Dyshimet për keqtrajtimin e dy qytetarëve në stacionin policor në Podujevë, IPK rekomandon suspendimin edhe të 7 zyrtarëve policorë
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar Policisë së Kosovës më 02.12.2025 suspendimin edhe të shtatë zyrtarëve policorë, prej të cilëve gjashtë ishin duke shërbyer me detyrë në stacionin policor të Podujevës dhe një zyrtar policor në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës.
Sipas njoftimit, hetimet fillestare IPK i kishte filluar me dyshimin se disa zyrtarë policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe atë brenda zyrave të stacionit policor në Podujevë kanë keqtrajtuar dy qytetarë (njëri nga ta i mitur) që ndodheshin në ndalim.
Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës kanë zgjeruar hetimet lidhur me rastin ku dyshohej se zyrtarët policorë kishin tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës.
Bazuar në veprimet e zgjeruara hetimore dyshohet se në këtë rast janë të përfshirë edhe shtatë zyrtarë të tjerë policorë për të cilët IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin.
Hetimet lidhur me këtë rast ndaj 6 zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë në Prishtinë në procedurë të rregullt me dyshimin për veprën penale – keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, kurse ndaj një togeri policor lidhur me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale – moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre.
Bazuar në veprimet hetimore deri në këtë fazë janë identifikuar 11 zyrtarë të dyshuar lidhur me rastin e njëjtë.
Lidhur me rastin, më 10.11.2025 IPK kishte rekomanduar suspendimin e katër policëve të stacionit policor të Podujevës.
www.kallxo.com