuk ishin parë kurrë më.
Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërmendura – sipas Prokurorit të Specializuar – është përgjegjësia komanduese.
Më 06.12.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar për një aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit.
Për aktakuzën e re Hashim Thaçi është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.
Themelimi i Gjykatës Speciale
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar më 2015 nga Kuvendi i Kosovës.
Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.
Aktualisht, në këtë institucion është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ish-deputetit Rexhep Selimit dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Salih Mustafa ishte dënuar herën e parë me 26 vjet dënim me burgim për krime lufte, kurse Gjykata e Apelit e kishte zbritur dënimin në 22 vjet burgim.
Supremja vendimin në fjalë ia kishte kthyer për rishqyrtim edhe një herë Gjykatës së Shkallës së Dytë në Hagë.
Herën e dytë Gjykata e Apelit nga 22 vjet dënim me burgim i kishte shqiptuar dënimin me burgim prej 15 vjetësh – dënim i cili ishte atakuar në Supreme. Ndërsa, më 26.02.2025 Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka vërtetuar dënimin me 15 vjet burgim për Salih Mustafën.
Pjetër Shala, i njohur me nofkën komandant “Ujku”, u dënua fillimisht me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për krime lufte, mirëpo Shalës i është ulur dënimi nga Gjykata e Apelit nga 18 në 13 vjet dënim me burgim unik.