IPK nuk ka arritur ta intervistojë të riun i cili ishte ndaluar në Sheshin "Car Lazar" gjatë festimeve të maturantëve
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Inspektorati Policor i Kosovës nuk ka intervistuar ende të riun i cili ishte pjesë e incidentit që ndodhi në Mitrovicën e Veriut, në shëtitoren e Sheshit “Car Lazar”, më 23.05.2025.
Kjo për shkak se siç thotë udhëheqësi i Divizionit për Hetime në kuadër të IPK-së Qerim Bytyqi i riu nuk ka dashur që të intervistohet nga hetuesit e Inspektoratit Policor.
Kjo çështje u ngrit në një tryezë që po mbahet në Mitrovicën e Veriut nga Organizata Joqeveritare “Aktiv”, në lidhje me të drejtat e njeriut në Kosovë, respektivisht për situatën e sigurisë në pjesën e veriut.
Në tryezë u përmend fakti se i riu ishte intervistuar nga hetuesit policorë në cilësinë e dëshmitarit, në prani të avokatit dhe përkthyesit, ndërsa në fund të intervistimit atij i ishte dhënë deklarimi i tij në gjuhën shqipe dhe se nuk e dinte nëse është përkthyer e gjithë deklarata ashtu siç kishte pretenduar ai se ka ndodhur ngjarja.
“IPK po atë ditë ka filluar një hetim dhe grumbullim të informacioneve. Ka siguruar video-incizime të ndryshme, ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të informohet. Nuk e kemi intervistën te ne nga i riu. Kemi me provu me marrë prapë deklaratë dhe pse në këtë fazë nuk dëshiron me dhanë deklaratë. Do të tentojmë sërish Do të flasim me Prokurorinë, në lidhje me veprimet e tjera.” – tha Qerim Bytyqi nga IPK.
Bytyqi shtoi se për shkak të Ankesave që janë bërë dhe deklarimeve të babait të të riut do të tentojnë që të marrin intervistë nga i riu.
“Për shkak të Ankesës ne kemi kërkuar që të intervistojmë personin, por deri tash nuk ka dashtë dhe ne prapë do të tentojmë që të marrim një përgjigje nga ana e tij.” – shtoi tutje ai.
Në anën tjetër zëvendësdrejtori i Policisë në veri Veton Elshani tha se transferimi i zyrtarit policor Dylot Brahimi është bërë për siguri të tij.
“Unë kam sugjeruar që ai të shkojë në jug. E kam transferuar për sigurinë e tij të shkojë atje, jo për shkak të ndonjë Urdhërarresti, apo diçka tjetër.” – tha Elshani, i cili mori pjesë në këtë tryezë.
Në këtë tryezë ishte edhe politikani serb Aleksandër Arsenijeviq. Ai kritikoi Inspektoratin Policor për mospërmbushje të detyrave të tyre, pasi shton se rastet po i mbyllin me arsyetimet se nuk ka prova.
“Një vjet e gjysmë hetuesit policorë nuk kanë ardhë në Veri. U dasht me incizu dhe me bo presion që me pas IPK në Veri. Jeni këtu. Keni ardhur dhe prapë do të jem shumë serioz: çka keni kryer deri tash, çka keni zgjidhur deri tash?” – tha Arsenijeviq.
Ai tha madje se nëse nuk kryejnë punën e tyre hetuesit e IPK-së do të protestojë para këtij institucioni.
Në këtë tryezë u vu në diskutim edhe publikimi i fotografive të të miturit, që kishte transmetuar në një Konferencë për media drejtori i Policisë Gazmend Hoxha.
“Kërkoj nga ju që të nisni një hetim ndaj z. Hoxha për shkak të Konferencës për media në prezencë të z. Sveçla dhe publikimin e fotografive.” – tha Arsenijeviq.
Për këtë çështje u pyet edhe Elshani, i cili tha se nuk i ka publikuar ai dhe nuk mund të deklarohet për këtë çështje.
“Për çkado që punoj unë jam përgjegjës, për çka bën Shefi unë vetëm kam shikuar. Nuk kam përgjigje për fotografitë. Ka qenë Konferencë e z.Hoxha dhe unë e kam shikuar Konferencën. Unë nuk kam përgjigje për këtë çështje. Ajo çka është publikuar nga ana ime dhe nuk është profesionale flas.” – tha Elshani.
E, nga Inspektorati Policor i Kosovës, konkretisht Arbër Beka tha se nuk ka informacione nëse ka nisur trajtimi i këtij rasti.
Drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha në një Konferencë për media ka publikuar disa fotografi të të riut i cili ishte pjesë e incidentit në shëtitoren “Car Lazar”, në Mitrovicën e Veriut.
Hoxha i publikoi këto fotografi nën pretendimin se ka pasur raportime për lëndime gjatë lokalizimit të të riut, nga ana e zyrtarit policor Dylot Brahimi, i cili iu përgjigj një rasti apo një veprimi që i riu bëri gjatë parakalimit me maturantët e tjerë në Sheshin “Car Lazar”.
Inspektorati Policor i Kosovës në bazë të detyrës zyrtare ka nisur tashmë edhe grumbullimin e të dhënave, informacioneve dhe pamjeve që janë shpërndarë në internet në lidhje me ndërhyrjen e zyrtarëve policorë në aktivitetin e maturantëve në Mitrovicë të Veriut.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com vetë Inspektorati Policor i Kosovës.
“Duke iu referuar Kërkesës suaj ju konfirmojmë se IPK pas reagimeve që janë bërë publike ka filluar sipas detyrës zyrtare të grumbullojë dhe verifikojë informacionet lidhur me këtë incident. Veprimet e tjera do të ndërmerren konform gjetjeve dhe autorizimeve ligjore të IPK-së.” – thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.
Zyrtari policor Brahimi sipas drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës Gazmend Hoxhaj është transferuar në Stacionin Policor në jug.
Kjo është bërë për t’u shmangur nga kontakti, apo ndonjë provokim në pjesën e Mitrovicës së Veriut pas incidentit që u shënua më 23.05.2025.
Pas raportimit se Policia e Kosovës ka reaguar gjatë një marshimi të maturantëve në Sheshin “Car Lazar”, në Mitrovicë të Veriut, 5 organizata të Shoqërisë civile në një deklaratë të përbashkët kanë shprehur shqetësimin e tyre serioz lidhur me këtë rast.
Këto organizata të Shoqërisë civile pretendojnë se një pjesëtar i Policisë së Kosovës “e sulmoi fizikisht një maturant duke e kapur atë për fyti”.
Pasi kanë shprehur shqetësimin e tyre 5 Organizatat Joqeveritare kanë renditur disa masa që të ndërmerren për këtë rast – përfshirë edhe pezullimin e policit i cili reagoi gjatë marshimit të maturantëve.
Këto 5 OJQ janë: Iniciativa e Re Sociale (NSI), Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA), Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (InTER), OJQ “Aktiv” dhe Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC).
Pas veprimeve që u ndërmorën në këtë organizim të maturantëve në Mitrovicën e Veriut Ministria e Brendshme në Serbi ka lëshuar edhe një Fletarrest për policin Dylot Brahimi dhe se i njëjti do të arrestohet në momentin e parë që haset nga Policia serbe.
Pas nisjes së grumbullimit të informacioneve për ndërhyrjen e policëve në incidentin në Mitrovicën e Veriut, më 23.05.2025, si dhe pas transferimit të policit Dylot Brahimi nga Stacioni Policor në Veri në atë në Jug, KALLXO.com ka arritur të mësojë edhe përmbajtjen e intervistimit të të riut i cili u ndalua pas një veprimi të cilin ai e bëri karshi disa qytetarëve shqiptarë në një pjesë të Sheshit “Car Lazar”, në Mitrovicë të Veriut.
KALLXO.com raportoi më 26.05.2025 për transferimin e Brahimit në Stacionin Policor në Mitrovicë të Jugut. Ky veprim i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës erdhi pas incidentit që u shënua më 23.05.2025 dhe që shkaktoi edhe reagime të shumta.
Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka kontaktuar me babain e të riut, D. Periq, i cili tha se nuk dëshirojnë të flasin para kamerës për rastin, meqenëse djali i tij ka nevojë të qetësohet pas incidentit dhe më pas edhe pas intervistimit në Polici.
KALLXO.com ka mësuar pak nga përmbajtja e intervistimit të të riut, L. Periq, 18-vjeçar. Ai u intervistua nga hetues të krimeve të rënda në Policinë e Kosovës në cilësinë e dëshmitarit.
Madje, në intervistim siç merr vesh KALLXO.com ishte i pranishëm edhe babai i të riut.
Ai kishte dëshmuar se ishin takuar paraprakisht me shoqëri për festën e maturës dhe më pas kanë dalë në Shesh si formë që e ndjekin vazhdimisht si proces për përfundimin e Shkollës së Mesme.
Tutje, në përmbajtjen e dëshmisë së të riut thuhet edhe se nuk i kujtohet për këngët që kanë kënduar, nëse të njëjtat kanë pasur nuancë të nacionalizmit, por shprehet se edhe nga ana e shqiptarëve të cilët ishin në disa lokale në Sheshin “Car Lazar” kishin marrë provokime dhe se ky i ishte përgjigjur atyre provokimeve.
“U ndjemë të lënduar.” – kishte dëshmuar i riu në Polici, derisa në fund kishte thënë edhe se polici i cili e kapi nga qafa për ta lokalizuar nuk veproi njëjtë me të gjithë, meqë pati provokime nga të dyja palët dhe sipas të riut polici u mor vetëm me të.
https://kallxo.com/lajm/cfare-deklaroi-i-riu-serb-ne-polici-pas-incidentit-ne-sheshin-car-lazar-ne-mitrovice-te-veriut/
https://kallxo.com/lajm/incidenti-ne-mitrovicen-e-veriut-ipk-nis-grumbullimin-e-provave-per-nderhyrjen-e-policise-pas-veprimeve-te-maturanteve/
https://kallxo.com/lajm/incidenti-ne-mitrovice-te-veriut-polici-qe-u-perfshi-ne-rast-transferohet-ne-stacionin-policor-ne-jug/